Incidenti i Kumanovës ishte paralajmëruar para një muaji

Lufta dyditëshe midis policisë së Maqedonisë dhe grupit të armatosur në Kumanovë nuk ka qenë krejtësisht e papritur për njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Maqedoni.

Madje, një incident i tillë, i përmasave të tilla apo të ngjashme, ishte paralajmëruar qysh para një muaji.

Kryetari i partisë maqedonase “Dinjiteti”, Stojançe Angellov, kishte thënë se Qeveria e Nikolla Gruevskit ka paguar dy milionë euro për të provokuar konfliktin ndëretnik në Maqedoni.

“Dikush ne shtetin tonë ka bërë plan monstruoz për nxitje të një konflikti ndëretnik në Maqedoni. E dini të gjithë që para një muaji kishte një komunikatë të AKSH me të cilën po kërcënonin. Kam informata se dy milionë euro u janë dhënë shqiptarëve që nuk kanë lidhje me UÇK-në, kriminelëve, të cilët sot gjenden në rajonin e Likovës. Detyra e tyre është që të paraqiten se gjoja janë UÇK dhe të bëjnë vrasjen e disa përfaqësuesve të Policisë dhe të Ushtrisë dhe në këtë mënyrë të nxisin konflikt ndëretnik. Pikërisht për këtë u paraqit ajo komunikatë monstruoze e firmosur nga Z. NETPRESS që Stojançe Angelov dhe Zoran Zaev përgatisin skenarë për luftë të përgjakshme, luftë ndëretnike. Tjetërkush ka përgatitur skenar të tillë”, ka thënë ai.

Partia maqedonase “Dinjiteti” kishte kërkuar mbajtjen e një referendumi kundër emërimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në postet publike dhe kishte kundërshtuar miratimin e ligjit për amnestimin e tyre.

Angellov ishte një nga zërat më të ashpër kundër emërimit të ish-komandantit Talat Xhaferi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë. Ai është ish-gjeneral i Ushtrisë së Maqedonisë, pjesëmarrës në luftën kundër Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001.

Lajme të ngjashme

Back to top button