Analizë: Të nesërmen

Fillimisht mendohej se presioni i ashpër ndaj gazetarëve dhe mediave në Maqedoni është rezultat i lidhjes fatkeqe të një personi “të ftohur”, i cili ka ardhur në kontakt me fuqinë e pakufizuar në shtet. Mirëpo, me kalimin e kohës, gjatë tre-katër viteve të kaluara, u pa se “ftohja” nga e cila lëngon pushteti ka formë ngjitëse, me metastaza në gjithë trupin e sistemit mediatik në Maqedoni

 

Shkruan: Sasho Ordanovski, еkspert i shkencave të komunikimit

 

Kur në një debat të paradokohshëm gazetaresk e dëgjova redaktorin e programit informativ të TVM-së, Goran Petreski, se si ankohet se transmetuesi publik paska pasur presione nga protestat e kohë pas kohëshme, paqësore, mirëpo të zhurmshme, para ndërtesës së RTVM-së të gjeneralit Stojanço Angellov dhe nga disa qindra qytetarë të pakënaqur nga mënyra se si raporton shërbimi ynë informativ publik, nuk e dija se a bëhet fjalë për ndonjë shaka të ngathët apo për deklaratë serioze… Për shkak vetëm pas dy-tre karrigeve prapa Petreskit, i cili me siguri nuk ishte i vetëdijshëm për këtë, ishte i ulur kolegu Tomisllav Kezharovski, i cili me stazhin e tij tetëmujor në burg, e pastaj edhe 13 muaj në arrest shtëpiak, plus të gjitha kërcënimet e shqiptuara dhe të pashqiptuara policore dhe të tjera, me gjasë është eksperti më i madh në Maqedoni për të sqaruar se si duken presionet reale mbi gazetarinë e këtushme. Po ai Kezharovski u bë simbol i revoltës së gazetarëve të Maqedonisë kundër Gruevskit dhe për të cilin u interesuan të gjitha organizatat evropiane dhe botërore që merren me të lirinë e të shprehurit dhe mediat, asnjëherë nuk e fitoi vëmendjen e RTVM-së, qoftë edhe pas daljes – me kokën lartë! – nga qelia, që të ftohet në ndonjërin nga programet ose emisionet e RTVM-së, që ta tregojë tregimin e tij për golgotën e burgut që e kaloi në emër të profesionit të gazetarisë nën shtrëngimin e regjimit të Gruevskit. Nuk arriti dhe nuk arrin në radhë Kezharovski nga orët e gjata të programit që gjatë viteve të kaluara RTVM-ja ua ofroi të gjithë trumpetuesve mediatikë të pushtetit, të cilët përplot me fjalë të shëmtuara, e shpeshherë edhe me urrejtje eksplicite jo vetëm ndaj opozitës, por edhe ndaj të gjithë atyre që kanë qoftë edhe ndonjë vërejtje të vogël kritike ndaj pushtetit aktual në Maqedoni.

 

STIL JUGO-AMERIKAN

Për fat të keq, ngapak edhe u mësuam me gjithë këtë. Pas mbylljes së televizionit “A1”  në vitin 2010 dhe futjen, praktikisht, të gjithë kuadrit të tij pronësor dhe udhëheqës prapa grilave, në tregun mediatik në Maqedoni u shuan ose e ndryshuan pronësinë as shumë media elektronike dhe të shtypura që kishin qëndrim kritik ndaj pushtetit, sa që edhe vetëm po t’i numëronim ato do të na duhej hapësirë sa për një kolumnë. Disa që mbijetuan ose, që në ndërkohë, arritën të paraqiten, nën mbikëqyrjen e rreptë të regjimit, fituan tretman të armiqëve të shtetit, tradhëtarëve, dhe të agjentëve të huaj, nën presion të vazhdueshëm, të koordinuar dhe të ashpër të regjimit të Gruevskit. Vrasja e parakohshme dhe e pasqaruar e Nikolla Mlladenovit ishte vetëm klimaks tragjik në luftën kundër mendimit të lirë në vend, e shoqëruar me kërcënime të hapura, gjuhë të urrejtjes dhe me akte të presionit të barabarta me përndjekjen e gazetarëve në diktaturat jugo-amerikane në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Nuk nguronin as në përdorimin e forcës – në mes tjerash, edhe në vetë Kuvend edhe kundër kryetarit të SHGM-së (këtu) – që ta pengojnë punën e gazetarëve ose protestat e gazetarëve. Zëshëm dhe për çdo ditë etiketoheshin dhe bëheshin lista – fillimisht duke i varur fotografitë me kapëse, e pastaj edhe me nguljen e gozhdave në fytyrat e personave në fotografi (—) – për likuidim të profesional dhe të karaktereve të një sërë personash publikë, e në mesin e tyre edhe shumë gazetarë.

Нова зора, нов ден. Изгрејсонце во Охрид покрај езерото. Фото: Jen.
Agim i ri, ditë e re. Lindja e diellit pranë Liqenit të Ohrit. Foto: Jen.

 

Për anëtarësim në Sindikatën e pavarur të gazetarëve pranoheshin kërcënime, e madje edhe largim nga puna. VMRO-DPMNE-ja lëshoi qindra komunikata partiake dhe bleu mijëra faqe reklamuese nëpër shtypin proqeveritar duke i publikuar fotografitë dhe emrat e atyre që duhet eliminuar. Rekomandoheshte hapja e gropave dhe mbyllja e tyre me “pllaka betonarmi” për gazetarë të caktuar që u përmendën me emër dhe mbiemër në lajmet kryesore të televizionit më të shikuar dhe më proqeveritar në vend; me porosi politike u lustruan ose u paralajmëruan lustrime të pendave eminente gazetareske me orientim kritik ndaj regjimit; u dërgua edhe kurorë mortore deri te një koleg i dalluar, që të frikësohet i gjithë profesioni – e kur as kjo nuk mjaftoi, vetë kryeministri në një tubim partiak akuzoi se gazetari ia ka dërguar vetëvetes kurorën që – paramendoni – ta turpërojë pushtetin!

 

METASTAZA

Fillimisht mendohej se presioni i ashpër ndaj gazetarëve dhe mediave në Maqedoni është rezultat i lidhjes fatkeqe të një personi “të ftohur”, i cili ka ardhur në kontakt me fuqinë e pakufizuar në shtet. Mirëpo, me kalimin e kohës, gjatë tre-katër viteve të kaluara, u pa se “ftohja” nga e cila lëngon pushteti ka formë ngjitëse, me metastaza në gjithë trupin e sistemit mediatik në Maqedoni. Tashmë është krejtësisht e qartë: Martin Protogjer është “kapoja” kryesor dhe i errët i propagandës, në bashkëveprim me aparatçikun partiak Ilija Dimovski, të cilët janë “grushtat kryesorë” të pushtetit për zgjedhjen e caqeve, armatimit dhe për koordinimin e propagandës së shtrenjtë dhe gjithëpërfshirëve të regjimit në baza të përditshme; Sasho Mijallkovi kujdeset për përkrahje të vazhdueshme “teknike” të operacionit dhe për ushqimin me materiale policore nga qendra “analitike” e partisë, por edhe për mbajtjen e “lidhjeve speciale” me ekstenzionet më të ulëta propaganduese (“prezervative”) nëpër televizionet që e përkrahin regjimin; Gordana Jankullovska sundon me tefterin partiak ku janë shënuar më mënyrë precize të gjitha zgjidhjet kadrovike të cilat (ashtu mendojnë ata) janë në kompetencë të shtetit, që te mediat nënkupton nivelin prej kryeredaktorëve e deri te bashkëpunëtoret në redaksitë sportive; ndërsa në maje të piramidës, kuptohet, është udhëheqësi i kësaj sekte malinje politike, Nikolla Gruevski. Ai nuk duhet as gojën ta hapë; e gjithë kamarila garon që atij t’ia plotësojë edhe dëshirat e pashprehura për likuidim të gazetarëve ose mediave të papërshtatshme.

Нова зора, нов ден. Утринска измаглица над  клисурата на Матка. Фото: Bojan Rantaša
Agim i ri, ditë e re. Mjegullinë e mëngjesit mbi grykën e Matkës. Foto: Bojan Rantaša

 

RRËNJËT E SË KEQES

Duke iu falënderuar “bombave” të Zaevit, i gjithë konspiracioni kundër lirisë në Maqedoni, ku një pjesë të madhe ka pasur edhe konspiracioni i sëmurë kundër gazetarisë së lirë dhe profesionale, tani është shpalosur në mënyrë të detajuar. Pas këtij striptizi politik dhe kriminal “full monti”, asgjë më në hapësirën mediatike të Maqedonisë nuk mund të jetë e njëjtë. Kuptohet, detyrë afatshkurte e çdo pushteti të ardhshëm do të jetë demontimi i formave mediatike dhe politike të këtij sistemi dhe largimi urgjent nga profesioni i dhjetëra personave dhe ekzekutorëve më të eksponuar. Mirëpo, për shkak se bëhet fjalë për anomali strukturore, të cilat, në një pjesë, rrënjët i kanë edhe para “mugëtirës së gazetarisë” që ndodhi me paraqitjen e Gruevskit në politikën maqedonase, në afat të mesëm dhe të gjatë do të duhet të ridefinohen raportet themelore në sistemin mediatik, që nënkupton edhe largim i rrënjëve të së keqes: raportet pronësore në media, roli i shtetit në tregun mediatik dhe në sferën legjislative, profesionalizimi dhe bashkimi i gazetarëve, të drejtat sindikale dhe të punëtorit dhe statusi i punëtorëve mediatikë, etj.

“Të nesërmen”, ky debat i madh dhe i rëndësishëm nuk do të mund të abstrahohet nga vlimi politik për ardhmërinë e sistemit politik në vend që e pret Maqedoninë në vitet që vijnë pas rënies së pushtetit të Gruevskit. Kjo mund të jetë edhe përparësi por edhe rrethanë rënduese për mediat, mirëpo që tani është e qartë se ky debat nuk guxon të zhvillohet vetëm ndërmjet negociatorëve partiakë dhe elitave të tyre politike, në ndonjë pazarllëk nëpër të cilin përsëri do të futen kompromiset e kalbura dhe disa nga njerëzit krejtësisht të komprometuar mediatikë. Në atë debat, fjalën kryesore duhet ta kenë gazetarët dhe asociacionet e tyre, punëtorët mediatikë dhe ekspertët për sisteme mediatike, të përvuajturit e jo treguesit e përrallave. Megjithatë, le të kujdesemi një herë që Gruevski me të vërtetë të bjerë nga pushteti, sa më shpejtë, aq më mirë për të gjithë. Për shkak se na pret një punë e rëndë dhe e rëndësishme.

Lajme të ngjashme

Back to top button