NYT: Perëndimi dyshon në përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë për demokraci

Fuqitë perëndimore të hënën shprehën dyshime për përkushtimin e Qeverisë së Maqedonase ndaj demokracisë dhe vlerave evropjane, pasi që ajo dështoi t’i ndriçojë akuzat për kerqpërdorime të pushtetit, duke ushtruar kështu presion edhe më të madh ndaj liderit Nikolla Gruevskit pas uikendit tragjik, shkruan New York Times.

Një qortim pazakonshëm i rreptë erdhi pas dëmeve të shkaktuara nga zbulimi nga ana e opozitës i xhirimeve që involvojnë Gruevskin dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, për të cilat Perëndimi thotë se seriozisht e vënë në pikëpyetje gjendjen me demokracinë në republikën ish-jugosllave.

Qeveria e Gruevskit urdhëroi të shtunën në agim një operacion policor kundër, siç i quajti, “terroristëve” shqiptarë në qytetin verior, etnikisht të përzier, të Kumanovës, duke shkaktuar një betejë në të cilën humbën jetën tetë policë dhe 14 persona të armatosur.

Gjakderdhja përkujton konfliktin e vitit 2001 që e solli Maqedoninë në prag të luftës civile para se të ndërhynte diplomacia perëndimore. Por, ajo gjithashtu tërhoqi edhe akuza nga minoriteti shqiptar në vend dhe oponentët politikë të Gruevskit se qeveria po përpiqet të bëjë diversion.
Perëndimi thirri për një hetim të plotë për atë se çfarë ndodhi dhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë e takuan Gruevskin të hënën për të biseduar për ato që i paraprinë dhunës së fundjavës.

Në një deklaratë të lexuar nga ambasadori amerikan Jess Baily, diplomatët kanë kritikuar dështimin e Shkupit për të adresuar “shumë dyshime për raste shkeljesh nga ana e Qeverisë, që dalin nga zbulimet” të cilat i publikoi lideri i opozitës Zoran Zaev.

“Ky mosveprim i kontinuar lë dyshime të mëdha në përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë ndaj parimeve dhe vlerave demokratike të komunitetit euroatlantik”, thanë ata, duke shtuar se mungesa e veprimit konkret “do të minonte përparimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.”
Pranimi i Maqedonisë në NATO dhe BE është bllokuar tashmë nga një mosmarrëveshje e gjatë me Greqinë rreth emrit të vendit, duke kufizuar ndikimin e Perëndimit. Por, BE-ja ka në dispozicion masa ndëshkuese dhe kontroll mbi fondet që rrjedhin në Maqedoni si një kandidat për anëtarësim.
Zaevi thotë se disponon me një mal shiritesh të regjistruara në mënyrë ilegale, të cilat sipas tij i ka bërë Qeveria në një shkallë industriale dhe që kanë arritur te ai nga një i ashtuquajtur “fishkëllues” (“whisteblower”).

Deri tani shiritet, nëse janë autentike, duket se vënë në dukje kontrollin e qeverisë mbi gazetarët dhe gjyqtarët, emërimin e njerëzve të besueshëm të partive politike në pozita shtetërore dhe kurdisjen e zgjedhjeve.
Qeveria thotë se regjistrimet janë bërë nga spiunë të huaj dhe e ka mohuar përmbajtjen e tyre si të falsifikuar. Zaevi është akuzuar se ka tentuar të rrëzojë qeverinë.
Ai ka thirrur për protesta masovike më 17 maj për t’i bërë presion Gruevskit për dorëheqje.
Të hënën, qindra njerëz dolën për herë të fundit në një protestë të vogël përpara Qeverisë, për të ndezur qirinj dhe vendosur lule për viktimat e fundjavës.

(Shkruar nga Matt Robinson, redaktuar nga Ralph Boulton, përktyher nga Bardh Ajdini)

Lajme të ngjashme

Back to top button