Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Althanit e vitit 1614 që ruhet në Bolonjë

Lexo pjesën paraprake: Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Paliniqit

Në bibliotekën e Universitetit të Bolonjës ruhet një koleksion i stolisur i quajtur Althan. Signatura e tij është Ms. Mars. Codes 103/II. Është shkruar në letër formati 18,5 X 14,2 cm. Ka fletë të numëruara dhe 157 pa numra. Tani nuk ka kopertinë, por duket se ka qenë me kopertinë të bukur. Skajet e librit janë të praruara. Faqja e titullit ka tekst që do të tregojë se kinse prifti Stanisllav Rupçiqi ka qenë drejtor i stemave në oborrin e perandorit Dushan dhe kinse ka përgatitur koleksion ku kanë qenë stemat e të gjithë banëve, princërve etj. dhe se edhe ky koleksion i Althanit është në të vërtetë kopje e këtij libri mjaft të vjetër që është gjetur midis librave të vjetër në bibliotekën e Sveta Gorës. Në faqen e dytë të titullit gjendet teksti i njëjtë vetëm në gjuhën latine. Në të vërtetë, ky tekst përmendet e përsëritet në shumë koleksione.

Pastaj përsëri vjen diçka si faqe titulli, në të cilën shkruan: “Stanislai Rubicich Libellus sanctorum partonorum et publicorum insigniorum regum e familiarum illustrium Illyrici imperu-Ex autographo fideliter descriptum anno 1614-Illibro e serito in lingua e caratteres shiavone e contiene 157 figure e armi miniate”. Mandej radhiten faqe të shënuara me numra romakë I—CLVLL.

Prej faqes VI fillojnë stemat me ngjyra. Më së pari jepen dhjetë stemat territoriale, e pastaj 147 stemat familjare. Këtu është interesante të nënvizohet se prej 147 stemave familjare, 33 e kanë luanin si emblemë, që do të thotë se luani si emblemë nuk ka qenë monopol vetëm i një vendi ose i një familjeje, por emblemë e përdorur shpesh. Titujt e stemave janë shkruar edhe me alfabet cirilik, edhe me atë latin.

Në fletën e fundit CLVII vetë notari e ka shkruar datën kur ka qenë regjistruar koleksioni. Prandaj ky koleksion ka datë mjaft të sigurt. Shënimi i notarit thotë : “ Datum Viennae ipso Conspetionis Beatissemae Mariae Virginis die qui est VIII Mensis Decembris. Ano Domini MDCXIIII”. Në të njëjtën fletë qëndron edhe përkujtimi se koleksioni është punuar e i është kushtuar kontit Althan, e pikërisht për këtë shkak edhe e quajnë koleksioni i Althanit. Prej këtij shënimi zyrtar shihet se koleksioni është punuar në Vjenë në vitin 1614 për feldmareshalin e ri – kontin Adolf Althanin dhe se ky koleksion ka qenë kopjuar prej ndonjë koleksioni më të vjetër që i dhënë notarit ta shohë.

Mihail Adolf Althani lindi në vitin 1574, e vdiq në Vjenë në vitin 1638. Në njëzet vitet e tij ishte kolonel. U dallua në luftërat kundër Perandorisë Osmane. Në vitin 1607 u emërua feldmarshal, kurse në vitin 1610 fitoi titullin kont. Ka qenë në misione diplomatike te sulltani në Stamboll dhe ka lidhur marrëveshjen për paqe në vitin 1627.[1]

Koleksioni i stemave të Althanit sipas numrit të stemave dhe mbarështimit të tyre, puthtohet plotësisht me koleksionin e Koreniq-Neoriqit të vitit 1595. Stemat janë vizatuar bukur me ngjyra të njëjta si te Koreniq-Neoriqi. Mbishkrimet e nënshkrimet janë në dy alfabete – cirilik e latin, e helmetat dhe elementet e tjera në stema janë të njëjta si te Koreniq-Neoriqi. Derisa përpiluesi i koleksionit të stemave Koreniq-Neoriq nuk ka ditur mirë alfabetin cirilik dhe ka bërë gabime, në koleksionin e stemave të Althanit mbishkrimet me alfabet cirilik janë të sakta. Por, megjithëkëtë, koleksioni i Althanit nuk ka qenë i kopjuar prej Koreniq-Neoriqit; po prej ndonjë koleksioni tjetër nga gjysma e dytë e shekullit XVI për shkak se drejtshkrimi dhe format e germave janë tipike për atë periudhë.

Për këtë shkak koleksioni i Althanit është i rëndësishëm si kopje më e saktë e prototipit të humbur dhe dëshmon se ka ka ekzistuar origjinali i koleksioneve ilire me mbishkrime më të sakta cirilike se sa megjithëkëtë, koleksioni i Althanit nuk është kopjuar prej origjinalit që gjendej sigurisht te Petar Ohmuçeviqi, po nga ndonjë i tretë që ka arritur në Vjenë në vitin 1614. Ky kopjim i tretë nuk ka qenë më i vjetër se gjysma e dytë e shekullit XVI, e kjo shihet nga germat dhe mbarështimi i stemave, si edhe nga plani i përgjithshëm i koleksionit që është bërë sipas koleksionit të Virgilie Solies të vitit 1555. Koleksioni i Althanit është i rëndësishëm edhe për shkak se megjithëse në të shkruan se e ka përpiluar prifti Stanisllav Rupçiq, kinse në vitin 1343 prej ndonjë dorëshkrimi më të vjetër që qenka ruajtur në Sveta Gorë, ky koleksion edhe një herë dëshmon se nuk kaekzistuar asnjë Stanisllav Rupçiq dhe se punimi i stemave filloi rreth vitit 1584 kur admirali Petar Ohmuçeviqi ka kërkuar prej autoriteteve spanjolle vërtetim për fisnikërinë e tij[2] dhe se prej asaj kohe janë bërë definitive dhe të qëndrueshme stemat territoriale të popujve ballkanikë.

Figura 6. Stemat shqiptare
Figura 6. Stemat shqiptare

Në faqen XLII të këtij koleksioni gjendet stema e Dukagjinëve (fig. 6). Në fushën e verdhë është shqiponja e zezë me fletë të hapura. Koka e shqiponjës është kthyer në të majtë. Mburoja ka formë katrore ose spanjolle  përkundrejt  të gjitha mburojave të përmendura deri tani që kishin formë trekëndëshe e varjaze të mburojës. Mbi kokën e shqiponjës gjendet kurora e vogël e verdhë. Mbi mburojë, pak në të majtë, është vendosur një helmetë që ndryshon nga helmetat e stemave të mëparshme. Helmeta është e ngjyrosur me ngjyrë të kaltër të çelët, kurse sipas dispozitave heraldike duhej të kishte ngjyrë plumbi, respektivisht të tregojë hekur. Në helmetë ka kryq të verdhë e edhe një kryq më të vogël të zi. Nga të dyja anët e helmetës së mburojës lëshohet një japonxhë, përkundër stemave të mëparshme që kanë vetëm drapri të larguar prej mburojës. Mbi helmetë gjendet kurora mbretërore e artë, e në të shqiponja e verdhë me fletë të hapura. Nën stemë nuk ka as shirit, as shënim, kurse te stemat e mëparshme të Dukagjinit ka edhe shirit edhe shënim në të.

Pra, kjo stemë ndryshon bukur fort prej stemave të mëparshme. Ndryshimet qëndrojnë në mburojë, japonxhë, mbishkrim dhe në imtësi të tjera që i përmenda.

(Vazhdon)


[1] Solovjev, Prinosi, 105. Allgemeine Deutsche Biographie, B.I., Leipzig 1875, 366.

[2] Solovjev, Prinosi, 108.

Lajme të ngjashme

Back to top button