Java Evropiane në Çair “Ditët e Evropës”

Java Evropiane në Çair “Ditët e Evropës” edhe dje, e enjte 7 Maj ka spikatur me një debat më të gjërë mbi temën “Shqiptarët dhe sfidat e integrimit evropian”, ku për këtë kanë diskutuar ekspertë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Penalistë ishin Ilir Kulla dhe Arian Galdini nga Shqipëria, Sadri Ramabaja nga Kosova dhe Ylber Sela nga Maqedonia.

Në hyrjen e tij mysafiri nga Shqipëria Ilir Kulla tha se Shqiptarët në Maqedoni gjatë këtyre 17 viteve kanë bërë ndryshime të mëdha.

“Gjatë ardhjes sime këtu në Maqedoni, në pikën kufitare në të hyrë në Maqedoni, pashë një fotografi të ish kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin aktual të Shqipërisë Edi Rama. Dhe kur po bëj një paralele me vitet e 90-ta, ku kam qenë i kyçur në zhvillimet këtu, janë të arritura të mëdha, sa të rrënqethet bile trupi.

Maqedonia dhe Ish Jugosllavia ka qenë një Perëndim për Shqipërinë e cila në ato vite ka qenë tërësisht e izoluar, por falë politikave të cilat sollën ndryshimin dhe hapën zemrën dhe mendjen e Shqiptarit drejtë UE-së, ndërsa nga ana tjetër popujt tjerë kanë zbatuar politika tkurrëse, sot Shqipëria është bërë një Perëndim për Maqedoninë”, ka thënë Ilir Kulla.

“Gjatë viteve 98,99,2000, dhe 2001 kam qenë shumë aktiv në Maqedoni dhe kam qenë shumë afër shokëve të mi të luftës së 2001 të cilët vetëm ne të cilët kemi qenë afër tyre, mund t’i kuptojmë përpjekjet e tyre se çka kanë bërë ata për ta faktorizuar popullin Shqiptar. Gjatë rrugëtimit tonë në UE ne Shqiptarët duhet të kuptojmë se duhet ta mbrojmë me shumë xhelozi identitetin tonë kombëtar”, ka thënë më tej Kulla.

Ndërsa sa i përket Maqedonisë, ky shtet përpos që është i varfër, tha ai, “Maqedonia po vuan edhe nga një problem shumë serioz politik me Greqinë rreth çështjes së emrit dhe nga kjo mund të kuptojmë se për Maqedoninë rrugë tjetër përpos Integrimit në UE nuk ka”.

Eksperti kosovar Sadri Ramabaja para të pranishmëve ka pohuar se Shqiptarët nuk duhet të implikohen në ngjarjet e fundit politike.

“Maqedonia sipas meje është një shtet politikisht jostabil, sepse çdo herë përfshihet nga ngjarje të ndryshme të cilat sjellin në një farë mënyre destabilizim të brendshëm politik.

Prandaj, mendoj se Shqiptarët bënë mirë që nuk përfshihen në këto probleme. Populli Shqiptarë edhe gjatë historisë së saj ka treguar se është popull me vizion dhe politika evropiane, i tillë ka qenë heroi jonë Skënderbeu, i tillë ka qenë edhe Ismail Qemali, por të tillë kemi edhe shtetin Shqiptar i cili është anëtarësuar në NATO dhe tani po ecë drejtë UE-së. Sipas meje integrimi i Shqiptarëve në UE duhet të bëhet përmes një Unioni Shqiptarë mes dy shteteve dhe e cila do të favorizonte në masë të madhe Shqiptarët e Maqedonisë”, ka thënë Sadri Ramabaja.

Edhe nikoqiri i këtij eventi, profesori Ylber Sela nga Maqedonia ka pohuar se Shqiptarët kanë një rol kyç në stabilitetin e brendshëm të Maqedonisë.

“Çdo herë pyes vetën se a thua mund të jemi pjesë e UE-së, kur mund të jemi pjesë të këtyre strukturave, pastaj pyetja e dytë që ja parashtroj vetes, është se a thua vallë mund të fitojmë edhe betejën e dytë në këtë integrim, e ajo betejë është integrimi i plotë i shtetit në UE. Integrimi në UE, madje është një tren i cili nuk ka itinerar të caktuar, por është sfidë se kush mund të kapë atë i cili është në ecje. Integrimi në UE, kujtoj se shteti duhet t’i plotësojë të gjitha kriteret siç janë: rruajtja e stabilitetit politik, rritja e ekonomisë, lufta për të drejtat e njeriut të cilat janë vetëm disa nga pikat të cilat synohet të përmirësohen për të qenë pjesë e UE-së”, ka thënë Sela gjatë fjalimit të tij.

Sipas tij, Shqiptarëve në Maqedoni u duhen liderë të përgjegjshëm, sepse siç tha, “ky është shekulli i Shqiptarëve, dhe këtë mundësi duhet ta shfrytëzojmë”.

Ndryshe, Java Evropiane në Çair “Ditët e Evropës” përmbyllet sot, e premte  8 Maj me Marshin e Paqes, ku një numër i madh i të rinjve do të defilojnë nga godina e Komunës së Çairit deri tek Mali i Gazi Babës.

Lajme të ngjashme

Back to top button