Millovanoviq-Fazliu: Pushteti maqedonas është si ai i Putinit dhe i Erdoganit

Qeveria maqedonase përmes mediumeve të cilat i kontrollon dhe fushatave të shtrenjta të marketingut po e përforcon idenë se maqedonasit po zhduken dhe janë të sulmuar, shkruan Ana Millovanoviq-Fazliu, vajza e ish-ambasadores amerikane në Maqedoni, Xhilien Millovanoviq, transmeton Portalb.

Millovanoviq-Fazliu në tekstin e botuar në ueb-faqen “Aleanca për Ndërtimin e Paqes”, përveç asaj që jep historikun për shtetin e Maqedonisë dhe marrëdhëniet maqedono-shqiptare, shkruan se arsyeja për fushatën e këtillë është rritja e popullatës shqiptare në Maqedoni, mosnjohja e emrit nga ana e Greqisë, si dhe mosnjohja e historisë dhe gjuhës nga ana e Bullgarisë.

Maqedonia, e cila është e pavarur nga viti 1991,  përbëhet nga shumica etnike maqedonase dhe pakica shqiptare (mes te tjerave). Përpos diskriminimit ndaj pakicës shqiptare, mediat nacionale maqedonase i janë larguar raportimit objektiv të këtyre çështjeve. Ky keqprezentim i medias ka shtyrë shumë maqedonas të bëjnë pyetjen se pse shpërtheu konflikti i vitit 2001, i udhëhequr nga kryengritësit shqiptarë që kërkonin liri për grupin e tyre etnik.

Ajo shkruan se derisa shqiptarët luftonin kundër diskriminim socio-ekonomik, përfaqësimit të dobët dhe joadekuat politik, dhe për të drejtën e tyre për t’u arsimuar në gjuhën amtare, ideja në të cilën besonin shumica e maqedonasve ishte se konflikti i 2001 ishte nxitur nga shqiptarët për shkaqe lakmie. Përkundrazi, shqiptarët ia kanë kujtuar fjalët e Stojan Andovit, atëbotë kryetar i Kuvendit, i cili tha se “e vetmja mënyrë që shqiptarët t’i fitojnë të drejtat e tyre është me armë.”

Një marrëveshje paqësore e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO), e përfundoi konfliktin, dhe 14 vjet më vonë maqedonasit në fuqi sigurojnë se marrëveshja është zbatuar plotësisht.  Ndërkohë, shqiptarët e shohin se marrëveshja nuk është më prioritet i Qeverisë dhe se MKO nuk po implementohet në mënyrën e duhur sa i përket sistemit të kuotave, decentralizimit dhe rregullimit ligjor të përdorimit të gjuhës.

Vajza e ish-ambasadores, në tekstin e vet merret edhe me “bombat” e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, të cilat, siç thotë ajo, e vënë në pah mungesën e integritetit demokratik në Maqedoni.

“Personalitete të shquara nga Qeveria dhe nga partia në pushtet VMRO-DPMNE janë xhiruar se si ndikojnë mbi gjykatësit, shtypin mediume, kurdisin zgjedhje dhe frikësojnë anëtarë të VMRO-së. Kryeministri Gruevski pohon se Zaevi po nxit puç shtetëror kundër tij dhe se dëshiron ta destabilizojë Maqedoninë. Aleati i Maqedonisë, Turqia, përdorte retorikë të ngjashme për t’i nxirë demonstratat antiqeveritare në vitin 2013”, thuhet në tekstin.

Millovanoviq-Fazliu shkruan se dy përfaqësues të BE-së kanë vërejtur diskriminim të paturpshëm gjatë bisedave, ku me fjalë ofenduese janë quajtur shqiptarët dhe romët.

“Minsitrja e Punëve të Brendshme është xhiruar duke thënë se është në rregull të mbahen 11 shqiptarë etnikë në burg, edhe pse s’ka dëshmi për fajin e tyre, sepse burgjet edhe ashtu janë plot me shqiptarë (shiptari)”, shkruan Millovanoviq-Fazliu, duke shtuar se të drejtat e minoriteteve, po ashtu, nuk janë prioritet as i opozitës.

Sektori joqeveritar maqedonas, sipas Millovanoviq-Fazliut, është i dobësuar për shkak të pohimeve të VMRO-së se shumica e atyre që i mbrojnë të drejtat e garantuara të njeriut janë “sorosoidë”, ndjekës të Xhorxh Sorosit, dhe se janë pjesë të komplotit global kundër Maqedonisë.

“Opozita kërkon reforma të cilat janë në vijë të njëjtë me qëndrimet e organizatave të huaja joqeveritare. Pikërisht për këtë arsye, VMRO e akuzon opozitën se punon për interesa të huaja. Kjo është e ngjashme me qasjen ruse ndaj OJQ-ve, si dhe të Taxhikistanit. Duke i mbyllur organizatat joqeveritare, pushteti i shkatërron përpjekjet e qytetarëve për të formuar grupe të interesit, që do t’i përfaqësojnë të drejtat e tyre”, thuhet në tekstin.

Përktheu dhe përshtati: Bardh Ajdini

Lajme të ngjashme

Back to top button