UDHËKRYQI ME DY OPSIONE

Për këto vite të Maqedonisë së pavarur vetëm politikanët shqiptar nuk ditën të na bëjnë pjesë të institucioneve të këtij shteti që është dashur të jetë shtet n përbashkët n të gjithabashkësitë etnike, nuk ditën të na bëjnë qytetarë me të drejta të barabarta me të tjerët, ashtu siç bënë maqedonasit ta bëjnë shtetin vetëm të tyre, duke na mbajtur neve pas dere. Tash kur shpërtheu kriza e përmbushur me skandale, kur doli në sipërfaqe se kreu i shtetit na paska trajtuar si fis barbar, si shiptarishta që “kërkojnë” shumë, si turmë të cilën kur të dojë ministresha e punëve të brendshme mund të na shlyejë nga faqja e dheut, kur dolën në shesh edhe shumë djallëzi që janë bërë kundër shqiptarëve, poltikanët tonë po detyrohen të fotografohen bashkë. Por vetëm të fotografohen. Marrëveshje nuk duket se do të arrijnë. Nuk do të arrijnë as për pak ta avancojnë çështjen shqiptare. Ata, deri më tash,  nuk ditën, madje, asnjë reagim ta bëjnë kundër ministreshës së punëve të brendshme,  kësaj gruaje të imtë, po me bindje shoviniste e me sherr të madh.

Tash kur politika e këtij vendi ka arritur në udhëkryq e ku ndeshen dy opsione, njëri për qeveri kalimtare dhe tjetri për vazhdimin e kësaj politike, udhëheqësit shqiptarë dalin pa platformë. Ata duken të humbur. Të frikësuar. E vetmja gjë që dëgjojmë prej tyre është refreni: BE, NATO. Mirëpo nuk kanë ndonjë platformë nga e cila do të iniciohen programe për zhvillimin e shqiptarëve, për daljen e tyre nga mesjeta, për zgjidhjen e çështjes fatkeqe të ndasive brenda religjionit, për zgjidhjen e çështjes së gjuhës shqipe, që është gjuhë e përbuzur publikisht, për pozitën ekonomike të shqiptarëve, për programet shkollore ku duhet të përfshihen tema që e pengojnë fyerjen e shqiptarëve. Me një fjalë politikanët që e marrin si e marrin votën e shqiptarëve nuk kanë kurrfarë oferte për çështjen e shqiptarëve në të cilën ne do ta fitojmë mbështjetjen e perëndimit.

Mungesa e kësaj platforme, e cila nuk ka asgjë kundër maqedonasve e as kundër të tjerëve, por që i afirmon interesat e shqiptarëve dhe identitetin e tyre kombëtar shqiptar. Është momenti që ideja për afirmimin e popullit tonë si popull evropian të jetë në plan të parë. Këtë e kërkon gjaku i bijve e bijave më të mira të këtij populli dhe jeta e flijuar e tyre nëpër burgjet e hapësirave të ish Jugosllavisë që nga luftërat ballkanike të viteve 1912/1913. Pra, duhet të afërmohet kjo platformë dhe me këtë platformë, me diskursin e pandërprerë në temën e interesave kombëtare duhet të jemi të vendosur të shkojmë drejt BE-së dhe NATO-s. Ndryshe jo. Ne duhet ta kthejmë besimin e BE-së dhe NATO-s kanë nisur të tregojnë rezerva ndaj nesh për shkak të axhamillëqeve dhe preokupimit me përleshjet në Lindjen e afërme, pra në ato vende ku Serbia ka lidhje vëllazërore. Diskursi i tashëm ideologjik  i diskualifikimit të programit kombëtar shqiptar si nacionalizëm ekstrem, është vetëm një gënjeshtër dhe manipulim politik, përmes të cilit duhet të frikësohen qytetarët maqedonas. E vërteta është se ky program, kjo platformë mund t’i sjellë këtij vendi paqe dhe prosperitet. Kjo platformë i jep impuls pozitiv politikës së mbarë, politikës së hairit dhe e cila nga largon nga ambiciet e errëta të politikës ruse e inkurajuar me okupimet e territoreve të vendeve fqinje.

Kjo politikë që u artikulua përmes gojës së Lavrovit është e rrezikshme. Kjo politikë  promovon luftë fetare midis aleancës ortodokse (të cilën do ta mbështeste Rusia) kundër shqiptarëve të mbledhur rreth boshtit kombëtar, kundër një populli që momentalisht janë populli më i shtypur dhe më i varfër, populli më i izoluar dhe populli më i anatemuar me etiketën e islamizmit. Populli që vazhdon t’i mbush burgjet politike të Maqedonisë. Politikanët tonë duhet ta dinë se në perëndim ka filluar të ngrihet njëfarë albanofobie, madje pak edhe si rezultat i plogështisë politike të të ashtuquajturit lidershqip shqiptar.

Mendoj se këtu në Maqedoni shqiptarët duhet përfundimisht ta kenë vendin e tyre në vend të tyre.  Unë mendoj, mendojnë edhe shumë qytetarë të tjerë si unë, por punën duhet ta bëjnë politikanët, pra ata që e kanë marrë votën e këtij populli, ata që përfundimisht duhet ta kenë të qartë se politika nuk mund të jetë vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi. Politika është një shkathtësi që duhet ta menaxhojë mirë vendin, të krijojë kushte për të gjithë ata që janë qytetarë të vendit. Politikë nuk është nënshtrimi ndaj një ideologjie dhe ndaj një garniture politike me qëndrim antishqiptar.

Politikanët tonë duhet ta dinë se vota jonë e bashkuar mund ta ndërrojë situatën në të cilën kemi bërë jetë të “indijancave”.

Politikanët duhet të jenë të kujdesshëm, shumë të kujdesshëm sepse ajo që pamë mbrëmë para Kuvendit të Maqedonisë nuk jep kurrfarë shenje se çështja shqiptare do të avancohet. Përkundrazi dukej  si në shuplakë orientimi, kaheja drejt të cilës ka marr turr pushteti, pa ia varur fare asnjë partie shqiptare, madje as popullit shiqptar. Dhe, thuajse shqiptarët janë pa kurrfarë peshe këtu. Dhe, buzëqeshja e ministrave të dorëhequr fliste për një fushatë në të cilën do të ketë hakmarrje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button