Letër drejtuar kolltukofagëve: Aliut, Menduit dhe të tjerëve

Të kesh qejf të lexosh dhe të dëgjosh mendjet e mëdha të kombit tonë. Më i madhi ndër to, Fan S. Noli. Të nderoj o Fan, edhe më vjen keq që nuk ekziston mundësia të takohemi sot e të diskutojmë për shqiptarët. Ashtu si ti i ke përshkruar ata në 1923, të tillë kanë mbetur edhe sot, në mos më keq. I pavdekshëm mbetesh, sepse e pavdekshme fjala jote. Megjithëse jam I sigurtë që do kishe dashur t’i shohësh më mirë sot.

Noli dallon tek shqiptarët konfuzionin, si pasojë e mbizotërimit të pesë gjendjeve anarkike në popull dhe politikë: anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike dhe anarkia e idealeve. Anarkia fetare rrjedh nga fakti që nuk kemi një fe të definuar si popujt tjerë, por i kemi të trejat. Morali kaleidoskopik i joni ndërron nga dita në ditë dhe sipas nevojave dhe ambicieve momentale. Ku i padituri i di të gjitha, dhe i pazoti është i zoti për gjithcka. Popull pa definim social, s’dihet kush është agë e kush është bujk. Shembull Noli përmend partinë popullore që mbahet në pushtet nga bejlerët edhepse e majtë. Anarkia patriotike ku tradhëtori brenda nate bëhet patriot, dhe anasjalltas. Ku, sipas Nolit më mirë të jesh tradhtar e të shohësh punën tënde, sepse kështu do të jesh I sigurtë që nesër do të proklamohesh patriot i madh. Anarkia e pestë, anarkia e idealeve ku ndeshen idealet e errëta të lindjes me Idealet e ndritura të Perëndimit dhe ku mungojnë vetëm idealet e antropofagëve (kanibalëve), por të zëvendësuara me kolltukofagët.

Kolltukofagët – një specie kanibale, në formë krimbash të verdhë me kokë të zezë që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpusha që nuk mund t’i shqisësh nga trupi i shqiptarëve vetëm nëse jua pret të gjitha gjymtyrët bashkë me kokën që të mos kenë se me cka të mbahen për trupin e kombit.

Sot në mëngjes më bëri përshtypje deklarata e Abdylaqim Ademit. Pompozant, kryelartë, I bindur ndaj urdhërave të kryekolltukofagut, liderit të vet. Mbani pozicionet deri në vdekje. Ndërkaq që këta të liderit të madh, Gruevskit filluan të humbin kokat me idolatrim të pastorit të madhërishëm, Abdylaqimi kategorik: Nuk kam ndërmend të jap dorëheqje, as unë e asnjë ministër tjetër shqiptar. E dijmë i nderuar. Dihen pozicionet tuaja qëmoti. Do mbeten kolltukofagë deri në fund. Pushtet dhe kolltuqe! Anarki idealesh, në formën e vet më të vrazhdë. Shpresa ime e vetme është që t’ju ndodhën populli dhe t’ju tregojë vendin e tyre në histori, të mbeten e kaluar.

Pyetem si është e mundur që asnjë politikan shqiptar të mos mbajtë përgjegjësi, të paktën morale, për atë cka ndodhi në Kumanovë? Për aksionin e keqorganizuar të policisë, për dëmet materjale që ju shkaktuan atyre familjeve shqiptare, për ekzodusin që do të pasojë, për traumat dhe për të vdekurit… motive ka sa të duash. Moral ka pak, edhe ai i paktë është kaleidoskopik. Është e vërtetë që Jankullovska dhe Mijallkov nuk dhanë dorëheqje shkaku i luftës së Kumanovës, sepse një gjë të tillë nuk e deklaruan në letrat e tyre dorëheqëse. Por e vërteta është që zëvendësministër i policisë është shqiptar, që drejtora në UDB-ënë e Maqedonisë janë shqiptarë. Pse asnjëri prej tyre sot nuk dha dorëheqje? Pse nuk doli asnjë lider shqiptar dhe të kërkojë përgjegjësi materiale, penale dhe morale nga të involvuarit në krimet e të shtunës?

Pyetem si është e mundur që partia e dalë nga lufta, të mos ketë intervenuar më përpara tek këta komandantë të vetë që të mos e kriminalizojnë imazhin e luftës së 2001-shit? Pse patriotët e djeshëm sot të perceptohen si kriminelë? Pse asnjë fytyrë politike nuk mban përgjegjësi për këtë krim historik?

Pse opozita shqiptare, del me tezën se këta na paskan qenë luftëtarë për lirinë e shqiptarëve në Maqedoni, nëse ishte po ai lider politik i cili në 2001 ishte i pari që etiketoi UCK-në si banditë dhe terroristë? Nuk dua të komentoj lidhur me motivet e atyre njerëzve që bënë luftë atë ditë në Kumanovë, sepse verzionet janë të shumta. Mund të jenë luftëtarë lirie (mesa duket të tillë kanë qenë gjatë 2001-shit), ose mund të jenë tradhtarë. Si thotë Noli, anarkia patriotike tek shqiptarët është e theksuar: ai që dje ishte patriot, sot është tradhtar.

E pështirë o Fan, të qenurit shqiptar sot. Qenkam i lodhur për të dhënë udhëdalje nga ky mut që na ka mbuluar. Sot dua të shfryj. Të shtyen të mos e duash kombin tënd, këta kolltukofagë që meritojnë sarkofagun politik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button