Edhe shqiptarët dalin masivisht në protestën e madhe në Shkup

Në rrjetet sociale, shqiptarët e Maqedonisë, janë duke bërë thirrje që sa më shumë të dalin sot në rrugët e Shkupit për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë së Gruevskit. Daljen në rrugë për ta rrëzuar Gruevskin thuhet se e mbështet edhe Qeveria e Shqipërisë edhe kjo e Kosovës.

Sot, bashkërisht, shqiptarët dhe maqedonët, për herë të parë, pritët të dalin në rrugë për një kauzë të njëjtë: rrëzimin nga pushteti të Kryeministrit autoritar, Nikola Gruevski, i cili dyshohet për shumë krime të kryera gjatë qëndrimit të tij në krye të Qeverisë.

Gazeta Express mëson se shqiptarët e atjeshëm tashmë kanë marrë instruksionet e duhura prej qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që të janë pjesë e protestës.

Përndryshe protesta është thirrur nga opozita e Maqedonisë, gjegjësisht LSDM e Zaev’it. Ky lider opozitar ka muaj që ka filluar publikimin e audio përgjimeve diskredituese për Qeverinë Gruevski. Të gjitha këto përgjime të publikuara flasin për krime monstruoze të kësaj qeverie – për korrupsion të përmasave pandemike.

Protesta zhvillohet sot në Shkup dhe e njëjta vjen një javë pas dhunës së Kumanovës, ku u vranë tetë policë maqedonas dhe mbiu 10 shqiptarë kryengritës.

Mediat më serioze botërore po raportojnë se kjo dhunë ka mundur të ketë qenë e inicuar nga vet Gruevski, për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga korrupsioni, si dhe për të parandaluar protestën e sotshme. /GazetaExpress

Lajme të ngjashme

Back to top button