Dhe përsëri erdhi pranvera e grymosur

 

Erdhi pranvera e grymosur
mbi shkëlqimin e shikimit tënd të ngrirë
dhe çelën trëndafilat
kuq
kuq
kuq.
Këtë pranverë mbuluar ploje e lot,
luluan trëndafilishtet ngjyrë gjaku,
mes zhurmës e tërbimit
pa lavde njerëzish.
Ca kortezhe shpërndaheshin
e nëna nxorri vigmën
që u fut në vesën e trishtimit
mes – përmes faqeve të trëndafilta
të nimfës vogëlake
të tretshme në ankth.
Në kokën e saj
lëbardheshin petalet
e një trëndafili.
Eh,
ajo përgjithmonë
gjatë rritës,
s’do t’i shikoj lodrat e së nesërmes
nga brenga për kukullën torzo
për zogjtë që i iknin pranverës
drejt një çerdheje tjetër,
larg ngjyrës së shkrumbuar të trarëve latuar
dhe koncertit shurdhues të plumbave
që çanin qiellin copë-copë
dhe shëmtonin pranverën e hirtë
mbi petalet e kuqe të shtrira,
brenda verandave të djegura.
Poezi nga Puntorie Ziba

Lajme të ngjashme

Back to top button