Gjykata lë në burg 5 persona nga Lazarati, hapën zjarr ndaj policisë

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për grupin personave që hapën zjarr në Lazarat gjatë aksionit policor anti-kanabis. Gentjan  Kazma, 33 vjeç; Arjan Basha, 47 vjeç; Ramadan Basha, 31 vjeç; Gurgaz Skënderi, 24 vjeç; dhe Mirteza Shemsho, 42 vjeç; të pestë banues në Lazarat, u arrestuan dy ditë më parë, pasi akuzohen për një sërë veprash penale.

Ata ishin shpallur në kërkim që prej qershorit të vitit 2014, ndërsa më 1 maj të këtij viti u bë i mundur arrestimi i tyre.

Sipas Prokurorisë së krimeve të Rënda, ky grup personash dyshohet se ka pasur aktivitet të zgjeruar në kultivimin, prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.

“Për këta shtetas është aprovuar nga gjykata për krime të rënda kërkesa e prokurorisë për masën e sigurisë “arrest me burg”, të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprave penale të: “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “Vrasje me dashje e punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, “Armëmbajtje pa leje”, si edhe kultivim, prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Pritet që ditën e Hënë të zhvillohet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë edhe për shtetasin e arrestuar tashmë, Altin Shurdhi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Lidhur me goditjen me armë zjarri ndaj forcave të policisë së shtetit gjatë datave 15.06.2014 deri në datë 20.06.2014 tashmë janë të arrestuar nga muaji qershor 2014 edhe shtetasit: Razip (Gate) Mahmutaj, Vandam Mahmutaj, Matjas Bocia, Emiljano Aliko.

Në kuadër të operacionit antikanabis të realizuar një vit më parë në Lazarat, pritet të arrestohen edhe 30 persona të tjerë. /NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button