Shkëndija përsëri prek Evropën

Fitorja e të martës 1:0 përballë Vardarit dhe humbja e Renovës 0:1 nga Sileksi, skuadrës ‘kuqezi’ përfundimisht i siguroi pozitën e tretë në renditje dhe pjesëmarjen në eliminatoret e Liga Evropës. Kështu, skuadra ‘kuqezi’ edhe në vitin e dytë nën sponsorizimin e kompanisë ‘Ecolog’ arrin të kapë zonën evropiane. Nëse vitin e kaluar ekipit i duhej të presë xhiron e fundit dhe epilogun e duelit Bregallnica-Vardari në Shtip për të kapur pozitën e 4 e që garantonte Evropën pasi Kupa e Maqedonisë fitohej pikërisht nga kampioni Rabotniçki, tani ekipi shkon një hap përpara dhe dy xhiro para fundit të sezonit siguron pozitën e tretë në renditje me 9 pikë të paarritshme nga skuadra e vendit të katërt Renova.

Ndoshta pritjet ishin më të mëdha, është fakt që të gjithë dëshirojmë titullin, mirëpo gjithashtu është fakt se për momentin ekipi ec saktësisht sipas planit paraprak të drejtuesve. Që në momentin që kompania ‘Ecolog’ pranoi të merrte përsipër menaxhimin e Shkëndijës, u premtua ndërtimi i një ‘Shkëndije Evropiane’ që do të realizohej hap pas hapi. Vitin e kaluar Evropa u kap në ‘sekondën e fundit’ dhe vetëm falë rregullës së fituesit të Kupës, ndërsa tani Shkëndija nuk varet nga askush dhe falë punës dhe rezultateve të saj arrin të sigurojë Evropën. Kalimi i të paktën një xhiroje në Evropë është synimi i rradhës për Shkëndijën. Kujtojmë se në 3 pjesëmarjet paraprake Shkëndija eliminohej që në pengesën e parë. Në vitin 2011 debutimi në Evropë ishte në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe përkundër paraqitjeve të mira, ‘kuqezinjtë’ munden 4:0 në Beograd nga Partizani dhe 0:1 në Shkup.

Një vit më vonë falë vendit të tretë në renditje vjen paraqitja e parë në eliminatoret e Liga Evropës dhe ekipi mori barazimin e parë historik 0:0 në Kumanovë me Portadaunin e Irlandës së Veriut, ndërsa u eliminua pas disfatës 2:1 në transfertë. Gjithsesi kjo paraqitje solli diçka historike për Shkëndijën. E para ishte barazimi, ndërsa e dyta goli i parë në Evropë që do të vinte në ndeshjen e katërt me autor Ardian Cuculin. Në vitin 2013 Shkëndija mbeti jashta Evropës në moment të fundit kur humbi me penalti finalen e Kupës me Teteksin, disfatë që do të sillte klubin në buzë shkatërrimit e që do të shpëtohej nga hyrja e kompanisë Ecolog.

Errërat e reja që frynë në skuadër sollën pjesëmarjen e tretë në Evropë ku përkundër eliminimit të pafat nga Zimbru i Moldavisë, Shkëndijës do t’i sillnin sukses personal. Në Shkup ‘kuqezinjtë’ morën triumfin e parë evropian duke fituar 2:1 me golat e Bojan Vruçinës dhe Ivan Mitrovit, ndërsa eliminohen vetëm falë një goli të pafat të pranuar në Shkup, pasi në Shisinau vendasit fituan 2:0. Mirëpo Shkëndija tani mund t’ia shohë ‘hajrin’ asaj fitoreje në Shkup dhe barazimit me Portadaunin në Kumanovë që ekipit i japin pikë evropiane dhe pak fat skuadra në short mund të gjendet në grupin e favoritëve për raundin e parë eliminator. Nëse kjo ndodh, atëherë përballë do të ketë skuadër më modeste që mbase mund të kalohet dhe për herë të parë në histori Shkëndija të shkojë në raundin e dytë eliminator. Gjithsesi për këtë ka kohë, pasi ekipi ka edhe dy ndeshje deri në mbyllje të sezonit.

Qëllimi për pjesëmarrje në Evropë u arrit, ndërsa skuadra duhet të tentojë të vazhdojë serinë e fitoreve që zgjat në 5 xhirot e fundit. E para në këtë drejtim është transferta me Rabotniçkin të shtunën në Shkup, ndërsa më pas sezoni mbyllet përballë Metalurgut.

Lajme të ngjashme

Back to top button