VETËBESIMI

Mëngjesi i 21 prillit. Në pikën pagesore të EVN-së, për të larë borxhin e faturës që të gjithë qytetarëve na bën nevrik me shifrat e larta për standardin e kësaj shoqërie. Herë kompania në fjalë mundohet të na vetëdijësojë si të ekonomizojmë, si t’i pushojmë poçet e si t’i mbajmë mbyllur dritaret dimrit, e herë klientët ngrenë zërin përmes platformave të ndryshme, si skanimi i faturave më të ulta të miqve në Itali, Belgjikë, fushata në facebook, por ç’e do, s’ndryshon gjë. Të gjithë ankohemi, por kot. Kapitalizmi është për të kapitalizuar, për t’i shtuar pasurisë pasuri dhe as pyet për mjete, as lodhet shumë me arsyetime. Para meje, te desku një mjek shqiptar me të cilin bisedojmë për shpejtimin, durimin, ekzaktësinë dhe si gjithherë “çështjen shqiptare”, por jo atë politike, por të mendësisë, të psikologjisë kolektive, të avancimit dhe kapjes së ritmit të kohës duke ribërë veten. Mes tjerash flet për një rast kur është dashur t’i bënte një ndërhyrje kirurgjike një shqiptari të këtushëm dhe familjari-tutori, pasi kishte mësuar identitetin e mjekut i ishte drejtuar me “A nuk ka ndonjë mjek maqedonas këtu?” Ky rast interesant flet se ende nuk kemi arritur ta bindim veten se edhe ne mundemi, se nuk besojmë në kapacitetet tona. Nëse bëhet një analizë më e thellë do të konstatojmë se kjo qasje ka të bëjë me pozitën inferiore në të cilën kemi jetuar me dekada, që na ka bindur se jemi vetëm për punët manuale, vetëm si punëtorë krahu dhe si vartës, si “shërbëtorë” të shtresës dhe “entitetit të zgjedhur”. Ky mentalitet i shprehur përmes sentencave “prej nesh s’del gjë” ose “shqiptari s’bëhet njeri” nënkupton vetëpërçmimin, të ngjashmin e mentalitetit të të kolonizuarit, të atij që edhe kur di dhe mundet s’u beson afiniteteve dhe resurseve të veta.

Është tmerruese që kompleksin e inferioritetit s’e kemi flakur ende, në shekullin 21, andaj të gjithë duhet të mobilizohemi që së pari t’i detektojmë vlerat e mirëfillta, t’i mbështesim dhe t’u besojmë atyre se mund të bëhen pjesë e garës vendore, rajonale, madje  edhe globale. Duhet t’i drejtohemi vetes me porosinë-posterin e J. Howard Millerit “Ne mundemi …!” (We can do it!), të prodhuar në vitin 1943 për “Westinghouse Electric” si një imazh frymëzues për të rritur e shtytur moralin e punëtorëve, që më vonë, vitet 1980 është shfrytëzuar në favor të kauzës së feminizmit dhe viteve 2000 në fushata politike në SHBA dhe Australi.

Para do ditëve dëgjova një rrëfim interesant nga një mik që kishte kaluar disa muaj në Amerikë si pjesë e Fullbright programit për shkëmbim arsimor ndërkombëtar. Autobusi u ndal në stacion – tha – dhe u ngjit një i verbër me shkopin orientues në dorë, iu afrua automatit dhe kaloi me sukses biletin e udhëtimit. Shoferi papritmaz u ngrit në këmbë, duartrokiti dhe brohoriti: “Ia doli! Ky njeri deri sot ishte i varur nga shoqëruesi, tash për herë të parë po udhëton vetëm, i pavarur”. I gjithë autobusi ishin ngritur në këmbë dhe e kishin përshëndetur e uruar me ovacione këtë akt të avancimit të një njeriu me aftësi të kufizuara. Ja kjo është kultura e nxitjes së njerëzve për të bërë hapa përpara, për të mbështetur njëri-tjetrin. Vërtet Amerika është shoqëri individualiste, por ama prodhon edhe gjëra për t’u marrë lakmi. Cili shofer te ne merret me suksesin e një udhëtari. Ndoshta te ne një person të tillë do ta kishin qortuar si merr guximin të dalë vetë, të avashësojë ecurinë e rrjedhave në mjetin e transportit urban, të tentojë të kalojë kufirin e “dhuntive” të veta.

Ne shqiptarët, kudo që jemi duhet të kultivojmë sensin e vetëbesimit, të heqim qafe indoktrinimin intern (të gjeneruar vetë) dhe ekstern (të prodhuar nga të tjerët për ne), duhet të nisim të besojmë se megjithatë mundemi. Ky element i bëri gjermanët e rrëzuar përtoke gjatë LDB-së që për 45 vjet të bëhen “prima violina” ose super kombi i Europës, të shndërrohen në fuqi botërore.

Një gjë nuk duhet harruar, sa është e dëmshme mungesa e vetëbesimit, aq është i dëmshëm edhe suficiti i vetëbesimit. Një gjë problematike me të cilën përballemi sot është edhe besimi i tepërt i disa njerëzve që kanë rrënuar imazhin tonë duke u dalur zot punëve dhe pozitave të cilave s’janë në gjendje t’ua japin hakun, kanë ngarkuar veten me barrë të cilën s’mund ta mbartin dhe rënkojnë vetë dhe rënkojmë edhe ne, kanë kompromentuar veten por edhe neve. Aq shumë disa individë kanë dërrmuar të mirën e brezave saqë një ditë një i ri entuziast që kishte ardhur te ne për t’u konsultuar për botimin e një teksti na u drejtua me fjalët: “Nëse doni mund t’ju bëjmë koautor të librit!” Njerëz, kjo gjë më kositi. Ama bash ashtu. M’u rrotullua bota. Iu drejtova: “Çuno! A të dëgjojnë veshët atë që ta thotë goja. Si të bëhem autor kur s’kam shkruar asnjë shkronjë në të? Si ka mundësi të jepet një ofertë e këtillë bizare?” Domethënë puna paska mbërritur deri aty sa pas autorit të parë shtimi i të tjerëve qenka çështje daktilografie. Of! Of! Shikuar sociologjikisht, ky djalë s’ka faj. Këtë propozim s’e ka shpikur vetë, me siguri e ka dëgjuar ose shënuar si përvojë të dikujt. Ja realiteti ynë i mjerë. Në një debat të të mërkurës së kaluar në Shkup filozofi ynë nga Tirana, Elvis Hoxha, përdori një sintagmë interesante, “hajni radikale”, që mund të ndërlidhet edhe me të gjithë ata që stolisen me pupla të huaja.

Gjendja në të cilën jemi në asnjë mënyrë s’duhet të shkaktojë humbje të vetëbesimit, sepse pa të s’bëjmë gjë. Sa më shumë e njohim veten aq më shumë bindemi në mangësitë, që i gjejmë te çdo njeri dhe komunitet, dhe në shkathtësitë tona të cilat duhet t’i kultivojmë pandërprerë, pa i ekzagjeruar ato dhe t’i vëmë në funksion në favor të të gjithëve. Historia na mëson se s’ka as dështim e as sukses të garantuar!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button