Hasani: Edhe Kumanova ka mundur të zgjidhet si Vaksica në vitin 2003 – me dialog!

Ish deputeti i Kuvendit të Maqedonisë dhe ish mjeku i luftës së 2001 në anën e Kumanovës dhe Likovës, dr. Fatmir Hasani, Ekskluzivisht për Portalb.mk ka komentuar momentin e nxehtë që lidhet me rastin e Vaksicës në vitin 2003, i cili rast ka mundur të ketë një epilog tragjik si ai i Kumanovës në Lagjen e Trimave, por për fat të mirë në Vaksicë negociuan në momentin e fundit, duke shmangur një tragjedi të madhe.

“Unë besoj se edhe në Vaksicë po të mos ndërhynim ne, para së gjithash unë si deputet në atë kohë me disa shokë, pasojat do të ishin të paparashikueshme, posaçërisht, duke e pasur parasysh skenarin që ishte përgatitur në atë kohë për likuidimin e grupit të luftëtarëve shqiptarë nga ana e pushtetit maqedonas të asaj kohe. Sepse, këtu gjithçka ishte e përgatitur për t’i vrarë të gjithë. Edhe ne kur mbërritëm, policia maqedonase na ndaloi në hyrje të fshatit Vaksicë, në orët e pasmesntaës, por pasi kërkova ndihmë nga kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Lupço Jordanovski, ata na liruan, pastaj bëmë të pamundurën që të negociojmë me grupin e luftëtarëve shqiptarë dhe arritëm që ta evitojmë eskalimin e konfliktit luftarak dhe viktimizimin e njerëzve. Pra, ne, në Vaksicë nuk lejuam të ndodhë ajo çfarë ndodhi në Kumanovë. Për fat të keq, kjo tregon se qeveria maqedonase nuk u tregua e gatshme për dialog. Fundja, pushtetarët maqedonas ende nuk janë në gatshëm ta pranojnë realitetin në këtë shtet për barazi me shqiptarët. Kjo mendësi e politikës zyrtare maqedonase e ndihmuar edhe nga pushtetarët shqiptarë nuk është duke punuar në interes të Maqedonisë dhe kjo ka bërë që gjithnjë pushteti të shërbehet me gjuhën e dhunës. Kjo, flet edhe për atë se sa i papërfillshëm është subjekti shqiptar në koalicionin qeveitar.

Ky nuk është një qëndrim i ashpër i imi, por kjo është e vërtetë, sepse kjo politikë e refuzimit të kërkesave të shqiptarëve për barazi me maqedonasit gjatë kohë është duke ardhur në shprehje në Maqedoni dhe se tashmë ka arritur kulminacionin. Duke vepruar kështu, pra duke injoruar të drejtat kombëtare të shqiptarëve që janë të garantuara, Maqedonia nuk do të mbërrijë askund. Pushtetit maqedonas i dhemb fakti se Maqedonia duhet të marrë parasysh se kombi shqiptar është shtetbërës, kurse vazalët shqiptarë në qeveri nuk duhet t’i shesin interesat madhore kombëtare.

Versioni zyrtar i qeverisë maqedonase për ngjarjen e Lagjes së Trimave është kontradiktor në shumë mënyra, sepse ai tregon se nuk është bërë asnjë përpjekje për të negociuar me grupin e luftëtarëve shqiptarë, por as edhe nuk është ndërmarrë asgjë që paraprakisht të evakuohet popullata civile. Vlerësimi i përgjithshëm është se qeveria maqedonase ka shikuar vetëm demonstrimin e forcës me një arsenal të paparë luftarak.

Unë jam nga ata të cilët nuk hezitoj për të insistuar se është më mirë “për të bërë njëqind vjet negociata se sa një ditë luftë”, në mënyrë që të arrihet një ndryshim në qoftë se kjo është e mundur. Por, fatkeqësisht në mendjet e pushtetarëve maqedonas dhe disa politikanëve tanë ekziston bindja se këtu nuk kanë se çka të kërkojnë shqiptarët më tepër sepse është bërë Marrëveshja e Ohrit. Në fakt, ashtu duhet të jetë, por sikur harrojnë këta shkurtpamës se kjo marrëveshje asnjëherë nuk arriti të realizohet. Prandaj, çdo gjë që vjen nga ana jonë, si dhe zgjidhjet që çojnë në barazi dhe në prosperitetin e ardhshëm, nuk i pranon pushteti maqedonas.

Për Maqedoninë nuk ka gjë më të rrezikshme se sa loja me zjarr, ashtu siç ndodhi në Lagjen e Trimave. Sa më parë që pushteti maqedonas t’i respektojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve aq më mirë do të bëhet për të ardhmen e Maqedonisë. Në të kundërtën, Maqedonia do të përmbyset në batakun e politikës së saj denigruese”, thotë Hasani për Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button