Rreth 140 kosovarë bëhen “austriakë”

Interesimi i qytetarëve kosovarë për t`u pajisur me pasaporta të huaja po shtohet çdo ditë e më shumë. Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2015, në Austri 136 qytetarë të Kosovës janë pajisur me pasaportë austriake.

Në përgjithësi, sipas statistikave austriake, është shënuar rritje prej 10 për qind e marrjes së pasaportave austriake nga të huajt në krahasim me tremujorin e vitit të kaluar.

Gjatë muajve janar – mars të vitit 2014, pasaportë austriake kanë marrë 1,751 qytetarë, ndërsa gjatë tremujorit të parë të këtij viti, 1,925 të huaj.

Sipas medieve austriake të gjithë “austriakët e rinj” kanë fituar të drejtën e tyre legale duke qenë të integruar sipas sistemit austriak dhe qëndrimit të tyre prej së paku gjashtë viteve të rregullta në Austri, transmeton albinfo.ch.

Për këtë vit rritje në përqindje kishte më së shumti në landin (njësinë federale) Burgenland. Në tre mujorin e vitit 2014 në këtë vend kishin marrë pasaportë austriake vetëm tre persona, ndërsa në tremujorin e këtij viti janë lëshuar 48 pasaporta austriake. Në vendin e dytë është Vorarlberg (me plus 29.9 për qind), e ndjekur nga Tiroli Kartner, Vjena dhe Steiermark.

Vendi i origjinës, pjesëtarët e të cilit më së shumti janë pajisur me pasaportë austriake është Bosnja dhe Hercegovina (279), Turqia (247), Serbia (139) dhe Kosova (136).

270 persona të tjerë, të cilët edhe më parë kanë qenë qytetarë të BE-së, por që janë pajisur edhe me pasaportë austriake janë rumunët (49), gjermanet (40) dhe hungarezët (28).

Lajme të ngjashme

Back to top button