Zbulim skandaloz! Maqedonia mbështeti kriminelët e luftës me shuma të mëdha parash!

Shuma që qeveria maqedonase ka dhënë në mbështetje të dy të akuzuarit e saj për krime lufte nga Gjykata e Hagës, ish-ministrit të Brendshëm Lube Boshkovski dhe policit Johan Tarçullovski, është ndoshta sekreti më i madh në vend, shkruan BIRN.

Qeveria nuk i është përgjigjur kërkesave për qasje në të dhëna. Njësoj ka vepruar edhe ministria e Drejtësisë.

Por, zyrtarët e tanishëm dhe ish-zyrtarë i kanë ofruar të dhëna BIRN-it, të cilat sugjerojnë se paratë që janë shpenzuar për kostot që lidhen me gjykimet e dy personave në Hagë, ndihmën e dhënë familjeve të tyre dhe ndejat mirëseardhëse megalomane të cilat ishin organizuar pas lirimit të tyre ka shkuar deri në 9,500,000 euro.

Shuma është tronditëse nëse krahasohet me atë që Bosnja, Kroacia dhe Serbia kanë shpenzuar për të ndihmuar mbrojtjen e qytetarët e tyre të akuzuar për kryerje të krimeve të tmerrshme në luftërat që zgjatën me vite dhe jo vetëm disa muaj.

Qeveria maqedonase ka shpenzuar miliona euro në mbështetjen e dy personave në fjalë nga viti 2005, kur ata ishin të arrestuar, deri në vitin 2013, kur Tarçullovski u lirua nga burgu pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.

BIRN u ka dërguar kërkesa zyrtare qeverisë maqedonase, ministrisë së Drejtësisë, avokatëve dhe familjeve të dy personave, duke kërkuar nga ta të tregojnë sa para janë shpenzuar në mbrojtjen e tyre, shpenzime procedurale , shpenzime për familjet e tyre, vizitat në Hagë nga figura të larta politike nga Maqedonia si dhe ceremonitë mirëseardhëse në Shkup.

Pavarësisht detyrimeve ligjore për qasje në dokumente të tilla, qeveria dhe ministria e Drejtësisë nuk janë përgjigjur. Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti dhe zëdhënësi i tij nuk e kanë hapur telefonin dhe nuk janë përgjigjur email-ave të dërguar nga BIRN.

Arsyet për këtë heshtje janë politike, tha një zyrtar i qeverisë i cili kërkoi të mbetej anonim.

“Kjo është çështje e ndjeshme dhe mund të shkaktojë reagim të veteranëve të caktuar ushtarakë”, tha burimi qeveritar për BIRN-in, duke shpjeguar se ushtarët maqedonas dhe policë që duan kompensim për lëndimet që kanë përjetuar gjatë konfliktit, si dhe të ish-luftëtarë shqiptarë që kanë kërkuar pension shtetëror, mund të shkaktojë probleme për autoritetet në qoftë se mësojnë sa para janë shpenzuar.

“Jam përpjekur të marrë të dhënat që mi keni kërkuar, por menjëherë më thanë se këto të dhëna janë rreptësisht konfidenciale dhe nuk duhet t’i kërkoja”, shtoi burimi i BIRN-it.

“Mu bë e qartë se si anëtar i komunitetit shqiptar [të Maqedonisë], nuk kam asnjë arsye për të kërkuar të dhëna për pagesën e parave për mbrojtjen e dy maqedonasve të cilët u gjykuan për krime lufte në Hagë”, tha burimi.

Shpenzimet e shtetit maqedonas për dy të akuzuarit e Hagës:   

Viti

Qëllimi

Shuma në EURO

2006

Paratë fillestare për përgatitjen e mbrojtjes , dëshmitarëve , shpenzimet e udhëtimit , punësimin avokatët

1,000,000

2006

Shpenzime të familjeve, 50,000 për mbrojtjen Tarkulovskit , 100.000 euro për përkthimin e dokumenteve për mbrojtjen dhe gjetjen e dëshmitarëve

350,000 

2007

për punësimin e një avokati të dytë të huaj për gjykimin e shkallës së parë

500,000

2007

për shpenzime për dëshmitarë, përkthyes, dokumente

30,000 

2008-2011

310.000 € në vit për kostot shtesë (shumë vjetore e konfirmuar nga ish-ministri i drejtësisë Mihajllo Manevski)

1,200,000 

2008-2013

për punësimin e ekipit mbrojtës të SHBA për Tarkulovskin

3,500,000 

2009

Tarifat e avokatit për ekipet e mbrojtjes të dy burrave

100,000 

2010

Udhëtimi-Kthimi dhe festa mirëseardhëse për Boshkovskin , përfshirë aeroplanin dhe fushatë publike

50,000 

2010

Udhëtimi në  Hagë i delegacioneve nga qeveria, parlamenti, partia qeverisëse

50,000

2013

Udhëtimi-Kthimi dhe festa mirëseardhëse për Tarkulovski ,përfshirë aeroplanin, fushatë publike, postera e billboarda

200,000 

2013

Lobimi i kontratave

2,500,000 

TOTALI:

9,480,000

Burimi: Birn 

Ngelen të pakonfirmuara – Ndihmë financiare për familjet e burrave në një periudhe shtatë vjeçare. Shuma e saktë nuk dihet, mund të jetë më e madhe se 200,000 euro.

Shënim për burimet: Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë injoroi kërkesat e BIRN-it për të dhëna zyrtare. Kjo listë e shpenzimeve është bazuar në deklaratat e ish- kryeministrave , ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë të cilët kishin qasje në fondet që janë paguar për shpenzimet. Deklaratat të juristëve janë përdorur edhe në këto kalkulime edhe pse kontratat e tyre janë mbajtur sekret nga qeveria.

Politika dhe propaganda

Edhe pse Tarçullovski u dënua për krime të lufte, disa maqedonas e shohin atë si hero kombëtar, i burgosur padrejtësisht për mbrojtjen e vendit të tij.  Por, shumica e komunitetit shqiptar të Maqedonisë e fajësojnë atë për vuajtjet që ai shkaktoi gjatë konfliktit të vitit 2001.

Rasti i tij mbetet politikisht i ndjeshëm pasi tensionet etnike në vend ende zien dhe zbulimi se sa para janë shpenzuar për një maqedonas, i cili ka kryer krime lufte kundër shqiptarëve mund të shkaktojë pakënaqësi tek kjo pakicë.

Është po ashtu e ndjeshme për faktin se partia etnike shqiptare e cila doli nga forca guerile që luftoi në konfliktin e vitit 2001, Bashkimi Demokratik për Integrim, është tani pjesë e koalicionit qeverisës të vendit dhe një ish-rebel shqiptar tani është ministër i Mbrojtjes së Maqedonisë.

Që prej lirimit të tij, Tarçullovski, i cili tani po studion bujqësinë në universitet, është bërë simbol lëvizës në shërbim të qëllimeve propagandistike të qeverisë.  Boshkovski nga ana tjetër ka themeluar një parti politike opozitare pas lirimit të tij dhe gjendet në burgim shtëpiak për financim të paligjshëm të fushatës.

Shuma e saktë shpenzuar për të mbështetur të dy të akuzuarit e Hagës ndoshta nuk do të dihet kurrë. /BIRN

Lajme të ngjashme

Back to top button