Ç’po ndodh në BFI-në e Maqedonisë?

Sa mirë do të ishte që ca njerëz, të kishin edhe një bisht si të kalit, për të trembur mizat pafund, që i ngjiten trupit të tyre të mbushur me ndyrësira…

Pas ndodhive të fundit në Gushincën e Kumanovës, ku dështoi i gjithë plani për destabilizim dhe defokusim të situatës së përgjimeve, fshehjes së krimeve qeveritare, tradhtive, fyerjeve dhe dyfytyrësisë së partive në pushtet, e posaçërisht VMRO-së, sepse BDI-ja është kukull teatri në duart e partisë maqedonase, çdo person, i cili sadopak ka krenari në zemrën dhe fytyrën e tij, e ka pasur parasysh se shërbimet sekrete do të prekin në vendet më të ndjeshme të shqiptarëve, duke e ditur faktin se si LSDM-ja, poashtu edhe VMRO-ja, nuk kanë shpresë për një destabilizim dhe defokusim me maqedonasit, sepse maqedonasit nuk janë aq naiv që të dënohen dhe arrestohen për interesat personale të dikujt tjetër.

LSDM-ja disa herë ka shprehur dëshirë për një “vëllazëri” me shqiptarët, me qëllim që të manipulohemi dhe të jemi shkaktari i destabilizimeve dhe me këtë, ta rrëzojmë qeverinë e Gruevskit, por edhe të marrim një minus te faktori ndërkombëtarë, të dalim si “bisha” që çdoherë ndezin luftëra.

Nga ana tjetër, Gruevski dhe klani i tij, dëshirojnë incidente me qëllim të defokusimit, por jo edhe një destabilizim, i cili do të çojë drejt rrëzimit të qeverisë. Incidente të montuara apo të paguara me qëllim që mos të dëgjohen përgjimet që po publikohen nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ata nuk u drejtuan tek Kisha Ortodokse Maqedonase, sepse askush nga maqedonasit nuk është aq naiv që t’ia dorëzojë trurin dhe zemrën priftit të kishës, për të manipuluar me të kushdo dhe kurdo që të dëshirojë.

Në dallim prej Zorav Zaevit, të cilit i konvenon bashkimi i shqiptarëve për ta ngritur zërin dhe e gjithë kjo për interesat e tij partiake, Nikolla Gruevski dhe klani i tij dëshirojnë copëtimin e shqiptarëve dhe incidente brenda tyre, për interesa qeveritare. Pasi që shumica e shqiptarëve në Maqedoni i takojnë komunitetit mysliman, ata vendosën që “eksplozivin” e incidenteve ta montojnë në institucionin e vetëm fetarë të myslimanëve në Maqedoni, me qëllim të përçarjes, incidenteve dhe “zërit të dobët” që do të dëgjohet nga radhët e përçara dhe të ndara.

Çdokush i cili e ndjek situatën në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë, e ka të ditur se Reisi Sulejman Rexhepi në mënyrë “dinake” u doli nga kontrolli shërbimeve me të cilat bashkëpunoi dhe të cilat i ndihmuan që të futet në këtë institucion, me dhunë dhe pastaj “legjitim” me një konsensus të palogjikshëm.

Deklaratat e fundit të Sulejman Rexhepit kanë qenë anti maqedonase, e posaçërisht anti qeverisë të cilën ai e quan anti shqiptare dhe anti myslimane. Këto deklarata kanë tronditur “mikun e bllagosllovitur”, i cili që moti dëshiron t’i hakmerret, por nuk ka pasur mjete dhe njerëz, e s’ka dyshim se hakmarrja dhe goditja më e mirë që mund ta bëjë dikush, është prej brenda, në varrën e cila moti rrjedh gjak, por askush nuk e nuhatë, askush nuk e sheh.

Konfliktet brenda BFI-së ekzistojnë që moti, edhe atë që nga dorëheqja e Taxhedin Bislimit dhe klanit të tij, por mosmarrëveshjet dhe konfliktet janë heshtur gjithmonë sepse të gjitha klanet, i ka bashkuar interesi personal, e falë këtij interesi, ata shpesh e kanë lavdëruar njëri tjetrin, kanë shprehur dashuri për njëri tjetrin, edhe pse kanë qenë të përçarë. Para disa muajve, Ibrahim Shabani lavdëronte Reisin e BFI-së, por edhe Afrim Tahiri e mbronte atë me çdo kusht. A thua ku qëndron problemi?

Forcimi i lidhjeve të Sulejman Rexhepit me Arabinë Saudite dhe ambasadën amerikane, ka bërë që ai të jetë më i pavarur nga të ardhurat e “shefave” të tij, por për këto të ardhura financiare, duhet të plotësohen disa kushte, me qëllim që çdo lëvizje, xhematë apo grup, të futet “nën kontrollin” e Sulltan Sulejmanit, që në mesin e myslimanëve mos të ekzistojë anarki e cila do t’i rrezikojë interesat e “backgroundit” të panjohur, i cili për njerëzit e mençur çdoherë ka qenë sekret publik.

Nga ana tjetër ne e kemi një lëvizje opozitare “të dhunshme” e cila lidhjet e saja i ka të forcuara me Turqinë dhe vendet tjera anti saudite, të cilat për të filluar transferimin e të hollave, nevojitet vulë dhe legjitimitet të BFI-së, por me kusht që të prishen marrëdhëniet me anën tjetër të “armiqve” arab (për këtë pikë duhet të shkruhet më shumë), por fute këtu edhe ndikimin e qeverisë maqedonase e cila nëpërmjet kësaj lëvizje dëshiron që t’i hakmerret Sulltan Sulejmanit i cili u doli nga kontrolli dhe filloi t’i kritikojë ashpër, por këto pika vijnë pas, sepse kryesorja është destabilizimi i oborrit të komshiut, për ta ruajtur oborrin e tij. Është rregull në strategjinë e luftës, se ai i cili dëshiron ta arrijë stabilizimin e vendit të tij, duhet t’i bëjë destabilizimet në vendet tjera, me qëllim që të fshihet krimi dhe fajësia në vendin e tij, qeverinë e tij, pushtetin e tij, klanin e tij.

Afrim Tahiri, Ibrahim Shabani dhe Skender Buzaku, thuajse në çdo deklaratë që e kanë dhënë në media, kanë bërë thirrje që “policia të intervenojë” në xhamitë të cilat nuk janë të kontrolluara nga Myftinia e Shkupit. Parashtrojmë pyetje: Pse sot nuk është intervenuar kundër tyre kur ata u futën me dhunë në institucionet e BFI-së, duke vjedhur vulat?

A thua pse mu në këtë kohë ndodhin këto incidente, kur Afrim Tahiri publikisht deklaron se Reisi i BFI-së që nga viti 2011, nuk është legjitim? Pse katër vite është fshehur kjo “e vërtetë”?

“Kur i ngjiteni majës së karrierës, mos harroni se kanë qenë shumë shtate njerëzish që ju çuan atje lartë…” thuhet në librin “Këshillat e djallit” të autorit Dio Gelev.

Si Sulltan Sulejmani, po ashtu edhe këta të “pakënaqurit” kanë ndihmuar njëri tjetrin në karrierat personale, që të qëndrojnë brenda duke e fshehur zullumin që tanimë po shfaqet. Me sa fytyrë dalin deklarata kundër njëri tjetrit, kur dihet se deri dje ishit që të gjithë bashkë?

Nëpërmjet kësaj përçarjeje që ndodhi këto ditë, Gruevski dhe klani i tij e arrijnë qëllimin dhe i prishin planet e Zaevit i cili dëshironte që destabilizimin dhe rrëzimin e kësaj qeverie ta bëjë nëpërmjet shqiptarëve.

Përderisa autoritetet që përfaqësojnë “Islamin” përçahen se kush do t’i thith të ardhurat e sheikëve dhe kryetarëve nëpër tokat arabe dhe turke, duke u kontrolluar nga ambasadat ndërkombëtare në Maqedoni, myslimanët po bëhen pikë e pesë, po shpërndahen dhe po përçahen, për ta kënaqur një klan dhe apo një politikë e njerëzve të shitur.

Për fund, i këshilloj të gjithë shqiptarët mysliman, që mos të bëhen “kurban” i konflikteve të interesave personale, sepse të gjitha këto përçarje janë në dëm të myslimanëve dhe në shërbim të mbushjes së xhepave të njerëzve të papërgjegjshëm, me çallme dhe xhybe, të cilët asnjëherë nuk e kanë shijuar drejtësinë, por janë rritur dhe përfituan nga dinakëria, padrejtësia dhe gënjeshtra në emër të fesë Islame.

Na përçanë radhët,

Zoti i përçaftë,

ashtu si na ndanë,

Zoti ata i ndaftë.

Ç’faj kam unë?

Në gjithë këtë konflikt,

Kur nga korrupsioni,

të gjithë jeni të stërpiktë.

Mos na mashtroni,

të luani me ndjenjat tona,

BFI-ja nuk është e juaja,

Ka qenë dhe mbetet e jona.

Lajme të ngjashme

Back to top button