Shqiptarët midis integrimit evropian dhe konceptit të shtetit kombëtar

Populli shqiptar, pa dyshim është një nga popujt me rrënjë thellë të ngulitura në Gadishullin Ballkanik, por shtrirja gjeografike, në hapësirën midis Lindjes dhe Perëndimit, sikur e kanë vënë në dilemë orientimin strategjik të këtij populli: kah Lindja apo kah Perëndimi.

Si një popull liridashës, shqiptarët gjithnjë ishin në kërkim të lirisë. Si i këtillë, ai bëri përçapje herë kah Lindja e herë kah Perëndimi, edhe pse potencialet e plota të popullit shqiptar pothuajse asnjëherë nuk janë unifikuar drejt një orientimi të vetëm. Në qoftë analizojmë të kaluarën e qindvjeçarit që lamë pas, nuk është vështirë të konstatojmë se, në kohën kur popujt tjerë ballkanikë i patën formësuar shtetet e tyre kombëtare, angazhimet shqiptare kënaqeshin në kërkesën për autonomi në kuadër të Perandorisë Osmane. Mirëpo, kur kjo e fundit nuk mundej të mbronte veten e lëre më shqiptarët, krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përnjëherë sikur u zgjuan, duke shpallur Shqipërinë e pavarur. Në vijim të procesit të shtetkrijimit, shteti i brishtë shqiptar arriti të mbijetojë sfidat e kohës, do të thoja më shumë si rrjedhojë e rivalitetit midis Fuqive të Mëdha se sa kapacitetit të përgjysmuar kombëtar.

Pas Luftës së Madhe Antifashiste, populli shqiptar i shfrytëzoi potencialet e tij kombëtare, duke e hedhur atë në gjirin e doktrinës komuniste, mirëpo zhvillimi i ngjarjeve do të dëshmojë se edhe kjo ishte “eksperimenti” i radhës. Më në fund, rënia e sistemit komunist, sërish, i hapi portat për një rishikim të orientimit strategjik kombëtar. Pra, sot kur shqiptarët festojnë 100-vjetorin e Pavarësisë, kur Kosova gëzon lirinë e saj dhe shqiptarët e Maqedonisë hapërojnë drejt lirisë së ëndërruar, nuk ekziston mëdyshja: Lindja apo Perëndimi, ose sistemi plural apo monist, por aktualisht ekziston dilema midis: unifikimit kombëtar apo integrimit evropian.         

Për dallim nga popujt e tjerë ballkanikë, të cilët i përmbyllën çështjet e identiteteve politiko-territoriale, populli shqiptar arriti që ta rrumbullakësojë vetëm çështjen e identitetit kulturor të kombit, por nuk arriti ta mbyll procesin e identitetit politik të shtetit-kombëtar.

# # #

Mëdyshjet e shqiptarëve, midis shtetit kombëtar dhe integrimeve evropiane janë rrjedhojë e disa fenomeneve shoqërore evropiane dhe ballkanike:

  • Tendenca e popujve evropianë për të njësuar shtetin me kombin, si nga ata që potencojnë lidhjet e grupeve të ndryshme etnike përmes simboleve të përbashkëta (modeli qytetar), poashtu dhe nga ata që potencojnë sovranitetin politik në emër të kombit (modeli etnik – karakteristik për vendet e Ballkanit, Z. R.);
  • E kaluara evropiane dhe ballkanike, gjatë shekullit XX, që nuk ishte aspak e këndshme për popullin shqiptar, dhe së fundi,
  • Kriza ekonomike financiare që ka kapluar një pjesë të Evropës së Bashkuar, krizë që mund të vë në pikëpyetje tërë projektin evropian.

Mëdyshja kryesore që i vë në dilemë shqiptarët është shteti-kombëtar (i unifikuar), si një fenomen evropian që lindi në rrethana të caktuara historike, por që vazhdon të mbetet present në ndërgjegjen e popujve të kontinentit. Edhe shqiptarët, njëqind vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sikurse të tjerët nuk mund t’i shmangen këtij fenomeni.

Pikërisht, ishte ideja kombëtare ajo që i ka mobilizuar masat e gjera deri në skajshmëri ekstreme, ndërsa tek shqiptarët kjo erdhi në shprehje në kohën e Lidhjes së Prizrenit, kur ideja kombëtare i la mënjanë edhe doktrinat religjioze. Pra, Koncepti i kombit do të ushtrojë rol vendimtar në zhvillimin e proceseve shoqëroro-politike, madje ndikim edhe më të madh se doktrinat religjioze që konsideroheshin si hyjnore. Ndikimi i këtij koncepti është i lidhur drejtpërdrejt me prejardhjen e “llojit” ku gjuha e folur është elementi përcaktues.

Revolucioni Francez, përmes Deklaratës së të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit, më 26 gusht 1789, e shkëpuste shoqërinë franceze traditat e vjetra, por njëkohësisht përcaktonte një koncept të ri për shoqërinë, e cila do të organizojë një sistem unik arsimor që të theksonte vlerat kombëtare …besnikëria tradicionale ndaj kishës duhej të zëvendësohet me besnikërinë ndaj kombit–shtet.

Alternativa komuniste, që u shfaq më vonë, jo vetëm që nuk e eliminoi konceptin e shtetit-komb, por pas rënies së rënies së sistemit komunist, të gjithë popujt që u ndodhën në kuadër të atij sistemi iu rikthyen koceptit të shtetit-komb.

Çështja e dytë, zhvillimi historik në Evropë dhe në veçanti në Ballkan, ka lënë gjurmë të thella mosbesimi midis kombeve të rajonit. Mosbesimi midis popujve ballkanik është një pengesë serioze në procesin drejt Familjes së Madhe Evropiane.

Fundi i Luftës së Parë Botërore ishte një rast ideal historik që iu dha Fuqive të Mëdha – fituese, për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndëretnike në Ballkan, sipas principit të propozuar nga presidenti amerikan Udrou Uillson – vetëvendosjes së popujve. E quaj këtë një rast ideal, sepse dy fuqitë e mëdha, të cilat kishin garuar për zgjerim të influencës së tyre në Ballkan, Rusia dhe Austro-Hungaria, ishin përjashtuar nga mundësia e ndonjë farë ndikimi, përderisa Rusia përpëlitej në Revolucionin Sovjetik dhe nuk mori pjesë në vendosjen e rendit evropian, Austro-Hungaria ishte shpartalluar si fuqi. Mirëpo, fuqitë fituese nuk shprehën gatishmëri për të arritur zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan.

Me krijimin e Jugosllavisë, Franca dhe Britania e Madhe e zgjodhën opsionin, jo të zgjidhjes së antagonizmave ndëretnike në Ballkan, por atë të “përgjumjes”, duke i mbuluar kundërthëniet të cilat do të shpërthejnë me tërë energjinë e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, poashtu në periudhën e shpërbërjes së Jugosllavisë Federative (1989/91).

Në periudhën kur në Evropën Lindore dhe Juglindore zhvillohen ndryshime të mëdha shoqëroro-politike në kahe progresive, me ç’rast rrënohet sistemi komunist dhe shpërbëhet Aleanca ushtarake e Varshavës dhe BRSS, në Jugosllavi proceset zhvillohen në kahje të konfrontimit. Popujt që jetonin në kuadër të ish-Jugosllavisë shfaqën tendenca për shkëputje nga federata dhe krijimin e shtetetve të pavarura. Kështu, nga gërmadhat e “eksperimentit” të quajtur Jugosllavi u krijuan shtete të reja të pavarura, si: Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Pra, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX, në Ballkan sërish rishfaqet ekskluziviteti etnik i popujve ballkanikë – përsëritet historia, e cila shfaqet përmes ideve shumë primitive, të projekteve të tipit “Naçertania” për “shtete të mëdha”, që në fakt ishte vetëm derdhje e kotë e energjive të popullit vetanak. Përderisa “Evropa e ish sistemit komunist” bënte hapat e shpejtë drejt Familjes së Madhe Evropiane, popujt ballkanikë (ish-Jugosllavisë) edhe njëherë u zhytën në konflikte të përgjakshme ndëretnike, me synime të përkufizimeve të reja të shtetit-kombëtar.

Luftërat, gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë janë një tregues i qartë se disa nga popujt e Ballkanit, edhe në kohën kur euro-integrimet janë të pashmangshme, nuk patën hequr dorë nga projektet e tyre megalomane. Kjo në fakt është një nga sfidat më të mëdha me të cilën ndeshet koncepti evropian dhe jo rastësisht i tërë procesi, në hapësirat ballkanike është vonuar.

Koncepti i euro-integrimeve është një proces historik që krahas mirëqenies ekonomike, përpiqet t’i zgjidh edhe kundërthëniet ndëretnike. Për deri sa pjesa më e madhe e popujve evropianë pothuajse i kanë zgjidhur problemet madhore, në Ballkan ky proces has në pengesa serioze. Pa dyshim se, kjo është pasojë e zhvillimit të vonuar historik të Ballkanasve, të cilët janë barikaduar pas ëndrrave mitike të tyre, nga të cilat nuk mund të çlirohen as dhe në ditët e sotme.

Evropa e Bashkuar është fryt i përpjekjeve shekullore, të idealistëve dhe mendimtarëve të mëdhenj që lanë gjurmët e tyre në vlerat e qytetërimit evropian. Edhe pse e ëndërruan, në forma të ndryshme, brezra të shumtë të Evropianëve nuk patën fatin ta përjetojnë qytetërimin e tyre pa bariera kufitare – qarkullimin e lirë të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitalit. Edhe pse akoma i papërfunduar si proces historik, Evropa e Bashkuar pas Luftës së Dytë Botërore bëhet realitet historik, ndërkaq me kalimin e kohës shndërrohet në shpresë për mbarë njerëzimin.           

Vlenë të theksohet se në kuadër të sistemit të Evropës së Bashkuar janë të siguruara, si asnjëherë më parë, veçantitë kulturo-gjuhësore, zakonet dhe traditat e popujve evropianë, megjithatë ideja evopiane e shtetit-komb, shikuar nga aspekti historik është treguar më e fuqishme se të gjitha doktrinat ideologjike, gjë që është një tregues i qartë se sa thellë i ka lëshuar rrënjët koncepti i shtetit kombëtar.

Evropën e Bashkuar në periudhën bashkëkohore e karakterizon “ndjenja e bashkëpërkatësisë”, një fenomen që nuk ishte karakteristike për popujt evropianë në shekujt e kaluar. Edhe pse duhet pranuar se përmes integrimit evropian nuk do të arrihet të krijohet kombi “Evropian”, sepse dallimet kombëtare i kanë rrënjët e tyre thellë në historinë e qytetërimit njerëzor, megjithatë ndjenja e përbashkët evropiane kundrejt të tjerëve, do të jetë e nevojshme të kultivohet për të ruajtur kohezionin e brendshëm.

Mirëpo, duhet të theksohet se projekti i Evropës së Bashkuar është antitezë e shtetit-komb¸ që në fakt e rrezikon konceptin e vjetër evropian të shtetit-kombëtar. Në këtë kontekst, tek shqiptarët kundërshtitë shfaqen në formën euroskeptike dhe etnonacionaliste.

Euroskeptikët, të veshur me petkun e “shkencëtarit” apo të “analistit”, duke mos poseduar njohuri të mjaftueshme për zhvllimet historike evropiane, nuk mund të çlirohen nga mendësia e vjetër apo nga pikëpamjet antiperëndimore, ndërkaq etnonacionalistët, përmes shfaqjeve të lëvizjeve nacionaliste përpiqen të ngrenë ”kështjella” kombëtare që në fakt janë në kundërshtim me vetë projektin evropian, pra jo krijim të kufijve shtetëror dhe kombëtar, por eliminimin e tyre.

Megjithatë, këto që thamë më lartë janë tendenca margjinale, sepse shqiptarët më shumë se cilido popull tjetër në Ballkan u besojnë vlerave perëndimore të demokracisë liberale. Edhe përkundër ndikimeve religjioze dhe kulturore të Lindjes, paluhatshmërisht shqiptarët mbetën me orientim Perëndimor.

Mirëpo, vlen të theksohet se, gjendjen e shqiptarëve jashtë Shqipërisë e vështirëson ngecja e procesit eurointegrues të Shqipërisë, e cila mund të ndikojë edhe në zhvillimet rajonale, kudo ku jetojnë shqiptarët. Është iritues fakti, se Shqipëria, e cila akoma pas 22 vjetësh nuk arrin t’u prijë proceseve eurointegruese, kur dihet fakti se dy republikat jugosllave tashmë janë anëtare të Evropës së Bashkuar, bile edhe Serbia, krimet e së cilës janë të freskëta kundër popujve tjerë të ish-Jugosllavisë, bën hapa të shpejtë drejt Familjes Evropiane. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një satisfaksion, por NATO është garancë e Shqipërisë nga armiq të jashtëm, dhe nuk mund ta sigurojë Shqipërinë nga vetëvetja.

Nga ana tjetër, shfaqja e identitetit të veçantë etno-kulturor “Kosovar” do të hap sfida shtesë brendakombëtare, që shqiptarët e Maqedonisë do të përballeshin me një situatë tejet apsurde. Në këtë drejtim, në skenën e zhvillimeve shoqërore shfaqen mendime të ndara: ku sipas Halil Matoshit: “Ata që flasin e shkruajnë për një komb të vetëm shqiptar dhe janë për vazhdimin e projektit të Rilindjes Kombëtare të krijimit të një shteti kombëtar të shqiptarëve kanë mbetur prapa kohe”, ndërkaq sipas akademik Rexhep Qosjes, “Kosovarizmi është “ideologji kundërhistorike” me të cilën do të mposhtej përgjithmonë ideja që e ka lëvizur historinë e popullit shqiptar prej Lidhjes së Prizrenit e këndej – ideja e bashkimit kombëtar”.

Çështja e tretë, kriza ekonomike financiare e Evropës së Bashkuar, mbetet mëdyshja më e madhe ndër shqiptarët. Në realitet të gjitha shpresat e kombit shqiptar për një mirëqenie ekonomike varen në “ëndrrën” evropiane, por megjithatë ekziston dilema, se a thua mund të shembet kjo ëndërr, në qoftë se projekti evropian (Evropa e Bashkuar) nuk do të mund të mbijetojë… Pikërisht për shkak të mëdyshjeve të mëdha, brezi i ardhshëm kombëtar duhet të nihet me projektet alternative, si vision për të ardhmen kombëtare, në rast të rënies së “Kalasë Evropiane”.

Lajme të ngjashme

Back to top button