Parlamenti Studentor i USHT-së filloi aksionin humanitar nën moton “Me Kumanovën”

Nën moton ”Me Kumanovën”, Parlamenti Studentor i Universitetit Shtetëror të Tetovës gjatë ditës së djeshme filloi aksionin humanitar për t’u dalë në ndihmë banorëve të Kumanovës, të cilët pësuan nga përleshja e armatosur më 9 dhe 10 maj, në “Lagjen e Trimave”. Iniciativës së Parlamentit Studentor të USHT-së iu bashkëngjitën drejtuesit e USHT-së, Rektori, Prof. dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm,  jur. i dipl. Adem Beadini, administrata e Rektoratit, administratat e fakulteteve, stafi akademik dhe studentët e USHT-së.

DSC_9967

Kryetari i Parlamentit Studentor të USHT-së, Ardian Bilalli theksoi se qëllimi i këtij aksioni humanitar është që sado pak edhe ne studentët të kontribuojmë në grumbullimin e mjeteve financiare për banorët e Kumanovës, të cilët fatkeqësisht nga konflikti që u zhvillua në “Lagjen e Trimave”, përjetuan ditë të vështira, pasi përveç viktimave që pësuan,  u shkaktuan edhe shumë dëme të mëdha materiale nëpër shtëpitë e tyre. “Ne si Parlament Studentor i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prej sot kemi filluar me aksionin humanitar për t’u dalë në ndihmë këtyre banorëve të Kumanovës.

Duke pasur parasysh faktin se në vendin që u zhvilluan përleshjet e armatosura, respektivisht në “Lagjen e Trimave”, jetojnë shumë kolegë tanë, pra studentë të fakulteteve të ndryshme të USHT-së, por dhe shumë familje shqiptare, ne si studentë vendosëm që të ndajmë dhimbjen bashkë me ta dhe në këto ditë të vështira, të solidarizohemi me ata dhe t’i ndihmojmë me mundësitë tona. Dua t’i falënderoj të gjithë ata të cilët kanë kontribuar me të holla deri më tani dhe shpresoj se edhe ditëve në vijim interesimi për t’i ndihmuar banorët e Kumanovës do të rritet. Apeloj deri tek studentët, profesorët dhe të gjithë qytetarët  që janë të interesuar të ndihmojnë me mjete financiare, që ditëve në vijim të vijnë në hapësirat e fakulteteve të USHT-së dhe të kontribuojnë me aq sa kanë mundësi, pasi që tani më, të gjithë solidarizohen me Kumanovën dhe njëherit Ju shprehim ngushëllime të gjithë qytetarëve të Kumanovës, përkatësisht qytetarëve të “Lagjes së Trimave”, për tmerrin që përjetuan fundjavën e kaluar”, tha Kryetari i PS-USHT-së, Ardian Bilalli.

DSC_9943

Nga Parlamenti Studentor i USHT-së theksuan se aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, dhe do të ketë pika grumbullimi nëpër hapësirat e të gjithë fakulteteve të USHT-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button