Civili kërkon shpjegim nga klika në pushtet për Kumanovën!

CIVIL – Qendra për Liri shpreh keqardhje të thellë për humbjen në njerëz dhe u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave në krizën e Kumanovës. U dëshirojmë shërim të shpejtë të plagosurve.

“Ministria e Punëve të Brendshme, kryetari i shtetit dhe liderët e partive udhëheqëse  të pushtetit ia kanë borxh shpjegimin publikut maqedonas dhe atij botëror. Një kohë të gjatë i bëjmë thirrje kryeministrit Nikolla Gruevskit dhe liderit të BDI-së, partnerit kryesor të koalicionit, Ali Ahmeti, të dalin me një deklaratë të përbashkët dhe t’ia shpjegojnë publikut se çfarë në fakt ka ndodhur.

Presidenti ishte në paradë në Moskë derisa Kumanova digjej dhe dridhej nga shpërthimet dhe rafalët. MPB-ja lejoi që të vijë deri te shpërthimi i thashethemeve. Nuk pati asnjë grimë guxim politik dhe profesional për t’i nxjerrë të gjitha faktet për ndodhitë në terren dhe të përgjigjet në pyetjet që kanë të bëjnë pikërisht me përgjegjësinë politike dhe profesionale të ministres Gordana Jangullovska dhe të bashkëpunëtorëve të saj më të afërt për gjithçka që është duke ndodhur.

Mbetet e hapur pyetja se a ka edhe viktima mes civilëve, për të cilën gjë MPB-ja vazhdon të heshtë. Ministrja Jankullovska nuk u përgjigj me kohë për atë se a ka civilë të vrarë, ndërsa për policët e vrarë doli me informatë 18 orë pas fillimit të krizës.

Këshilli i Sigurimit të cilin e thirri presidenti nxjerr në pah kontroversa të reja, në vend që t’i sqarojë ato. Presidenti Ivanov, në deklaratën e tij pas mbajtjes së seancës së Këshillit të Sigurimit, haptazi e pranoi se ka pesë muaj që e ka ditur për lëvizjen e grupeve të armatosura. Njëkohësisht, ai e ftoi liderin e opozitës Zoran Zaev në seancë, edhe pse ai është i akuzuar për puç dhe tradhti, ndërsa partneri i koalicionit Ahmeti dhe lideri i PDSh-së Menduh Thaçi dërguan përfaqësues të tyre, me të cilën gjë praktikisht treguan se e bojkotojnë presidentin e shtetit.

Pas kthimit nga Moska, presidenti Ivanov, në deklaratën e tij, në mënyrë skandaloze, pothuajse në mënyrë eksplicite, e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare në tërësi, BE-në, NATO-n dhe të tjerë, se janë përgjegjës për këtë tragjedi. I ftojmë të gjithë pjesëmarrësit në seancën e Këshillit të Sigurimit të përgjigjen se a i përkrahin akuzat e Ivanovit.

Kërkojmë nga MPB-ja t’i publikojë të gjitha faktet nga terreni.

Kërkojmë nga partnerët e koalicionit Gruevski dhe Ahmeti të dalin në një press-konferencë të përbashkët, në të cilën do t’iu përgjigjen të gjitha pyetjeve të publikut”, thuhet në reagimin e CIVIL.

Lajme të ngjashme

Back to top button