VIJMË

…në protestë më 17 maj

VIJMË që të dëshmojmë vetëdijen se liria e të jetuarit nuk vjen në tabaka, nuk bie nga qielli si shi që zbut thatësinë, nuk dhurohet e mbështjellur me kordele për ditë feste. Liria, siq na mësonin në orët e historisë dhe siq na e dëshmon çdo ditë e jetës është e shtrenjtë, prandaj lyp angazhim dhe aktivitet, lyp sakrifica dhe shumë zëra në njëjës. Vetëm kori i unjësuar që zëshëm dhe këmbëngulësisht pretendon një rreth jetësor mentalisht më të pastër mund ta ngulfat krokatjen e atyre që ambient natyral i kanë kënetat dhe ujrat e turbullta.

VIJMË për të gjithë fëmijët tanë që kanë nevojë për edukim me shembull personal: prindërit që ditën e diel do jenë atje ku i thërret zëri i arsyes e kanë më kollaj ti mësojnë trashëgimtarët e vet se gjërat e vlefshme në jetë kanë çmimin e lartë prandaj edhe janë të vlefshme.

VIJMË për të gjithë të rinjtë që ëndërrojnë ta lëshojnë vendin ku kanë lindur pasi nuk shohin dritë aty ku ka kapluar terri i diskriminimeve dhe shkeljes së dinjitetit edhe të individit edhe të kolektivit.. Këtu edhe më të mirët dëshirojnë që dhuntinë e vet dhe rezultatet e vetëmohimit ti realizojnë diku larg në ndonjë vend të premtuar ku ato vlera çmohen, vlerësohen si kapital që shpie përpara dhe materializohen. Edhe pa anketime e sondazhe të opinionit publik të brezit të ri dhe brezit jo aq të ri por që ende ndihet i gashëm për ndryshime e dijmë se pjesa dërmuese janë të lodhur nga atdheu i tyre.

VIJMË për të gjithë të zhgënjyerit që nuk arrijnë të konkretizojnë dëshirën e vet njerëzore për jetë normale, vend pune dhe egzistencë prej djersës; për të gjithë ata që e kanë provuar në lëkurën e vet se këtu kriter katapultimi është dëgjueshmëria e jo aftësitë.

VIJMË pasi politika dhe patriotizmi me mikrofon tash sa kohë janë bërë biznesi më fitimprurës, nga e cila kanë levërdi një grusht njerëzish kurse humbin gjithë të tjerët.

VIJMË për të ngritur zërin kundër agresivitetit, nënçmimeve dhe poshtërsimeve të “taborit tjetër” që kishim mundësi ti përcjellim gjatë muajve të kaluar: i dëgjuam me veshët tanë se deri ku janë të gatshëm të shkojnë për të ruajtur kolltuqet, privilegjet dhe përpjekjet e mëtejme për mashtrimet optike.

VIJMË për të apostrofuar ngulfatjet e zërit kritikisht të intonuar kundër padrejtësive dhe simulimit të demokracisë, kundër stigmatizimit të atyre që mendojnë ndryshe si dhe  kategorizimit të armiqëve të keqpërdorimeve publike si “armiq të vendit”. Për të të shpallur armik këtu mjafton të mendosh me kokën tënde dhe ta thuash të vërtetën tënde që dallon nga krokama moçalike.

VIJMË pasi gjërat e çmuara vetë nuk vijnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button