ANALIZË: Të ardhurat nga TVSH-ja bien, shpenzimet për kamata rriten!

Zvogëlimi i të ardhurave nga TVSH-ja, që konsiderohet si tatim shtyllë për mbushjen e buxhetit, sipas ekonomistëve është tregues se ekonomia nuk është në kondicion të mirë. Lajmin se pas përfundimit të tremujorit të parë ka rënie të të ardhurave nga TVSH-ja e komunikoi ministri për financa, Zoran Stavreski, i cili theksoi se të ardhurat e përgjithshme në këtë periudhë janë rritur për tre deri në katër përqind në krahasim me planifikimet. Sipas analizës që e bëri “Portalb”-i, prej janarit deri në mars, nga TVSH-ja janë siguruar 151 milionë euro, që është për pothuajse 11 milionë euro më pak se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Më pak të ardhura nga TVSН-ja – ekonomia dobësohet…

Përderisa statistika shënon rritje të prodhimtarisë industriale dhe në përgjithësi aktivitet të shtuar ekonomik, nga ana tjetër të dhënat për të ardhurat buxhetore në tre muajt e parë të këtij viti treguan se ka zvogëlim të të ardhurave nga tatimi kyç – TVSH-ja. Vitin e kaluar në periudhën prej janarit deri në mars, në buxhet, si rezultat i këtij tatimi janë derdhur 162,1 milionë euro, që është për 11 milionë euro më shumë se sa në krahasim me realizimet e këtij viti, kur në të njëjtën periudhë janë realizuar të ardhura nga TVSH-ja në vlerë prej 151,4 milionë eurosh.

Sipas disa ekonomistëve, zvogëlimi i të ardhurave nga TVSH-ja është treguesi i parë se gjendja ekonomike është duke u përkeqësuar.

“Zvogëlimi i të ardhurave nga TVSH-ja është tregues se ekonomia është duke u zhvilluar me aktivitet të ngadalësuar, gjegjësisht kemi aktivitet të ngadalësuar ekonomik të firmave, të biznesit, të transaksioneve. Kjo do të thotë se zvogëlohet aktiviteti në sektorin privat, e kjo tregon se ekonomia nuk është në kondicion të mirë.”

Sipas llogaritjeve të Ministrisë për Financa, në tremujorin e parë të këtij viti është regjistruar rritje e të ardhurave të përgjithshme, në pjesën e tatimit personal dhe të tatimit në të ardhura, mirëpo ministri Stavreski deklaroi se mosrealizim të planit ka edhe në pjesën e ardhurave nga TVSH-ja.

“Sa i përket të ardhurave të planifikuara, zvogëlim ka te të ardhurat nga TVSH-ja, te të cilat niveli është pak më i vogël se sa shuma e planifikuar, ndërsa te tatimi në të ardhura dhe te tatimi personal ka rritje”, deklaroi ministri Stavreski.

Analiza e të ardhurave tregon se për tre muaj të ardhurat e përgjithshme buxhetore kanë qenë 614,2 milionë euro. Në periudhën e njëjtë, qeveria ka harxhuar 716,7 milionë euro. Krahasimi i të dhënave me ato të vitit të kaluar tregon se këtë vit është rritur edhe shuma e parave të nevojshme për pagesën e kamatave të borxheve ekzistuese. Kështu, vitin e kaluar vetëm për kamata të kredive nga burimet vendore dhe të huaja janë harxhuar pothuajse 17 milionë euro, ndërsa këtë vit për tre muaj kjo shumë e ka tejkaluar vlerën prej 23,4 milionë eurosh që është rritje për 6,4 milionë euro. Sipas një pjese të ekonomistëve, me paralajmërimin për rroga më të larta, ndihmë më të madhe sociale, bursa më të mëdha për nxënësit dhe studentët, këtë vit pritet rritje e huamarrjeve, që nënkupton edhe deficit më të madh buxhetor.

“Ne kemi zvogëlim të të ardhurave, kurse nga ana tjetër rritje të shpenzimeve. Nëse analizohen tre muajt e parë të këtij viti, në muajin e parë ka deficit të madh, e njëjta ndodh edhe në muajin e dytë, kështu që deri në fund të tremujorit të parë qeveria e harxhoi më shumë se një të tretën e deficitit buxhetor të planifikuar për gjithë vitin. Nëse analizohet gjendja e përgjithshme buxhetore, ajo nuk është e mirë, nga deficiti i përgjithshëm prej 300 milionë eurosh, për tre muaj janë harxhuar më shumë se 100 milionë euro. Kjo tregon se qeveria nuk mund t’i servisojë shpenzimet që i ka planifikuar, gjegjësisht se ekonomia nuk është në gjendje ta bëjë këtë”, thotë profesori universitar, Izet Zeqiri dhe shton:

“Nga ana tjetër, nëse analizohen pozitat buxhetore të këtij viti në krahasim me ato të vitit të kaluar, ne kemi deficit më të madh për 18% në një kohë kur nuk realizohen të gjitha të ardhurat e planifikuara që të mund të financohen të gjitha shpenzimet plotësuese që u paralajmëruan, dhe për këtë arsye do të jetë e pashmangshme ose marrja e kredive të reja ose marrja e të hollave nga rezervat devizore.”

Ministri për financa, Stavreski tani për tani nuk paralajmëron marrje të huave të reja, por thotë se shpenzimet e shtuara do të servisohen nga rezervat e brendshme dhe nga teprica e të ardhurave buxhetore.

“Për të gjitha masat e paralajmëruara, paraprakisht para se të bëhet një gjë e tillë, janë bërë analiza të mira për atë se sa mjete nevojiten dhe prej ku do të sigurohen. Një pjesë e mjeteve, varësisht nga shuma, ato që janë më të vogla, do të sigurohen nga kursimet e brendshme, ndërsa një pjesë nga teprica e të ardhurave”.

Një pjesë e ekonomistëve për “Portalb”-in tashmë theksuan se pas paralajmërimit për shpenzime të reja, do të jetë i paevitueshëm rebalanci i buxhetit, që do të shkaktojë deficit më të madh buxhetor.

“Nëse diku jepet, kjo do të thotë se prej diku ajo duhet të merret, e në qoftë se atje prej ku duhet të merret nuk ka para, atëherë duhet të merret hua, brenda vendit ose nga burime të jashtme. Mënyrë tjetër për mbulimin e rrogave, ndihmave sociale dhe bursave më të larta – nuk ka”, thotë njëri nga ish-ministrat për financa, Xhevdet Hajredini.

Nga qeveria thonë se janë duke u bërë analiza për atë se a do të ketë riformatim të arkës buxhetore në një të ardhme të afërt, mirëpo ministri për financa nuk e përjashton këtë mundësi.

“Nuk mund të precizoj, mirëpo duhet të pritet një deri në dy muaj që të shihen rezultatet edhe të të ardhurave edhe të shpenzimeve. Tani për tani, të ardhurat janë diku rreth tre deri në katër përqind mbi nivelin e planifikuar, mirëpo ka dallime në strukturën e shpenzimeve, kështu që te disa ka rritje e te disa shpenzime ka zvogëlim në krahasim me atë që është planifikuar. A do të ketë rebalanc varet nga rezultatet në një-dy muajt e ardhshëm”, vlerësoi ministri për financa.

Në raportin e ri të Qendrës për analiza ekonomike thuhet se ky vit, me tempon aktuale të shpenzimeve, mund të përfundojë me deficit buxhetor prej pothuajse 5% të Prodhimit të brendshëm brutо.

Lajme të ngjashme

Back to top button