Britani, burg përjetë marinsit

Rreshteri i Marinës Mbretërore, Alexander Blackman është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë ushtarake britanike për vrasjen e një rebeli në Afganistan.

Blackman, 39 vjeç nga Tauntoni, ka marrë nga trupi gjykues mesazhin se do të kalojë të paktën 10 vjet në burg. Vendimi vjen pavarësisht se një nga oficerët më të lartë të marinës britanike tha se Blackman ishte ndikuar nga impakti i luftës.

Toger-kolonel Simon Chapman, në një letër dërguar gjykatësit dhe bordit të gjykatës ushtarake në Bulford, përshkroi se si karriera premtuese e Blackman ishte shkërmoqur nga një “gabim i momentit”.

Ditën e enjte, tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë hoqën anonimitetin që mbulonte identitetin e Blackman, duke nxjerrë emrin e tij të vërtetë. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes deklaroi se respekton vendimin e gjykatës.

“Ministria e Mbrojtjes ka ndjekur këtë proces të pavarur deri në momentin e dhënies së dënimit. Ne respektojmë autoritetin e vendimit të gjykatës dhe do të ishte e papërshtatshme ta komentonim atë”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Ky ishte procesi i parë gjyqësor ku ishte ngritur akuza e vrasjes ndaj një anëtari të forcave të armatosura britanike në lidhje me konfliktin në Afganistan, që filloi në vititn 2001. Gjatë tij, dy marinsa të tjerë u shfajësuan nga akuzat. 

Lajme të ngjashme

Back to top button