“Haxhi baba” Selajdin dhe maqedonasi Sllave Collakovski: ja pse protestuam kundër Gruevskit

Nga Bekim Laçi, Shkup

Shqiptarët e Maqedonisë kishin mbetur në dilemë se, a vallë duhet të protestojnë kundër një qeverie e cila cdo ditë e më shumë po humb kredibilitetin ndërkombëtar, apo të mbetën në shtëpi, pasi asnjë subjekt politik nuk u rekomandoi daljen?!

Por, të ndjekur nga instikti politik i kundërshtimit të një qeverisjeje të korruptuar edhe moralisht, shumë shqiptarë u bënë pjesë e revoltës mbarpopullore, të cilën nuk e pengoi as dielli përvëlues në mesditë. Madje për këtë arsye, organizatorët ishin kujdesur që të sigurojnë edhe ujë të pijshëm.

Protesta morri një dimension mbarëpopullor, pasi në podium dolën e kumtuan edhe shqiptarë. Tejet simbolik dhe kuptimplotë ishte kur bashkë dolën një student maqedonas dhe një shqiptare, nga ata të cilët llogariten lokomotivë e proceseve demokratike: “Studentët, asnjëherë nuk do të robërohen. Jemi këtu për të dërguar mesazh se gjenerata jonë është e sakatosur nga tranzicioni permanent. Mjaft më”, shpallën studentët në fjalë.

Ndërsa  qytetarë të intervistuar, kanë treguar motivet e tyre  që i kanë shtyer ata të shprehin revoltën në rrugë. Emëruesi i tyre i përbashkët ishte qeveria e korruptuar, e cila për të maskuar hajninë, fryen nacionalizmin: “Vij nga fshati im Grushinë. Kam dalë që t’shpreh revoltën time kundër kësaj qeverie e cila ka diskriminuar shqiptarët. Nëse shihni vendbanimet shqiptare, do t’shihni se asgjë nuk është investuar”, na tha plaku haxhi, Selajdin Jahiu, afër të cilit qëdronte një burrë maqedonas, që nga ana e tij tha: “Shiko biri im: unë kam raporte të shkëlqyeshme biznesi me shiptarët dhe këtë e bëjë me vite të tëra. Qeveria Gruevski nxit nacionalizmin me çka rrezikon ardhërinë e këtij vendi. Nuk ka përspektivë tjetër, por dorëheqjes së tij”, na tha Sllave Collakovski nga Shkupi.

Për pjesën argëtuese të eventit, këngëtari Arben Shaqiri, kishte përzgjedhur këngën “Padrejtësi”,ndërsa për motivet tha se vargjet simbolizojnë hajninë e pushtetit:  “Padrejtësi, kjo është padrejtësi, unë nuk kam, e shumë ke ti”.. a nuk simbolizon kjo varfërinë e qytetarit dhe pasurimin e pushtetit, na tha në mënyrë pyetsore.

“Aty ku shkon CNN dhe BBC nuk është puna mirë”, komentonin gazetarët lokal, pasi ka muaj që në Shkup mbahen protesta, dhe kjo është hera e parë që vijnë këto media prestigjoze, ndërsa vetë gazetarët ndërkombëtarë nuk komentojnë nëse vallë kanë nuhatur diçka në Maqedoni.

Në përfundim të protestës, lideri opozitar Zoran Zaev,  tha se aktivistët do të mbeten para qeverisë deri në momentin e dorëheqjes së  kryeministrit  Gruevski. Janë diku 4600 vullnetër të cilët mbrëmjen e sotme do ta kalojnë në qiell të hapur.

Pjesëmarës në protestë ishin shtatëmbëdhjetë ish-ambasadorë në Maqedoni, ndër të cilët spikatnin ish-euroambasadori Ervan Fuere dhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richard Howit. /tesheshi.com/

Lajme të ngjashme

Back to top button