PALESTINIZIMI

Mëngjesi i të shtunës së kaluar, hotel “Marta”, Cyrih. Dita e fundit e qëndrimit në Zvicër si pjesëmarrës në konferencën “Kultura e parë, kultura e dytë dhe interkultura”, kur shigjetonim relaksimin. Por me t’u gdhirë herët, pas lutjes, i hodha një sy celularit dhe para më doli “apokalipsa” e këtyre ditëve, përplasjet e përgjakshme në Kumanovë. Dhe gjithë ditën, derisa vrisnim kohën rrugëve të këtij qyteti të mirëqenies duke pritur pasditën e fluturimit dhe derisa arritëm në aeroportin e Shkupit mendja e goja silleshin e vërtiteshin, “atje ku dhemb dhëmbi”. Bisedojmë me dy koleget, të shtangur, pa oreks, të rrëxuar përtoke. Hej, thash me vete, ç’është ky fat i zi kështu? Në vitin 2001 zbrisja nga avioni dhe u dha kumti se kriset në Tetovë, sot prapë vij nga jashtë dhe kriset në Kumanovë. Supersticionet janë patologji, por ama e vërteta në terren më çon të pyes veten: Deri kur do zbresim nga avioni ma lajmin se “ia nisi lufta”.

Maqedonia, në bazë të asaj që po i ndodh viteve të fundit si duket po bëhet objekt edhe një atribuimi deprimues, palestinizimit. As në Bosnjën e “gjakut gjenocidal” nuk ka kaq shumë ndodhi lemeritëse si në këtë cep të Ballkanit, në këtë jug të “një shtetit dhe dy shoqërive”. Rasti i fundit, ai i Kumanovës, pa marrë parasysh skenaret e imagjinuara dhe shpjegimet e dhëna, nga teoritë e komplotit deri te “kapja në befasi” e pushtetarëve tanë që s’dinin gjë prej gjëje (!) edhe një herë na bindi se punët në këtë shoqëri kanë marrë teposhtëzën. Edhe optimistët më të mëdhenj tani më po humbin shpresën për një të ardhme më të mirë në këtë tokë. “Aty ku na ka rënë koka” gjithnjë e më shumë po tërbohemi nga konteksti i absurditeteve që na ndodhin. Kush mundte ta imagjinojë se 24 vjet pas Vukovarit do të prodhohen pamje tëpkë si ato të qytetit kroat fantazmë. Vërtet kanë të drejtë ata që pyeten, si ka mundësi që sërish të na ndodhin grupet e armatosura, gjaku, vrasjet, forcat speciale, autoblindat, helikopterët? Pa marrë parasysh skenaret, një gjë është e qartë: ky vend po përjeton trauma të rënda. Të vëresh skena të tilla, të dëgjosh zëra të luftës para agut, me familje, fëmijë, pleq, foshnja vërtet është për të thënë “Phuu”, “në dreq të marrë të paça shtet, juve politikanë e prijës!”. Cila kujtesë mund t’i harrojë çastet e krismave, të predhave? Për një çast mendoj sa të pezmatuar jemi si banorë prej krismave të “dëfrimit shqiptarçe” në dy restorantet e dasmave në vendbanimin tim gjatë verës? Po këta njerëz që e përjetuan këtyre ditëve “aksionin” policor? Si do ta kthejnë motivin për ditë më të mira? Cili kurbetqar do ketë vullnet të vë themel a të hapë ndonjë biznes në një vend ku ndodhin “Monstra” e “Kumanova”? Cili i ri do të ketë shpresë t’i thotë “stop” vetes para ofertave për europeizim “me letra” e “pa letra”. Me një mik-profesor kumanovar, Shpëtimin, pas ndodhisë mes tjerash kontekstin e ndërlidhëm edhe me këngën e famshme të grupit the Clash, “Should I stay or should I go!” (Të rri apo t’ia mbath!)

Nëse vazhdohet me këtë kurs të palestinizimit, në kuadër të të cilit shqiptarët dalin si “pala agresive”, “terroriste”, ndërsa maqedonasit si “viktima dominante”, e cila është e detyruar që përmes shtetit ta mbrojë shtetin dhe “paqën e njëanshme”, ky vend do vazhdojë të qëndrojë në këmbë të qelqta dhe të segmentarizohet edhe më tej. Palestinizimi është skenari më i keq i mundshëm për këtë vend.  Krijimi i një tabloje të shqiptarit si “problemi” i Maqedonisë dhe tendencat për t’i mbajtur ata gjithnjë si “një e keqe e pashmangshme”, të cilën duhet disi akomoduar sjell reperkusione të shumta. Kryesori është vulnerabiliteti i stabilitetit të këtij vendi që dita ditës po bëhet pjesë a agjendës parake të mediave globale si zonë e “tendosjes permanente”, e “radikalizimit”, e politizimit të gjithçkaje. Në periudhën paragrueviste ka pasur një distancë etnike, por ama nuk ka pasur një kurs të këtillë të ndodhive ku është luajtur me diversitetin. Sot mund të thuhet se Maqedonia dalëngadalë po shndërrohet në një Lindje të Mesme e vogël, ngjashëm siç e përshkruan Alan Dowty (1998) gjendjen në Palestinë e Izrael, “ringjallja nacionaliste tregohet në mënyrat integrative dhe ndarëse të sjelljes”, pra integrim dhe mbyllje në guacë dhe ndarje e largim prej “palestinezëve/izraelitëve” tanë. Ndërkohe tek shqiptarët paraqiten dy taborre “akomodacionistët” dhe “refuzuesit”, ata ë thuan se megjithatë në këtë shtet mund të jetohet dhe duhet të mundohemi ta ndryshojmë gjendjen, dhe të dytët, ata që thuan se “këtu s’bëhet mirë”, “ky shtet s’është yni dhe s’bëhet kurrë”. Shiko përpjetë shumë lart, shiko teposhtë, shumë thellë. S’di ç’të thuash. Prapë, i themi vetes: Duhet hapur një faqe të re. Prej diku vjen një zë tjetër: Deri kur kështu, hap një faqe e shkarravit? Kujt t’i mbështetemi e kujt t’i besojmë? Marrëveshje sociale pati. U shkel. “Shpëtimtarët” na erdhën, u degraduan sa s’bën. Të vegjlit e politikës, ende “jeshilë”. Sipas prestigjiozes Foreign Affairs (10 maj 2015), Maqedonia po kalon krizën më të keqe politike qëkur ekziston! Përpjekje për të dalë nga kriza ka, por neve shqiptarëve s’na e mbushin mendjen as fjalët e mëdha të shpalosësit të “bombave” antiqeveritare, të atij që flet marrëdhënie të relaksuara dhe mpleksje multikulturore. Jemi djegur nga qumështi, i fryjmë kosit. Politikanëve ju drejtohem me: “Please, don’t palestinize us!” (Ju lutem mos na palestinizoni!) Dhe shpresën për shmangien palestinizimit e kam te “Qielli me yje mbi ne dhe te ligji moral në ne” (Kant).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button