ANALIZË: Varfëria i goditi familjet me shumë fëmijë!

Trend alarmues të varfërimit konstaton hulumtimi i fundit i Entit për statistikë me titullin “Indiaktorët laeken për varfëri”. Vetëm për një vit, ose prej vitit 2012 deri në vitin 2013, numri i familjeve të varfëra me së paku dy fëmijë është rritur për pothuajse 6.500. Hulumtimi tregoi se varfëria në nivel të shtetit është zvogëluar, mirëpo edhe më tej nuk e ndryshon pasqyrën se çdo qytetar i katërt nuk mund t’i plotësojë nevojat elementare jetësore. Ekonomistët dhe sociologët theksojnë se varfëria nuk çrrënjoset me propagandë, por me masa dhe strategji konkrete.

Vetëm për një vit, 6.500 familje të reja të varfëra…

Në Maqedoni ka 500.400 persona që jetojnë nën pragun e varfërisë. Të dhënat e reja të statistikës tregojnë se në vitin 2013 përqindja e varfërisë ka qenë 24,2%, dhe në krahasim me vitin paraprak, ajo është zvogëluar për 2 për qind. Edhe përkundër këtij zvogëlimi, sipas sociologëve, edhe më tej çdo qytetar i katërt nuk mund t’i plotësojë nevojat themelore ekzistenciale.

“Praktikisht ne në dhjetë vitet e fundit edhe nuk kemi ndonjë përmirësim të konsiderueshëm kur flasim për varfërinë. Deri në vitin 2002, përqindja e varfërisë rrotullohej nën 20 përqind, e pastaj, pasi ajo u rrit, rrotullohet në rreth 30 për qind, dhe çdo zvogëlim i këtillë minimal nuk ndikon aspak, gjegjësisht nuk tregon se ka ndryshim të konsiderueshëm të gjendjes”, thotë profesori universitar, sociologu Ilija Acevski.

Ajo që alarmon në mënyrë plotësuese është thellimi i varfërisë te familjet me shumë fëmijë. Në fakt, sipas statistikës, ka 147.578 amvisëri me dy fëmijë më të vegjël se 14 vjet. Në krahasim me vitin 2012, numri i këtyre familjeve të varfëra është rritur për pothuajse 6.500 familje të reja. Ja se sa është përqindja e varfërisë te një pjesë e amvisërive sipas numrit të anëtarëve: te familjet me dy të rritur dhe dy fëmijë ajo është 24,8%, varfëria më e theksuar është te familjet me shumë fëmijë, me dy të rritur me tre ose më tepër fëmijë të përkujdesur, edhe atë 49,9%, pastaj përqindja e varfërisë në familjet me një prind të vetëm që përkujdeset për fëmijët është 29,9%. Përqindje më të ulët të varfësisë ka te personat që jetojnë vetë ose te familjet që nuk kanë fëmijë.

Këto të dhëna, sipas siciologëve, tregojnë se politikat aktuale, të cilat shpeshherë janë të ngjyrosura dhe me propagandë, vështirë japin rezultate.

“Te familjet katëranëtarëshe, të cilat konsiderohen si më të shumta, kryesisht ka nga një të punësuar dhe ai është me të ardhura të ulëta. Këto familje, veçanërisht ato me fëmijë të moshës prej 10 deri në 17 vjet, kanë edhe harxhime më të mëdha për shkak të nevojave më të mëdha të fëmijëve, përkujdesjen dhe arsimin e tyre. Ajo është kategoria më e lëndueshme e qytetarëve”, sqaron sociologu Acevski.

Nga ana tjetër, që t’i stimulojë familjet me shumë fëmijë, të cilat shpeshherë janë edhe në listën e shfrytëzuesve të llojeve të ndryshme të ndihmës shtetërore, përveç asaj se këtë vit qeveria vendosi ta rrisë ndihmën për 10%, realizoi edhe program për financimin e këngëve që kanë për temë familjen dhe familjet me shumë fëmijë, me tematikë historike dhe këngë për fëmijë. Për këtë qëllim, qeveria publikoi se do të ndajë pesë milionë euro në periudhë prej dhjetë vitesh.

A ka zgjidhje për varfërinë…

Matja e fundit statistikore tregoi se edhe më tej përqindje më të lartë të varfërisë ka te kategoritë më të lëndueshme të qytetarëve, te të papunësuarit, prej 43,7%, me atë që ka zvogëlim në krahasim me gjendjen në vitin 2012. Nga ana tjetër, nuk zvogëlohet përqindja e varfërisë te të punësuarit, e cila mbetet në nivel të njëjtë prej 11,1%.

“Për fat të keq trendi zgjat me vite, ndërsa Maqedonia asnjëherë nuk arriti të dalë nga ai rreth magjik i varfërisë dhe asnjëherë nuk arritëm që së paku t’u afrohemi standardeve të botës perëndimore.

Varfëria paraqitet në nivele dhe forma të ndryshme, me intensitet të ndryshëm, mirëpo si do që të jetë, vlerësimi dhe pasqyra e përgjithshme janë se ne akoma nuk arritëm as për së afërmi të ndërtojmë, gjegjësisht t’i ngjajmë, njëlloj shoqërie të pasur. Është interesante se ky trend i varfërimit tani paraqitet edhe si rezultat i largimeve të reja nga puna nëpër firma për shkak të krizës, mirëpo ky është vetëm një faktor i jashtëm, e gjithsesi, këtu ndikojnë edhe faktorët e brendshëm”, vlerësoi para do kohësh, sociologu Gjorgji Tonovski.

Ekonomistët dallojnë disa mënyra të çrrënjosjes së varfërisë: e para, të bëhet analizë strukturore nga ana e shtetit, me të dhëna precize për atë se cilat janë kategoritë e personave që janë të varfër në vazhdimësi, veçanërisht të bëhet analizë për ata që janë të varfër më shumë se një vit, dhe më pas do të fitohet përgjigje për karakterin dhe pozitën ekonomike të familjeve të cilave u përkasin ata njerëz. Hap i ardhshëm janë punësimet e reja, mirëpo jo në sektorin publik, por në atë privat, dhe pyetja e tretë ka të bëjë me shkallën e profesionalizmit, kualifikimeve dhe njohurive formale dhe joformale, të cilat duhet t’i posedojë i papunësuari, gjegjësisht, sipas ekonomistëve, duhet të ketë Strategji nacionale të shtetit për planifikimin e fuqisë punëtore sipas veprimtarive dhe degëve dominante, të cilat i përkrah shteti nëpërmjet formave të ndryshme të subvencionimit.

Sipas dokumentit “Qëllimet e zhvillimit të mijëvjeçarit” kushtuar Maqedonisë, mu këtë vit varfëria në vend duhet të redukohet në vetëm 9,5 për qind, përqindje kjo e cila, sipas sociologëve, mbeti vetëm projektim në letër.

Sipas njërit nga raportet e Bankës Botërore, numri i njerëzve në Maqedoni që jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë (që është parametër për definimin e varfërisë) në vitin 2012 është rritur në 140.000, me ç’rast shënohet rritje te ata që nuk mund t’i plotësojnë nevojat themelore jetësore. Sipas analizës, vetëm 5 përqind e qytetarëve disponojnë me 49 për qind të të ardhurave të vendit.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Qeveria e Maqedonisë bën ç’mos që t’i inkurajojë maqedonasit të bëjnë më shumë fëmijë dhe ta rritin natalitetin, ndërsa ju i lejoni kësaj Anetës të shkruaj artikull me të cilin tenton t’i frigojë shqiptarët nga farfërija dhe lindja e fëmijëve. Pse nuk e poston këtë artikull në ndonjë faqe maqedonase!!!

  2. Mjafte luajtet ne kurriz te Miletit dhe me hallet e Miletit. U shkolluat, banet biznese dhe u pasuruat ne kurriz tr Miletit
    DOREHEQJE QE RE GJITHE!

Back to top button