A MENDON KUSH PËR PASOJAT?

Historia jonë, them unë, është shkruar me gjak e me lotët e nënave të shkreta. E tillë, tragjike, ka mbetur të dëshmojë, kryesisht, në vargjet e këngës popullore. Në çdo fjalë të epikës sonë, por jo vetëm të saj, duket si kullon gjaku i njerëzve të pafajshëm të cilët kanë rënë duke e mbrojtur pragun, oxhakun, fytyrën, por edhe pushtetin e të huajve. Dhe, mbrojtja e pushteti të huaj e thekson tragjiken e historisë sonë.

Njëherë Roma, shekuj të tërë, pastaj Bizanti, pastaj Nemanjiqët, pastaj turqit osmanlinj, pastaj serbët, grekët dhe ku ta di se kush tjetër… Kurrë, kurrë – të lirë! Deri në vitin 1912, kur mezi u shpëtua një copë dheu, një e treta (ndoshta edhe më pak) e trojeve ku jetonin me shumicë shqiptarët. Të gjithë ata që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar në këtë vit, i priti llahtari.  Të shkretët njerëz ishin të detyruar që me pak shpirt ta kapërcenin Golgotën dhe urën e xhehenemit, për ta shpëtuar kokën. Për fat të keq këtë urë nuk ia dolën ta kalojnë shqiptarët e shumë qyteteve të Serbisë dhe të Greqisë së sotme. I fshiu fshesa e hekurt. Disa përfunduan në vdekje, të tjerët në fshatrat e lagjet e qyteteve të Turqisë për të mos u kthyer kurrë më në vendet e të parëve, disa të tjerë u detyruan të konvertoheshin në ortodoks, si në rastin e tmerrshëm që ndodhi në Malin e Zi në vitin 1926, kur ushtria malazeze i detyronte me dhunë shqiptarët të heqin dorë nga feja e të parëve të tyre, ndërsa ortodoksët ta braktisin gjuhën shqipe. Pas kësaj dhune vendlindjet e tyre i braktisën shumë shqiptarë të besimit katolik e mysliman, kurse ata që nuk e patën këtë mundësi u shkrinë në etnosin sllav malazias, bashkë me shqiptarët ortodoksë. Po nuk janë vetëm këto raste. Në puset e shumë fshatrave të braktisura shqiptare kanë mbetur plot njerëz të vrarë, njësoj si nëpër gremina, gryka e brigje shkëmbore të lumenjve e të maleve. Ngado që kanë qenë të parët tanë i  kanë pritur thika, shpata e pushka, por edhe politikat e shteteve të reja ballkanike të formuara mbi indin tonë etnik, politika këto që nuk kanë qenë më pak vrastare se arma.

U përsërit drama që e përjetuan ilirët pas rënies së mbretëreshës Teutë, u përsërit edhe drama pas vdekjes së Skënderbeut disa herë.

Halli i dështimeve tona gjithmonë kanë qenë ndasitë dhe përçarjet e natyrave të ndryshme midis njerëzve të popullit tonë. Dhe, ato pala tjetër i ka përdorur me shekuj deri në përpikëri. Për fat të keq, i përdor edhe sot.

Asnjëherë, përveç rastit të Skënderbeut nuk ka pasur një lider që do të mundte t’i afronte të gjitha forcat politike, e me të edhe popullin, rreth vetes.

Këto politika e kanë boshatisur Pirotin, Nishin Leskovcin, Vranjën, Lebanen, Kurshumlinë, Novi Pazarin, Sjenicën, Tivarin, Podgoricën, Rozhajën, Plavën, Prilepin, Manastirin, Resnjën, Janinën, Pargën, Prevezën e ku ta di unë se sa fshatra gjithandej. Të gjithë kanë kërkuar të na e humbin farën, të na tresin, të na zhbëjnë, mos të na mbetet nam e nishan. Deshi Zoti dhe e mbështeti pak rezistencën tonë për ta mbrojtur qenien dhe gjuhën shqipe e ja ne mbetëm deri në ditët e sotme të dëshmojmë për një gjuhë të lashtë e të bukur, për një gjuhë dokument të rëndësishëm për trashëgiminë indoevropiane. Mbetëm ne, pa marrë parasysh politikat e fqinjëve tanë që nuk ndryshuan qe dy shekuj e që në fokus të politikave të tyre vazhdojnë ta mbajnë me këmbëngulje zhbërjen tonë.

Asnjëra nga këto politika kurrë nuk e ka pasur parasysh kontributin që e kanë dhënë shqiptarët për zhvillimin e vendeve ku kanë mbetur pa vullnetin e tyre. Asnjë mirënjohje nuk pati në këto shtete për mijëra e mijëra krahë që kanë qenë vendimtarë për ndërtimin dhe modernizimin e qyteteve si Beogradi, Novi Sadi, Shkupi, Podgorica e shumë qytete të tjera, asnjë mirënjohje për krijues të talentuar shqiptarë që shkruan në gjuhët zyrtare të shteteve ballkanike, që përkthyen një numër të madh të autorëve të këtyre shteteve, asnjë mirënjohje për bujqit shqiptarë, për aktorë të ndryshëm, për piktorë dhe artistë të fushave të ndryshme të arteve.

Në vend të mirënjohjeve me vite, me decenie dhe me shekuj kemi marrë fyerje, të ngjashme me këto të fundit, me të cilat na “qerasën” funksionarët e lartë maqedonas. Në vend se ta kuptojnë se shqiptarët janë element stabilizimi i të gjitha vendeve ku janë të detyruar të jetojnë, politikanët e këtyre vendeve mundohen të inskenojnë dredhi të ndryshme për t’i nxirë shqiptarët dhe për t’i paraqitur para botës si popull problematik. Në këtë kontekst le t’i përmendim provokimet e pareshtura që qeveria serbe u bën shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë.

Të tilla janë edhe rastet bajate të Goshincës, të Malinës, të Kumanovës dhe të vendeve të tjera, që kanë për qëllim iritimin e turmave shqiptare e përmes kësaj edhe defokusimin e publikut të gjerë të vendit nga ngjarjet që lidhen me skandale të ndryshme politike. Punët me këto dallavere shkuan aq larg sa e prekën edhe bashkësinë islame me një qëllim të thjeshtë e të vetëm: thellimin e përçarjeve ndër shqiptarë që të arrihen dy caqe – defokusimi i publikut (që u përmend) dhe caku tjetër – përçaj e sundo. Ky cak, përçaj e sundo, sjell mjaft favore politike te projektuesit e telasheve brendashqiptare, sepse këtu në të gjitha zgjedhjet përparësi kanë pasur ato parti që e kanë propaganduar antishqiptarizmin.

Se nuk është e ndershme kjo punë – nuk është, por nga shumë parti joshqiptare nuk mund të pritet diçka tjetër. Ato edhe në të ardhmen do t’i shfrytëzojnë të gjitha ndasitë tona fetare, por edhe dallimet e vogla brenda një feje, pastaj edhe ndasitë partiake, krahinore e ndasitë midis komunave etj. për t’i realizuar interesat e tyre politike.

Po mirë, kjo dihet e kuptohet. Mirëpo nuk kuptohen partitë politike shqiptare. Nuk i kupton kush pse nuk ndërmarrin asgjë t’i pengojnë provokimet, po lejuan që dikush aq thjeshtë t’u futet edhe në BFI që ta bëjë edhe një ndasi, edhe një përçarje spaktakulare dhe kësisoj shtizat e konflikteve politike e juridike midis partive maqedonase të thyhen mbi kurrizin e shqiptarëve të varfër. Çudi, këta njerëz as nuk veprojnë e as nuk largohen nga pushteti inekzistent. Pse vallë? A aq pak e njohin historinë e kombit të vet? A na duhet edhe një dramë si ato drama me përmasa epike e biblike që na kanë ndodhur e që na janë përsëritur për shkak të ndasive dhe të përçarjeve?  Dhe, çka na duhen në këtë tollovi edhe klerikët militantë me armë që kërkojnë kokën e njëri-tjetrit e në fakt realizojnë atë që nuk duhet të realizohet përmes nesh? A mendon vallë kush nga faktori politik për pasojat e këtyre ngjarjeve?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button