Kryeministri II

Bashkë me postin, kryeministri nuk jep vetëm betimin për të menaxhuar politikën shtetërore, por merr edhe pushtetin e nevojshëm për ta bërë një gjë të tillë. Prandaj assesi nuk mund të shfajësohet si një individ i pafuqishëm për të qenë përgjegjës për gjendjen e mjerueshme të shtetit të tërë. Në këtë rast (nëse jo më shumë) një qytetar i thjeshtë do të shndërrohej në poet të mjerimit; një qytetar i guximshëm do të bëhej arma paqësore, fjala e lirë, si zëri i popullit drejt armikut të vetë; ndërsa një qytetar i vetëdijshëm do të tentonte të sheh pas asaj që shihet.

Tashmë një kohë të gjatë populli i RM-së synoi integrimin në BE, për shkak të vlerave që ky union shtetesh përuron. Mirëpo, politika e udhëhequr nga kryeministri është paradoksalisht e kundërt, është pro-ruse. Derisa vlerë e BE-së është shpërndarja e drejtë e fitmeve nga zhvillimi ekonomik, përkundrazi në Maqedoni jo që nuk ka progres ekonomik, por edhe buxheti ekzistues ndahet në mënyrë jo proporcionale mes popullatës së gjallë dhe statujave të vdekura; vlerë e BE-së është solidariteti social, por në vend që t’u bëhet strehë të pastrehëve, politikëbërësi i Maqedonisë i detyron të papunët të braktisin edhe atë kulm që kanë mbi kokë; BE-ja kultivon ndërmarrësinë e lirë, ndërsa fati i Kosmosit është vetë mirëpritja e investitorëve vendas; BE bazohet në respektimin e dallimeve kulturore, linguistike e fetare, kurse në RM-së shqiptarët e myslimanët etiketohen si egërsira e terroristë të rrezikshëm; para së gjithash BE siguron respektimin e të drejtave të njeriut, po qytetari i RM-së nuk është i sigurt, është në çdo moment i rrezikuar të vuajë mungesën e familjes, si viktimë e ndonjë prej proceseve të montuara; BE përuron politika të mbrojtjes së mjedisit jetësor, kurse Tetova bëhet qyteti më i ndotur në Evropë…

Për të mos e tepruar me shembujt e pafundmë, do të mjaftonte vetëm ky i fundit i cekur: Jugohromi i famshëm sikur na bind se kryeministri jonë ëndërron, punon e flet rusisht! Deklaratat e Rusisë zyrtare vëmendje të madhe i kushtojnë Puçit dhe autenticitetit të bisedave të bombave opozitare, kurse aspak më të ndryshme nuk janë deklaratat e kryeministrit tonë! Me gjasë kjo sjellja e tij i ngjan një stërnipi të rebeluar, që duke iu hakmarrë stërgjyshërve për shpërnguljen e dikurshme ndërton një shtet rus në mes të Ballkanit! Mbase këtë komplot të pakuptimtë e gjeti duke gërmuar në histori, për të cilën gjë na shquhet kryeministri. Siç e dimë, Rusia ishte përkrahësja më e madhe e Bullgarisë, kur ajo synoi territorin e Maqedonisë dhe filloi Luftën e Dytë Ballkanike. Ndërsa do të mjaftonte romani ”Pirej” nga Andreevski, për të kuptuar si vëllai u detyrua të dorëzojë vëllanë, për të tjerët, serbët, bullgarët e grekët.

Gjithsesi, atë çfarë më së miri do të duhej ta kuptonte një historian si kryeministri, (edhe pse ky është ekonomist), është ngjashmëria e lojës ndërkombëtare me atë të shahut. Sado i dobishëm qoftë, një piun nuk mund të bëj dot lëvizjet e mbretëreshës, andaj dhe është më i padhembshëm dhe i pavlerë kur humbet. Sot a nesër, piuni rus kryeministër do ta braktisë postin ose posti do ta braktisë atë. Sidoqoftë, ajo që do të mbahet mend e kurrë nuk do të harrohet është fakti se ky shkaktoi lot, frikë, dhunë, dhimbje, robëri, ndarje, urrejtje, mjerim e çka tjetër jo! E në rast se edhe vrau ndonjë individ, do  të pavdekësohet në kujtesë si vrasës i tërë njerëzimit, tek ata qytetarë, të cilëve pasqyra u pëshpërit:
“Je suis Goshinca”;
“Je suis A1”;
“Je suis Sopoti”;
“Je suis Monstra”;
“Je suis Brodeci”;

“Je suis Enciklopedia”;
“Je suis “Skopje 2014”;
“Je suis Harun Aliu, Shaban Zenuni, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala.”… Thjesht, sepse edhe në romanin e Dostojevskit, shkrimtarit të madh rus, krimi s’mbetet pa u ndëshkuar.

(Autorja është studente në Shkenca Politike dhe Diplomaci, FON)

Lajme të ngjashme

Back to top button