Stema shqiptare në koleksionin e stemave të Paliniqit

Nga fundi i shekullit XVI dhe fillimi  I shekullit XVII

Lexo pjesën paraprake: Stemat shqiptare në koleksionin e stemave të Koreniq-Neoriqit nga viti 1595 (FOTO)

Për koleksionin e stemave të Paliniqit opinioni shkencor u informua prej Seid M. Traliqit me anë të artikullit Palinicev bosanski zbornik. – Zbornik historiskog instituta JAZU, vëll. I, fq. 169—185. Për shkak se ky artikull është literaturë e vetme për këtë koleksion stemash, të gjitha të dhënat i morëm prej tij. Koleksioni i Paliniqit ruhet në Arkivin e Akademisë jugosllave të shkencave në Zagreb me signaturë Ia 120. Ky është koleksion me dimensione 10 X 15 me 90 fletë. Numrat e faqeve janë të shkruar me ngjyrë duket prej kohës së punimit të tij. Dorëshkrimi ka qenë i shkatërruar, e tani përsëri është veshur me lëkurë. Sipas paginimit të vjetër shihet se mungojnë 12 fletë. Shenjat e thata shihen vetëm pjesërisht dhe në bazë të tyre mund të konsiderohet se ky dorëshkrim është krijuar në periudhën midis shekujve XVI dhe XVII. Në faqen e titullit gjendet një vizatim i punuar keq i ndonjë ndërtese dykatëshe, me dritare. Mbi të është shkruar N M, e pastaj ky titull: “Questo e llibero di Nicolo g. Palliniq”. Në 47 fletët e para gjenden stema territoriale e familjare, e në faqen 48 e 50 janë disa shënime me alfabetin latin me titull “Diçka për koleksionin e stemave të Fojnicës”. Prej faqes 50 deri në fund gjenden vjersha lirike turke të shkruara me alfabetin bosanas. Në faqet 85—89, midis vjershave, po ashtu me alfabetin bosanas, është shkruar teksti i një fermani prej Mehmedit IV nga viti 1651. Në faqet 66 e 67 katër herë është vënë myhyri turk (vula) në të cilën shkruan: “ Nikola bin (djalë) Matko Paliniq”. Myhyri i njëjtë gjendet edhe në faqen 69. Koleksioni përmban gjithsej 47 stema, që do të thotë se vizatuesi e ka ndërprerë punën para se të vizatojë edhe një të tretën e stemave. Koleksioni është punuar sigurisht për familjen Vojkoviq-Paliniq, sepse stema e tyre gjendet midis gjashtëve që janë në ngjyrë. Faqja e titullit vërteton se ky koleksion është punuar për këtë familje, si edhe fermani e myhyri i Nikola Paliniqit. Koleksioni është punuar sigurisht në Dalmaci, ku edhe është ruajtur. Nuk dihet se si është gjetur në Arkivin e Akademisë jugosllave. Stemat janë vizatuar shumë thjesht. Me ngjyra janë punuar vetëm stemat e Nemanjiqve, të Kroacisë, të Kaçiqit, Vejkoviq-Paliniqit, Divojeviqit dhe Resiçiqit, e stema e Kotromaniqve është vetëm pjesërisht e ngjyrosur. Mbi të gjitha stemat me alfabetin bosanas është shkruar se kujt i takon stema, për shembull: “fisi Kotromaniqi cimer”. Me alfabet latin janë shkruar vetëm stemat e Bregdetit, Serbisë, Rashkës, Maqedonisë dhe Kroacisë e pikërisht në shiritat nën stema.

Edhe pse koleksioni i Paliniqit është improvizim nga fundi i shekullit XVI ose fillimi shekullit XVII me qëllim që një familje të fitojë njohje të fisnikërisë, prapëseprapë shihet se përpiluesi e ka pas njohur mirë heraldikën dhe të kaluarën e popujve dhe të familjeve. Solovjevi e studioi historinë e familjeve të veçuara të këtij koleksioni, e Bojniçiqi numëroi shumë shembuj se si familjet kroate përdornin këtë koleksion stemash dhe në bazë të tij fitonin ose vërtetonin të drejtat fisnikore.[1] Po këtë vërtetuan edhe Heyeri[2] dhe Duishini.[3]Bile edhe disa familje serbe prej Vojvodine i morën stemat e tyre nga ky koleksion dhe prej oborrit austriak iu qe njohur fisnikëria në bazë të tij.

Nga stemat territoriale në koleksionin e Paliniqit gjenden vetëm stemat e vendeve bregdetare (fq. 2), e Sërbisë (fq. 25), e Rashkës (fq. 6), e Maqedonisë (fq. 7) dhe e Kroacisë (fq. 8). Nuk gjenden stemat e Bosnjës, Bullgarisë, Sllovenisë dhe e Dalmacisë. Mendohet se kanë qenë vizatuar, por kanë humbur.

E vetmja stemë që i takon Shqipërisë është ajo e Dukagjinëve (fig. 5). Si shihet nga vizatimi i bashkangjitur, stema është vizatuar me tush dhe nuk është kopjuar me mjeshtëri. Prej të gjitha stemave të njohura shqiptare deri tani kjo është vizatuar në mënyrë më primitive. Vetë fakti se nuk është kolor tregon se autori nuk ka qenë i kujdesshëm, por me njohuri heraldike. Edhe pse është i ngjashëm me stemën e Dukagjinit prej koleksionit të Koreniqit, nuk është kopjuar prej tij, se po të qe kështu shkrimi do të ishte si në koleksionin e Koreniqit. Kjo stemë është në faqen 41 të koleksionit. Nën stemë, pa shirit, me alfabet latin shkruan “DUKASSINOUICH”. Edhe në këtë stemë mburoja ka formë varjaze, pak të cunguar në anën e majtë.

Figura 5, Stemat shqiptare
Figura 5, Stemat shqiptare

[1] Bojnicic, Der Adel von Kroatien und Slovenien, Nurnberg 1899, 3.

[2] Heyer, Der Adel von Dalmattien, Nurnberg 1873, 11.

[3] Zbornik plemstva I, Zagreb 1938, LXXI.

Lajme të ngjashme

Back to top button