Meta takon veteranët dhe familjarët e dëshmorëve

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në një takim me veteranë dhe me familjarë të dëshmorëve të atdheut në Bashkinë e Vorës. Në këtë takim , Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave,  Edmond Panariti, dhe nga deputetët Luan Rama, Xhemal Qefalia dhe  Artan Gaçi, Prefekti i qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi dhe përfaqësues të organizatave të veteranëve dhe të familjeve të dëshmorëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerësoi kontributin e dëshmorëve të atdheut dhe të veteranëve të cilët luftuan për lirinë e atdheut.

“Për mua është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu sepse populli i kësaj zone bashkë me popullin e zonës së Pezës, të Krujës, kanë qenë ndër të parët që ka qëlluar me pushtuesit dhe ne jemi krenar sot sepse sot feston gjithë bota dhe ne jemi krenarë sepse janë pikërisht dëshmorët dhe heronjtë ata që na japin këtë fuqi dhe këtë krenari me sakrificën e madhe që ata bënë. Shqiptarët u rreshtuan që në momentin e parë në drejtimin e duhur, që në 7 prill e pritën me pushkë pushtuesin edhe pse mundësitë i kishin shumë të pakta, kur popuj të tjerë në Evropë shumë më të mëdhenj se populli ynë u nënshtruan dhe e pritën me lule”, theksoi Meta.

Kryetari i Kuvendit tha se populli shqiptar ka qenë ndër të parët  të cilët nisën betejën kundër pushtuesit nazifashist në Luftën e Dytë Botërore.

Meta tha se populli i kësaj zone ka dhënë një kontribut të veçantë në të gjitha formacionet partizane që nga formacionet e batalionit të Ishmit, të Krujës e në formacionet e Pezës dhe kudo.

“Ne jemi mirënjohës për gjakun e derdhur nga dëshmorët e atdheut. Kjo na bën krenar. Jemi pak ditë përpara ditës së Evropës. Ditën e fitores mbi fashizmin ku të gjithë e festojmë me shumë madhështi. E festojnë edhe vendet që nuk kishin dëshmor dhe i shpikën dëshmorët. Si mos ta festojmë ne që patën aq shumë dëshmorë, që u derdh aq shumë gjak. Pa gjakun e tyre Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sepse me gjakun e tyre, me sakrificën e tyre, përsëri u diskutua mbas lufte dhe u ngritën pretendime për të copëtuar Shqipërinë dhe për ta konsideruar si palë humbëse”, tha zMeta duke shtuar se lufta ishte një sakrificë e cila nuk mund kurrsesi të mohohej, e bërë nga populli ynë,në radhë të parë nga bijtë e tij më të mirë që dhanë jetën për liri. Kryetari i Kuvendit tha se ishte pikërisht kjo luftë  e cila mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe lirinë e Shqipërisë që kemi ne sot.

“Ne sot jemi anëtar në NATO, sot jemi kandidat për në Bashkimin Evropian falë sakrificës së tyre, falë largpamësisë së tyre dhe dashurisë së tyre për atdheun. Dua të falënderoj kryetarin e Komitetit të Veteranëve të Shqipërisë, Komandant Rustem Peçin që është me ne sot këtu për gjithë punën që ai bën dhe gjithë komitetin e veteranëve në të gjithë vendin edhe pse në kushte shumë të vështira për t’i mbajtur traditat sa më të forta, për të shtuar pasardhësit. Jam i bindur se puna që ata kanë bërë dhe puna që do të bëjmë të gjithë bashkë, veç se do ta forcojë kujtimin e të rënëve për lirinë e atdheut, për heroizmin e popullit tonë, të parëve tanë, sepse pa këtë histori nuk mund të ketë një të ardhme më të ndritur për të gjithë shqiptarët”, tha Meta.

Ministri Edmond Panariti tha se në këtë 5 maj, të gjithë shqiptarët ndihen krenar për sakrificën sublime të brezave të cilët dhanë jetën, bënë sakrifica të panumërta që Shqipëria të çlirohej nga okupatori nazifashist dhe njëkohësisht edhe e rreshtoi vendin tonë me krenari në krah të aleancës më të madhe antifashiste të historisë.

“Padyshim përveç shporrjes së okupatorit nazist, çlirimit të vendit, kjo rezistencë e pashoqe pati dhe një kontribut të jashtëzakonshëm për ruajtjen e integritetin e Shqipërisë. Ne nuk do të kishim një Shqipëri integrale, siç është sot, pa sakrificën, pa luftën e pamposhtur të partizanëve trima të Lëvizjes Nacional Çlirimtarëve kundër okupatorit. Prandaj mirënjohje pafund sakrificave të baballarëve, të gjyshërve tanë që luftuan heroikisht kundra nazifashizmit. Sigurisht ne duhet të mbajmë lart dhe ndezur pishtarin që ata ndezën. Ky është obligimi dhe detyrimi jonë. Ne duhet ta mbajmë ndezur këtë pishtar dhe duhet të ecim me vendosmëri si mbartës të kësaj stafete, të kësaj stafete progresiste, të kësaj stafete të sakrificave pasi vendi jonë ka nevojë për progres dhe sot ka nevojë për sakrifica. Dhe në shembullin e këtyre sakrificave ne duhet të bëjmë çmos, që nën frymën, nën zjarrin e kësaj rezistence të pashoq, të japim kontributin tonë për zhvillimin e Shqipërisë”, tha Panariti.

Deputeti i LSI-së, Luan Rama tha Shqipëria në raport me popullsinë, Shqipëria ishte ndër vendet që sakrifikuan më shumë dhe që meriton të jetë në piedestalin e vendeve që luftuan dhe fituan mbi fashizmin.

“5 maji është një ditë e ndritur në historinë tonë kombëtare sepse siç thotë një poet, meqenëse është data e rënies së Qemal Stafës, me emrin e Qemalit, atdheu peshon mallin për të rënët dhe malli për të rënët është gjithnjë një mall i ndezur, një mall që na detyron jo vetëm t’i përkujtojmë dhe t’i respektojmë ata për sakrificën që bënë, por ç’është më e rëndësishmja, të luftojmë që ëndrra e tyre të mbetet gjithmonë e lidhur përjetësisht me Shqipërinë”, tha Luan Rama.

Deputeti Xhemal Qefalia tha se kjo ditë është një homazh për të gjithë ata që dhanë jetën për ta çliruar Shqipërinë. Ndërsa deputeti Artan Gaçi tha se 5 maji përcjell një mesazh për të rinjtë që të punojnë më shumë. “Të gjithë ju që keni dhënë në çdo kohë, atëherë në ditët më të vështira që vendi ka pasur, Shqipëria ka pasur më shumë nevojë, një kontribut të jashtëzakonshëm dhe me minimumin e pretendimeve. 5 maji mund të shërbejë një ditë për në të gjithë të rinjtë e tjerë, për të gjithë pjesën e të rinjve tek të cilët unë shoh që ka humbur pak nga ajo që ju trashëgoni, që të flasin më pak dhe të punojnë më shumë, me më shumë dashuri për këtë vend” tha  Gaçi.

Më herët, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vizitoi disa familjeve të dëshmorëve të atdheut.

Ilir Meta vizitoi familjen e dëshmorit të atdheut Osman Bubku, në Prezë. Gjatë takimit me të afërmit e dëshmorit të atdheut, Kryetari i Kuvendit vlerësoi sakrificën e bërë gjatë Luftës së Dytë Botërorë.

“Është një ditë që na detyron të gjithëve ndaj atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e atdheut. Për fat të keq edhe është hedhur baltë nga një pjesë e papërgjegjshme. Populli ka dhe instinktin e vetëmbrojtjes, kështu që i ruan simbolet si gjërat më të shtrenjta”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit vizitoi dhe familjen e dëshmorit Ramazan Sinani po në Prezë, ku u takua dhe me nipin e tij që mban të njëjtin emër, Ramazan Sinani.

Një tjetër ndalesë e z. Ilir Meta ishte në Vorë në familjen e dëshmorit Bektash Hala.  Gjatë takimit me nipin e tij, Ramiz Sula, Kryetari i Kuvendit tha se sakrificat e dëshmorëve duhet të vlerësohen dhe të ruhen të skalitura në kujtesën e popullit shqiptar.

Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta zhvilloi një vizitë dhe në familjen e dëshmorit të atdheut Skerdilajd Llagami, i cili ka humbur jetën në luftën e UÇK-së në vitin 2001./sotnews

Lajme të ngjashme

Back to top button