Nese ata që do t’i zgjedhim do të tradhëtojnë, ne do t’i rrëzojmë ashtu si i ngritëm

Unë jam i ri, por arrij të kuptoj se çdo ndryshim i mundshëm pozitiv për vendin tim, shoqërinë time, të ardhmen time në Maqedoni, është i mirëpritur nga të gjithë qytetarët e këtij vendi. Unë jam akoma më patriot se ata të cilët duan bashkim kombëtar, akoma më patriot se ata që shajnë protestuesit. Unë jam më patriot, sepse në vend të bashkimit kombëtar, kërkoj reforma në shkolla, universitete, institucione, politikë, ekonomi etj. Unë dua punë, dua rrogë të lartë, dua që të jetoj në paqe, dua zhvillim për vendin tim, dua tju tregoj juve “patriotëve” që ne në vend të propagandës nacionaliste të bëhemi shembull për ata maqedonas që kanë bindje negative për ne. Nëse na shajnë do t’i këshillojmë, do t’ju themi se jemi të mirë dhe kemi qëllime të mira. Ne duhet tu themi se jemi të gatshëm të mësojmë, të punojmë, të bashkëpunojmë dhe të ndërtojmë të ardhmen tonë. Lufta me armë është alternativa e fundit që duhet ta mendojmë.

Ne duhet të luftojmë për mësues të kualifikuar, që dinë të gatuajnë gjenerata të cilat neve do të na sjellin më shumë të drejta dhe do të na shpien më afër diturisë. Patriotizëm është dëshira për të ditur, dëshira për të qenë i mirë, dëshira për të ndihmuar. Patriotizëm është ta duash kombin tënd dhe ta respektosh të tjetrit. Unë e di se shumica e qytetarëve në Maqedoni (shqiptarë,maqedonas,turq etj.) janë të vetëdijshëm, të civilizuar, modern. Nëse nuk është kështu unë këtë dua ta besoj. Të bashkuar për një qëllim të mirë, është shembulli më i mirë që mund ta japim në këtë gjendje n të cilën jemi sot. As Zaev, as Gruevski, as Aliu, as Sela, e as Rufiu nuk janë zgjidhje për ne. Ata janë zgjedhja jonë. Kur do të zgjedhim herën tjetër, të zgjedhim me vetëdije e jo për interesa personale dhe për para kesh në dorë. Nese ata që do t’i zgjedhim do të tradhëtojnë, ne do t’i kemi në dorë, ne do t’i rrëzojmë ashtu si i ngritëm.

Unë i dua ata që ma duan mua të mirën. Ndoshta jam gabim, por unë kështu mendoj. Dhe nëse jam gabim, le të mbetet mendimi im.

Lajme të ngjashme

Back to top button