Fëmijët e sotëm janë më të ngadalshëm

Shumë fëmijë nuk mund të vrapojnë aq shpejt sa kanë vrapuar prindërit e tyre kur kanë qenë të rinj, tregon një studim amerikan rreth fitnesit global.

Ekspertët thonë se studimi, që së fundi është prezantuar në takimin vjetor të American Heart Association, tregon se nivelet e fitnesit të fëmijëve mund të jenë në rënie.

Kërkuesit kanë analizuar të dhënat e mbledhura gjatë një intervali prej 46 vitesh dhe ku janë përfshirë më shumë se 25 milionë fëmijë nga 28 vende të botës.

Fëmijët sot, në mesatare, një milje e vrapojnë për 90 sekonda më ngadalë se sa paraardhësit e tyre 30 vite më parë, raporton BBC.

Rezultatet kanë treguar se qëndrueshmëria kardiovaskulare – e vlerësuar nga ajo sa larg mund të vrapojë një fëmijë brenda një kohe të caktuar – ka rënë vazhdimisht për rreth 5 për qind çdo dekadë.

Rënia është parë si te djemtë ashtu edhe te vajzat dhe në të gjitha moshat nga nëntë deri në 17 vjet. Për më tepër kjo rënie e nivelit të fitnesit lidhet edhe me obezitetin, që ndryshon në vende të ndryshme dhe lidhet me probleme të ndryshme shëndetësore.

Fëmijët këshillohet të bëjnë së paku një orë aktivitet të fuqishëm fizik çdo ditë. /Mjeku.Net/

Lajme të ngjashme

Back to top button