LIBËR I MESAZHEVE HUMANE

Kombet lartësohen nëpërmjet shpirtit krijues dhe shpirtit të sakrificës; nëpërmjet njerëzve të mendimit dhe njerëzve të veprimit. Lartësohen kur idetë sublime i vënë në veprim. Kjo është formula, e trishtë në dukje, por e paevitueshme, për sa kohë bota është e egër dhe njerëzit nuk janë të përsosur.

Kombet që e dinë se ku duan të arrijnë, i respektojnë modelet madhore të mendimit dhe të veprimit; i bëjnë pjesë të konstitucionit të vet mendor. Veprojnë kështu sepse duan të mbajnë ndezur zjarret e shpresës për secilën orë të ligë që mund t’i trokas kombit; sepse e duan kombin e tyre si pjesë të familjes së madhe të atyre që ngulmojnë për një botë më të bukur, më të drejtë dhe më të përsosur, që mbetet si ideal i atyre që shkuan në kundërshtim me rrymën e territ dhe egërsisë njerëzore. Veprojnë kështu për të pamundësuar triumfin e defetizmit, apatisë, mungesës së idealit, humbjes së shpresës, që janë vrastare të heshtura të një kombi.

Të mos i ruash dhe të mos i kujtosh si të shenjta dhe eprore këto modele, do të thotë të sillesh nëpër vorbullat e rastësisë së imponuar nga historia, që shpesh përjeton trazime dhe plasaritje tragjike. Duke i kujtuar këto modele, duke i përjetësuar, në fakt, i ruajmë si pika orientimi për lëvizjet tona kombëtare.

Ata, që me veprat e tyre kanë siguruar formë tjetër ekzistenciale, meritojnë më shumë se sa respektin dhe admirimin tonë deri në përkulje. Ne të gjallët kemi nevojë për modelet e këtilla orientuese. Ata që nuk i kanë i sajojnë, kurse ne që i kemi duhet t’i ruajmë. T’i përçmosh modelet e këtillë do të thotë të jesh më shumë se sa mendjeshkurtër dhe të mos e pranosh faktin se ndërtimet e mëdha janë bërë me flijime të mëdha. Pa flijimin e atyre që dhanë më të çmuarën që kishin – të papërsëritshmes, të veçantën, të çmuarën, të vlefshmen, pra jetën, si e thotë Hesse – bota jonë do të ishte e trishtë.

Ndër modelet e sipërpërmendura e kemi edhe Skerdilajdin, që historia do ta njohë edhe me emrin tjetër: Shpendi.

Mesazhet e sipërthëna, në njëfarë mënyre, i hasim në librin “Krahët e Shpendit”, të autorit Bardhyl Llagami. Ata krahë si të Shpendit që stolis shenjat tona identitare. Ata krahët të bukur që shtrihen nëpër gjeografinë tonë shpirtërore. Ata krahë të Shpendit që i përket botës sonë dhe botës së atyre që do të vijnë.

Sa e lexojmë titullin mendja na vete te zogu mbresëlënëse mitik – Feniksi. Ai vetëdigjej dhe rilindej nga hiri. Ky mit madhështor dhe i bukur shpreh simbolikën më kuptimplote mbi përmasën tjetër ekzistenciale –  pavdekësinë, ku arrijnë ata dhe vetëm ata që digjen si fluturat e F. Attarit. I afrohen aq pranë zjarrit sa digjen, por lënë reflektimin shkëlqimtar. Janë kurora e praruar me gurrëz prej ëndrre e fryme.

***

Krahët e Shpendit” është libër i dhembjes prindërore. Autori nuk identifikohet me emrin e tij, por si “babai i Shpendit”. Është Ati, që i dha Birit Shpirtin e Shenjtë. Nëpërmjet këtij identifikimi autori na jep mesazhin kuptimplotë për idealin prindëror. E ideali i prindit është ai kur Ati mburret me emrin e të Birit. Në këtë ligjërim poetik, jo vetëm për Birin, ka dhembje dhe boshësi gërryese, që, si thotë Cvajgu, nuk e mbushin as shekujt.

“Lulet janë strukur… / Skerdilajd i bukur! / Dhembshurisht…” Këto vargje të bukura e tejet njerëzore, na shpërfaqin një përmasë të padukshme të dhembshurisë. Na kujtojnë ato lulet e përkulura, si te poezia e Ezra Paundit mbi ikjen e kamotshme të njeriut të dashur, por që ngjan gjithnjë sikur sapo ka ikur. Janë lule shpirtlënduari, që dënes e vuan, në heshtje e vetmi.

Në këtë qenie njerëzore, ku është dendësuar dhembja e botës, përkundër tragjikes personale, triumfon e fismja dhe njerëzorja. Triumfon ajo për të cilën kjo botë gjithmonë ka pasur dhe do të ketë nevojë: për të bukurën, për të mirën, për të drejtën, për njerëzoren, që humbasin kuptimin pa lojërat e lirisë. Dhe kush mund të na japë më bindshëm mesazhet e këtilla se sa artisti, i cili në sytë e të tjerëve kërkon sytë e djalit të tij. Kush mund më mirë ta bëjë këtë se sa Njeriu dhe Artisti që lufta ja mori një pjesë të shpirtit të tij dhe ia fali historisë sonë të re.

E lufta nuk është zgjidhja që e adhuron artisti. Që në lashtësi Herodoti e bëri dallimin ndërmjet luftës dhe paqes. “Në kohë paqe – tha ai, – fëmijët i varrosin prindërit, kurse në kohë lufte prindërit i varrosin fëmijët”. Një dallim thelbësor ndërmjet paqes – si kohë mendimi dhe luftës – si kohë absurdi e rrënimi.

Po lufta shpesh bëhet e paevitueshme për të sjellë paqen e munguar ose për të zëvendësuar paqen e rrejshme – më vrastare se sa çdo luftë mizore, ndonëse lë pas dhimbje e plagë. Dhimbje që dhembin përjetësisht. Plagë që nuk mbyllen asnjëherë. Ajo lë pas dhe emra të paharruar. Emrat e atyre që ishin për vendosjen e rendit të munguar…

***

Një dëshmor i rënë për lirinë e kombin është vlerë e krenari e po atij kombi. Për prindin përveçse është vlerë e krenari, ai është dhe fëmija. Ne i kujtojmë e pastaj kthehemi te familjet tona. Dhimbja jonë, megjithatë, është e përkohshme dhe kalimtare. Dhimbja e prindit është e përhershme. Ne i kujtojmë ata, në përvjetorë të ndryshëm. Prindi e kujton në secilën minutë të jetës së tij. Kjo mungesë synohet të plotësohet nëpërmjet kujtimit. Përjetësimi bëhet nëpërmjet artit. E askush sikur arti e letërsia nuk e ka këtë fuqi përjetësimi.

Asnjëri prej nesh nuk mund ta ndryshojë atë që ka ndodhur, por ne mund ta ndryshojmë rrjedhën e gjallimit tonë – personal e kombëtar. Nëse duam të tregojmë respekt për figurat e kombit, para së gjithash, nuk duhet të lejojmë të cenohet ideali i tyre, me të cilin rrojnë, deri në frymën e mbramë, prindërit e tyre madhështorë.

***

Ne ndoshta u fokusuam pak si shumë vetëm te një dimension i këtij libri. Ndoshta sepse u tronditëm që në fillim. Por ky libër na flet edhe për shumëçka tjetër. Na flet me mençuri  dhe me zjarr artisti, duke na shpalosur shumë mesazhe kuptimplote, të fisme dhe të thella. Le të fokusohemi edhe tek këto përmasa të kësaj strukture artistike.

Autori na shpalon mesazhin human e largpamës, nëpërmjet një besimi prej njeriu të mendimit, se popujt ashtu sikurse armiqësohen, mund të lënë pas historitë e trishta e tronditëse. Historitë e trishta mund të çojnë në konflikte të reja, por mund të shërbejnë si mësim për afrim e paqe.

“Nuk ka histori pa humbje e lavdi, / Nuk ka vende e popuj pa histori./ Nga një gurrë rrjedhin: të vjetër, të rinj. / S’ka popuj të mirë apo të këqij…” Është ky një mesazh i dobishëm për sistemin tonë kulturor. Na përkujton se ksenofobia (apo: frika nga e huaja) është e dëmshme për botën tonë kulturore, ashtu sikurse është edhe ksenofilia (apo: adhurimi i verbër i të huajës, pa iu nënshtruar gjykimit kritik dhe përçmimi i vlerave tona të verifikuara dhe të lartësuara edhe prej popujve të tjerë).

Më tej, ashtu sikurse një Faik Konicë, poeti beson se Shqipëria është e përjetshme dhe ajo, siç e thotë në një varg, “do të bëhet për inat të lëngaraqëve”.

Nëpërmjet gjuhës së figuracionit “babai i Shpendit” e çmon miqësinë, ngjashëm si një Ciceron. Dikur, thotë ai, vetëm e vlerësonte. Tani për të ajo është e shenjtë. Nëse, siç thuhet, dashurinë e njohim më thellë kur vjen ora e ndarjes, miqësinë e njohim më thellë kur kemi nevojë për praninë e atyre që duan të jenë pranë nesh të shtyrë nga dashuria që kanë për ne, pa na kërkuar asgjë si kundërvlerë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button