Bashkëpirja

E dashura mike,

Në raste të këtilla, kur duhet dikujt t’ia uroj ditëlindjen, më vjen ndërmend ajo kënga gjakovare “robi s’plaket kur i vjen mosha, robi plaket kur don vetë”, ose varijanti modern i kësaj “t’i kesh të mbushura vitet me jetë, e jo jetën me vite”.
Si përherë e vjetra tingëllon më mirë.
Të jesh gëzuar dhe vetëm pas kësaj: e suksesshme. 
Me ndikim si deri më tani. 
Me humor se ai të mban të re. 
Sa i përket dashurisë, uroj të kesh dikë për ta fantazuar dhe s’prish punë nëse mbetet platonike apo kalon në konkrete. Kujtohu sa të bukura i kemi pasur platoniket dikur, ato fillime që premtojnë, që të bëjnë të ëndërrosh… mandej, konkretja kthehet edhe në banalitet, kurse imagjinata jo, qoftë dhe vetëm një “Gënjeshtër e bukur” si në atë poezinë e S.Salihut.

…mos i thuaj se fare, fare e ke harruar pasi kur potencojmë diçka shumë, është fjala për të kundërtën e saj, thotë Frojdi tek kapitulli Huqet gjuhësore, nëse mirë e përktheva. Flisnim me një mik për problemet e shqipërimit të disa veprave kapitale; pjesë të Hegelit, Kantit, Niçes… është e vështirë të jepen në shqip nga shkaku teknik i mungesës së aparaturës përkatëse gjuhësore, punë që e bëjnë institutet, e që tek ne o kanë munguar o janë por sikur s’janë. Dhe qeshnim se si kryevepra e Platonit në përkthimin e pafat në shqip titullohet “Bashkëpirja”…!

… me një rast kur nuk arrija të bindem të Ulem dhe Shkruaj ndërkohë që afatet afroheshin, më ndihmoi fakti që e shikoja një shok shkrimtar se si shkruan. Unë vetëm rrija në të njëjtën hapësirë ku shkruante, dhe kur teksti i tij mbaroi – mbaroi edhe sikleti im. Pastaj vazhdova si deri më atëherë.
Sonte do të të nis një tekst ku je dhe ti, në nje pasus. Nuk e di a duhet të qëndrojë ky pasus apo jo, ti do e lexosh në mënyrë objektive, anise nuk e kam të qartë se çka don të thotë fjala dhe sa mundet përgjithësisht kushdoqoftë të jetë “objektiv”.

…një ditë vendosa të mësoj diçka për Sirinë aktuale: s’e dija saktë as ku ndodhet, e jo më se çka ndodh atje, prandaj e lexova një tekst kritik; mandej fillova të lexoj një tekst diametralisht opozitar dhe e lash fare…mendova se më i mirë është parimi kur diçka s’di – më mirë hiç se sa pak te di. Kjo e thjeshtëson jetën. Dhe të ruan nga ego-tripi.

…duke kerkuar do këngë më të vjetra të Azrës, më rastisi të shoh një intervistë të tij televizive ku deklaron se qenka martuar me 2007 me atë holandezen në shtëpinë e së cilës, diku në rrethinën e Utrehtit, jeton nga mesi i viteve të tëtëdhjeta kur iku nga republikat që kishin nisur të mbajne erën e barotit, siq e thotë në një këngë.. Gazetarja e pyet për martesën “i kako to ide”, a Xhoni përgjigjet “sve je to za ljude”   E flisja një dite me Tonin sa shumë dua ta takoj rok-poetin me myxheverët e të cilit jam rritur…do të isha nisur enkas, vetëm po ta dija që do e shoh. Mandej, paramendo, Toni më tregoi se paska një shoqe komshi me Shtuliçin, takoheshkan ndonjëherë tek dyqani i mahallës. Kur diçka shumë dëshiroj, nafaka vjen vetë siq thotë tek Alkemisti autori i masave P.Kueljo (plagjiatori më i shitur në botë, ose ndër më të shiturit).
Përgjithësisht mendoj se “idhujtë” e rinisë edukojnë po aq sa prindët.
Prindët që arrijnë të t’i hapin shtigjet drejt “idhujve të dobishëm” edukojnë më mirë dhe më lehtë, me më pak fjalë…dhe s’bëhen të bezdisshëm.

…mikja ime, më vjen shumë mirë që të paskam ndihmuar sadopak. Lotët jane bensedin, e thoshte edhe doktor Jusuf Rexhepi, një figurë e Tetovës. Në një periudhë nuk arrija të derdh as edhe një pike loti. E dija sa do më ndihmonte por s’mundesha tí “ndihmoj vetes”!

…tash duhet t’i sajdisim këto dy plaka te bukura që na erdhën në gosti, “Vejushe të hareshme” si titulli i asaj komedie franceze kthyer në operetë.
Ja derisa të shkrova  fjalitë e fundit, kishin edhe një moment inspirimi, nuk ndalen së qeshuri: flet njëra, flet tjetra, tekstet janë si burleska, kënaqem.

…të pres të vish në Maqedoni kur te mundesh qoftë dhe për pak ditë.
Do ia kalosh bukur me shoqet dhe shokët “grumbull i shpirtrave te çmuar per mua”. 
 më shumë shokë se shoqe se edhe kjo e thjeshtëson jetën.  
Mos shko në atë qytet kosovar ku planifikoje se, duke të njohur, do të bezdisesh. Atje është çallëmi i madh – takati i vogël. I shikon të krekosur fare, kur ulesh – s’kanë tema, ndërkohë që vazhdojnë ta mbajnë atë shprehjen e vetërëndësisë në fytyrë. Rregull është vërtet që Vlera e njeriut me Egon e tij të jenë në disproporcion. Dhe kjo ndonjëherë di të jetë zbavitëse.   

Desha një fragment për dashurinë në një ditë me diell  se letrat me këtë mike nuk na quhen nëse nuk e përmendim…
Por, si ta le dashurinë në fund, kur është aq e rëndesishme? 
Dhe e bukur. 
S’meriton dashuria të jetë në qosh të kolumnës. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes ndërmjet tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button