Po Serbisë pse i djeg Kumanova?

Nuk kaluan shumë orë nga ngjarja e rëndë në Kumanovë dhe menjëherë reaguan mediat në Serbi.

Mediumet kryesore serbe, janë hapur ditën e dielë, më datë 10 maj 2015 me tituj bombastikë për atë që ndodhi dhe po ndodh në Kumanovë.

Gazeta “Blic” ka patur kryetitull “Shqipëria e Madhe po troket në derë”, ndërkaq që edhe media të tjera kanë patur tituj të ngjashëm, e ndërsa nuk është ngurruar të cilësohen shqiptarët “terroristë”.
Ajo që të vjen paksa çudi është se ç’i shtyn mediat serbe të shkruajnë në mënyrë kaq të ashpër dhe deri fantastiko-shkencore, për një ngjarje që nuk ka ndodhur në shtetin e tyre?

Si ka mundësi, që kjo ngjarje shërbeu, që të dalin në sfond edhe politikanë serbë, të cilët thanë se po ruhet kufiri, që “terroristët shqiptarë mos të kalojnë në Serbi”?
Si mundet, që si policia e Maqedonisë, ashtu edhe ajo e Serbisë, të thonë fjalë kaq të ashpra dhe me ngjyrime të thella etnike, duke patur vetëm informacione hipotetike se mund të ketë grupe të armatosura dhe jo se ata kanë kryer diçka konkrete?!

Gjithë ajo masakër e kryer në Kumanovë nga se nisi? Pse u ndërhy në mënyrë të menjëhershme, pa patur një fakt konkret se ata njerëz që u sulmuan nga policia kanë kryer veprime që bien ndesh me ligjin?

Nëse ata persona kanë patur ndërmend të kryejnë veprime kundër policisë, atëherë fare mirë mund të negociohej. Aq e rëndë qenka situata sa duhej menjëherë ndërhyrje dhe gjakderdhje, sikur të ishte ndonjë vend i Lindjes së Mesme dhe jo Maqedonia, që ndodhet në Europë?

Edhe informacionet që transmetohen nga policia e Maqedonisë janë tepër të mangëta, lidhur me atë se ky “grup i rrezikshëm” është sulmuar se ka patur diçka në mendje për të kryer apo se ka kryer diçka, para se të sulmohej?
Nëse është e para, që ka patur vetëm planifikime, edhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë rrjedhimisht do të thotë se gjakderdhja nuk ka qenë e nevojshme dhe as traumatizimi i njerëzve në Kumanovë.

Githsesi, le të ndalemi pak tek mediat serbe dhe deklaratat e politikanëve serbë, çfarë folën ata dhe ç’u shkruajt për ngjarjen.
Deklaratat e politikanëve serbë për ngjarjen në Kumanovë


Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të thoshte se ushtria e vendit të tij është e mobilizuar dhe do të dalë në kufi, për të ruajtur kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë, me qëllim që “të mos ketë kalim të grupeve terroriste shqiptare”.

Në të njëjtën vijë logjike, ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç do të aludonte, sikur të fliste për ndonjë skenar për filma të Hollywoodit, se ka shqiptarë që po i mësyjnë kufirit me Serbinë.
Ajo që lëxohet në deklaratat e Vuçiçit dhe të Stefanoviçit është se ata kanë jo pak tendenca që në deklarata, fjalët drejtohen kundrejt një etnie, asaj shqiptare.

Paçka asaj, se çfarë informacionesh mund të ketë patur Stefanoviç apo Vuçiç, nuk kishte ndonjë veprim konkret se vërtetë shqiptarët e kërcënonkan Republikën e Serbisë.
Në deklarata vihet re edhe ajo, se përmes fjalëve kundër shqiptarëve, mund të fitohet fare lehtë kredit politik.

Duket se arsyeja kryesore e fjalëve të Vuçiç dhe të Stefanoviçit është pikërisht se në ngjarje u përfshinë shqiptarët dhe se shans më të mirë për të përfituar politikisht nga kjo ngjarje, me siguri që nuk kishte.
Të përdorësh politikisht një ngjarje, ku u vranë njerëz, paçka etnisë, nuk është aspak njerëzore.
Titujt e mediave serbe

Mediat kryesore serbe, me një tendencë të jashtëzakonshme, të dukshme për atë që ndodhi në Kumanovë, u hapën me tituj antishqiptar dhe me një fryrje në raportim.

Ngjan se përfshirja e shqiptarëve në ngjarje dhe për më tepër cilësimi i tyre, me tendencë etnike nga Shkupi zyrtar si “terroristë”, ka bërë që mediat serbe ta marrin këtë tezë dhe ti nxijnë sa më shumë që të munden shqiptarët.

Mediat serbe raportuan se në Kumanovë “terroristët shqiptarë u përplasën me policinë e Maqedonisë për Shqipërinë e Madhe”.

Ajo që të vjen çudi është se vetëm mediat serbe paskan arritur në përfundimin se ata që luftuan policinë e Maqedonisë, paskan luftuar për “Shqipërinë e Madhe”, pa patur asnjë fakt për këtë.

Për të mos folur pastaj për atë se ç’ne në mediat serbe të jetë në ballinë një ngjarje që ndodh në Maqedoni, apo preteksti se në këtë qytet na paska edhe disa serbë?
Vetëm “mendjet e serbëve”, edhe keqadashëse në këtë rast, paskan nxjerrë përfundimin se në Kumanovë u luftua për “Shqipërinë e Madhe”.

Ky është vetëm hamendësim, që tek serbët ka qenë dhe mbetet edhe makth dhe këtë e ka thënë edhe Vuçiç.
Ajo që mund të thuhet, me shumë mundësi, është se mediat serbe kanë vendosur në ballinë tituj për ngjarjen në Kumanovë, për shkak se aty u përfshinë shqiptarë.
Ngjyrimi politik dhe përcaktimi etnik që kanë bërë mediat serbe, është tejet i ulët.

A është ndokush tiu thotë këtyre mediave, se sa u raportua, në ngjarje kishte dy palë që u konfliktuan, pra policë dhe një grup personash, për të cilët ka deri tani pak informacion dhe se konflikti nuk ishte mes shqiptarëve dhe maqedonasve?

A është ndokush që tiu thotë këtyre mediave se në mesin e policëve u raportua edhe një polic i vrarë dhe se ky ishte shqiptar dhe vdiq duke mbrojtur shtetin, që quhej Isamedin Osmani?!

Politizimi dhe raportimi i targetuar etnikisht nga mediat serbe, duke vendosur në ballinë edhe “Shqipërinë e Madhe”, është tejkalim i çdo kufiri racionaliteti.

Në ata tituj vihej re vetëm emocionalitet etnik serb, urrejtje kundër shqiptarëve dhe pse jo, makth për “Shqipërinë e Madhe”.

Pasi renditëm të gjitha këto fakte, mund të thuhet se reagimi serb dhe i Serbisë erdhi më së shumti edhe për shkak se në ngjarje u përfshinë shqiptarë.

Propagandimi se si e si të nxihet emri i shqiptarëve, del nga gojët e politikanëve serbë dhe nga makinat e shtypit në Beograd.
Shqiptarët! Me siguri, ishin arsyeja se përse Serbisë “i dogji” Kumanova.

Lajme të ngjashme

Back to top button