A e zgjidhin krizën në Maqedoni, kurbanet e Gruevskit?

Kryeministri Nikolla Gruevski në kongresin e 15-të të VMRO DPMNE-së paralajmëroi ndryshimin e ekipit të tij, ai theksoi se në radhët e partisë ka persona të lodhur që duhet të zëvendësohen me lojtarë të rinj. A është kjo një strategji mirë e përgatitur për të “shpëtuar” kokën e vet në kurriz të bashkëpunëtorëve të tij? Nëse ndodh që të shkojnë kurban apo të zëvendësohet kryepolicja e shumëpërfolur Gordana Jankullovska, shefi i intelegjencës dhe kushëriri i tij, Sasho Mijallkov si dhe ministri i financave apo kumbara e tij, Zoran Stavreski, a do të zgjidhej kriza politike në vend?

Njohësit e çështjeve politike theksojnë se zëvendësimi i funksionarëve në radhët e VMRO-së nuk do të zgjidh kaosin politik që po mbizotëron në Maqedoni.

Publicisti Xhelal Neziri thekson se kjo është vetëm një tentim për përmirësimin e imazhit të rrënuar te  ndërkombëtarët me atë që do të tregojë gatishmëri që t’i sakrifikojë të gjithë rreth tij, në përjashtim të vetes dhe kushëririt të tij.

“Është një ofertë që ka për qëllim tregimin e një fleksibiliteti të rremë nga ana e Gruevskit në procesin negociues me opozitën. Është një tentim për përmirësimin e imazhit të rrënuar te  ndërkombëtarët me atë që do të tregojë gatishmëri që t’i sakrifikojë të gjithë rreth tij, në përjashtim të vetes dhe kushëririt të tij”, tha Neziri për Portalb.

Ai shtoi se kompromis më i pranueshëm dhe korrekt di të ishte një qeveri ekspertësh kredibilë që do të jetë e aftë të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Mendoj se kompromis më i pranueshëm dhe korrekt di të ishte një qeveri ekspertësh kredibilë që do të jetë e aftë të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Gjithçka tjetër është vetëm një manovrim bosh politik qe nuk do te ndryshonte asgjë në rrafshin e funksionimit të sistemit politik dhe juridik në Maqedoni”, shtoi Neziri.

Gazetari dhe analisti politik Sasho Ordanovski po ashtu thekson se zëvendësimi i funksionarëve nuk është zgjidhje për situatën momentale e cila po mbizotëron në vend.

“Të gjithë e dimë madje edhe vetë Gruevski e di se kjo nuk është zgjidhje, por ja që duhet të bëjë një gjë të tillë të tregoj kinse po punon për zgjidhje të situatës. Por kjo nuk ka për të ndryshuar asgjë”, tha Ordanovski për Portalb.

Ai shtoi, se ai që duhet të zëvendësohet është  Gruevski dhe jo funksionarët, sepse ata po udhëheqin politikat e shefit të tyre.

“Pas gjithë kësaj që jemi duke përjetuar e dëgjuar mendoj se ai që duhet të zëvendësohet është vetë Gruevski e jo funksionarët e tij, sepse ata thjesht dëgjojnë urdhrat e shefit të tyre”, shtoi Ordanovski.

Ndërkaq Gruevski nuk foli për kuadro konkrete, ndryshe nga çfarë po përflitet prej ditësh në opinion, për largimin e Gordana Jankullovskës, Zoran Stavrevskit dhe Mile Janakievskit, si dhe të drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov. /Portalb

LEXO: Zaev porositi Gruevskin: Problemi është te ti, prandaj ik!

Lajme të ngjashme

Back to top button