Reka: Tre faktorë e shkaktuan krizën në Maqedoni

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, Blerim Reka, ka folur për shkaqet që quan në tragjedinë e Kumanovës.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se zhvillimet e fundit në Kumanovë janë pasojë e një krize si rrjedhojë e ndërlidhjes të së paku tre faktorëve. Reka ka vlerësuar se në këtë gjendje Maqedonia ka ardhur si pasojë e krizës së brendshme politike që ka të bëjë me përgjimet telefonike, kontekstin ndërkombëtar që lidhet me pozitën gjeopolitike të këtij vendi si dhe me implikimet rajonale që kanë të bëjnë me ndikimin e Serbisë në politikën maqedonase.

“Faktori i parë është kriza kontinentale politike e brendshme në Maqedoni, e cila kulmoi në katër muajt e fundit me skandalin e përgjimeve dhe përplasjeve pozitë-opozitë, të cilat nga java e kaluar filluan të shprehen edhe me demonstrata para Qeverisë së Maqedonisë, me kërkesat për dorëheqjen e saj”, ka thënë Reka.

Faktori i dytë, që ka ndikuar në këtë krizë, sipas profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, lidhet me pozitën gjeopolitike të Maqedonisë si kyçe e korridoreve pan-evropiane. “Ne Maqedoni kryqëzohen dy trajektoret gjeostrategjike: vertikalja me horizontalen. Po aq Maqedonia ka edhe pozitë kyçe gjeo-energjetike, sepse gazsjellësi i ri rus i ‘krahut turk’ nuk do të mund të arrijë në Serbi (dhe nga atje në Hungari – për tregun e BE-së) pa kaluar nëpër Maqedoni”, është shprehur ai.

Më tutje, diplomati shqiptar nga Maqedonia ka shtuar se ndërlidhur me kontekstin ndërkombëtar janë edhe implikimet rajonale.

“Këtu kam parasysh influencën e fuqishme serbe në politikat e Maqedonisë dhe presionin e saj që, pas dështimit të Bullgarisë vjet, të mos dështojë sivjet Maqedonia në sjelljen e gazit rus në Serbi”, ka thënë ai. Në këtë kontekst, Reka ka vlerësuar se elitat shtetërore në Maqedoni edhe mund të kenë luhatje strategjike midis Lindjes dhe Perëndimit por, sipas tij, ky shtet në vitin 2008 ka nënshkruar partneritet strategjik me SHBA-në dhe kjo e fundit nuk do të lejojë destabilizimin e Maqedonisë.
Profesor Reka ka vlerësuar qëndrimin që Shqipëria dhe Kosova kanë mbajtur karshi krizës së fundit në Maqedoni. Ai ka bërë me dije se as Shqipëria e as Kosova nuk kanë interes për destabilizimin e Maqedonisë, ngaqë të dyja këto shtete janë të shqetësuara me procese ndërkombëtare të rëndësishme.

“Epoka e re”: Z. Reka, luftimet në Kumanovë kanë lënë të vdekur 22 persona dhe dhjetëra të plagosur. Ende nuk po dihet se çfarë ka ndodhur. Ju si njohës i rrethanave politike vendore dhe ndërkombëtare, e dini se pse erdhi deri te kjo përleshje?
Reka: Përgjigjen në pyetjen tuaj mund ta japin shërbimet e inteligjencës, kurse unë vetëm mund të jap një analizë akademike nga prizmi i marrëdhënieve ndërkombëtare. Zhvillimet e fundit në Kumanovë janë pasojë e një krize si rrjedhojë e ndërlidhjes të së paku tre faktorëve: krizës politike të brendshme, kontekstit ndërkombëtar dhe implikimeve rajonale.
Faktori i parë është kriza kontinentale politike e brendshme në Maqedoni, e cila kulmoi në katër muajt e fundit me skandalin e përgjimeve dhe përplasjeve pozitë-opozitë, të cilat nga java e kaluar filluan të shprehen edhe me demonstrata para Qeverisë së Maqedonisë, me kërkesat për dorëheqjen e saj.
Faktori i dytë, pra ai ndërkombëtar, lidhet me pozitën gjeopolitike të Maqedonisë si kyçe e korridoreve pan-evropiane: 10 (që lidh Beogradin me Athinën) dhe 8 (që lidh Shqipërinë me Bullgarinë). Pra, në Maqedoni kryqëzohen dy trajektoret gjeostrategjike: vertikalja me horizontalen. Po aq Maqedonia ka edhe pozitë kyçe gjeo-energjetike, sepse gazsjellësi i ri rus i “krahut turk” nuk do të mund të arrijë në Serbi (dhe nga atje në Hungari – për tregun e BE-së) pa kaluar nëpër Maqedoni.
Putini paraprakisht bëri për vete tri nga katër qeveritë e shteteve nëpër të cilat duhet të kalojë ky gazsjellës rus. Pra, bëri për vete kryeministrin grek Cipras, atë hungarez Orban dhe kryeministrin serb Vuçiq. Hallka e vetme që i duhet për realizimin e këtij zinxhiri gazi ka mbetur Maqedonia. Ky është paradoksi i rrugës nëpër të cilin rrjedh energjia. Sa është përfitues për shtetin nëpër të cilin kalon, po aq implikon edhe rreziqe për stabilitetin e tij. Mjafton ta shikoni hartën e botës dhe do të shihni se ku zhvillohen aktualisht luftërat: aty ku ka apo ku kalojnë nafta apo gazi, nga Ukraina e deri në Jemen. Me fjalë të tjera, Maqedonia në vitin 2015 e ka pozitën që e pati Bullgaria në vitin 2014.

“Epoka e re”: Po roli i implikimeve rajonale në këtë çështje, cili mund të jetë?
Reka: Ndërlidhur me kontekstin ndërkombëtar janë edhe implikimet rajonale. Këtu kam parasysh influencën e fuqishme serbe në politikat e Maqedonisë dhe presionin e saj që, pas dështimit të Bullgarisë vjet, të mos dështojë sivjet Maqedonia në sjelljen e gazit rus në Serbi. Jo pa arsye, sepse po të funksiononte “krahu jugor” rus, Serbia do t’i inkasonte në vit 400 milionë euro vetëm nga taksa tranzitore, pa llogaritur këtu hapjen e vendeve të reja të punës dhe uljen e çmimit të gazit rus. Andaj Serbia ka interes ta mbajë Maqedoninë në orbitën e saj të influencës. Në këtë kontekst rajonal, po aq kyç është edhe roli i Shqipërisë. Ajo është transiti për gazsjellësin tjetër konkurrues, atë të Azerbajxhanit: “TRANS-ADRIATIK PIPELINE” (TAP), si zëvendësim të gazit rus, për tregun evropian. Nëpërmjet Shqipërisë ai do të perëndojë në Itali dhe nga aty në tregun e BE-së.

“Epoka e re”: Në kontekst të kësaj, mund të themi se Maqedonia duhet të zgjedhë në mes të Perëndimit dhe Rusisë?
Reka: Elitat shtetërore në Maqedoni edhe mund të kenë luhatje strategjike midis Lindjes dhe Perëndimit, mund të jenë në trysni të Serbisë, por të mos harrojmë dy fakte që e dallojnë thellësisht Maqedoninë nga Serbia. Për dallim nga Serbia, e cila ka nënshkruar në vitin 2011 Partneritet Strategjik me Rusinë dhe në territorin e saj ka edhe bazat ruse në afërsi të Bujanovcit, Maqedonia në vitin 2008 ka nënshkruar partneritet strategjik me SHBA-në. Nuk besoj se amerikanët si palë nënshkruese e këtij partneriteti strategjik do të lejojnë jo vetëm destabilizimin e Maqedonisë, por as ndonjë destabilizim rajonal. Dallimi i dytë qëndron në faktin se derisa në Serbi përqindja e popullatës shqiptare në numrin e përgjithshëm të popullsisë është e vogël, në Maqedoni një e treta e popullsisë është shqiptare dhe mbi gjysma e vijës së saj kufitare prek në anën tjetër të kufirit sërish popullatën shqiptare.

“Epoka e re”: Si duhet të veprojë në këtë rast faktori politik shqiptar brenda Maqedonisë dhe si duhet të sillen Shqipëria dhe Kosova ndaj kësaj çështje?
Reka: Derisa faktori shqiptar në Maqedoni lëshoi kumtesa, Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës reaguan ashtu siç duhet të reagojë një shtet fqinj: kundër destabilizimit të fqinjit të saj, Maqedonisë. As Shqipëria e as Kosova nuk kanë interes të destabilizimit të Maqedonisë, sepse të dyja janë vetë të preokupuara me procese ndërkombëtare të rëndësishme: Kosova drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë (brenda dialogut të Brukselit), para fuqizimit të MSA-së dhe para liberalizimit të vizave. Ndërkaq, Shqipëria para marrjes së datës për fillim të negociatave për anëtarësim me BE-në. Shqipëria nga viti 2008 është anëtare e NATO-s, kurse Kosova që nga viti 1999 i ka trupat e NATO-s brenda territorit të saj. Pra, edhe po të donin, këtyre dy shteteve nuk do t’u lejohej të hapin një luftë të re. Fundja, dje vetë kreu i NATO-s kërkoi: “bashkëpunim të ngushtë midis autoriteteve të Kosovës dhe të Maqedonisë” si kyç për hetimin e ngjarjes. Askund, as në Shkup, as në Uashington e as në Bruksel, nuk u tha asnjëherë se dy shtetet fqinje perëndimore të Maqedonisë luftuan pardje në Kumanovë. As pjesëtarët e FSK-së, e as të ushtrisë së Shqipërisë – anëtare e NATO-s. As policia kosovare dhe as ajo shqiptare.

“Epoka e re”: Qeveria maqedonase në rastin e Gushincës dhe tash në rastin e Kumanovës po pretendon se grupet e armatosura kanë ardhur nga Kosova. A mund të merret kjo si një tendencë e këtij shteti për ta fajësuar Kosovën për këto ngjarje? 
Reka: Pse pati edhe qytetarë të Kosovës në përleshjet e fundit në Kumanovë nuk do të thotë se Kosova si shtet është i infiltruar. Tekefundit, ata janë individë dhe nuk përfaqësojnë as shtetin e as institucionet e Kosovës. Gjatë historisë gjithnjë kishte luftëtarë të huaj në të gjitha luftërat e botës, por kjo nuk e identifikonte automatikisht luftëtarin me shtetin, shtetësinë e të cilit ai e ka. Sipas kësaj logjike, gjysma e Evropës, nga vijnë ushtarët e shteteve evropiane që luftojnë për ISIS, duhen kualifikuar si përfshirje e këtyre shteteve në këtë luftë. Por askush nuk akuzon, bie fjala as Francën dhe as Britaninë e Madhe, pse shtetasit e tyre luftojnë në Siri. Apo as Serbinë se qenka tash e një vit në luftë kundër Ukrainës, vetëm pse njësitë çetnike serbe luftojnë në Ukrainën lindore. Pra, as Kosova e as Shqipëria me asgjë nuk e provokuan krizën në Maqedoni, as nuk morën pjesë dhe as nuk frymëzuan aktivitete të ngjashme. Përkundrazi, me qasjen e tyre serioze, demonstruan fqinjësinë e mirë në raport me Maqedoninë.

Muhamet KOCI

Lajme të ngjashme

Back to top button