Fërçkoski: Partneritet i fuqishëm maqedono-shqiptar kundër diktaturës në Maqedoni

Vlerësoj se nga kjo krizë e thellë politike doli diçka që është e mirë dhe për të cilën kishte nevojë shoqëria jonë. Bëhet fjalë për një partneritet të fuqishëm mes maqedonasve dhe shqiptarëve si dhe qytetarëve të etnikumeve më të vogla, kundër diktaturës së qeverisë. Kështu shprehet profesori universitar, Lubomir Fërçkoski për Al Xhezirën, transmeton Portalb.

Ky është një moment i ri i cili rrënjët e veta i ka në një koalicion të ri qytetar kundër diktaturës. Prandaj, sipas tij, janë shumë të vogla mundësitë që qeveria tani të promovojë tension ndër-etnik që më pas ta shuajë zjarrin, për ta de-fokusuar vëmendjen nga kriza në të cilën gjendet Maqedonia.

“Nuk dëshiroj të spekuloj për sulmin e ashtuquajtur të policisë në Goshincë. Ky është një sulm tejet i “butë”. Megjithatë, secili kalkulim me tensionet ndëretnike në vend shkon në dëm të Qeverisë. Kjo krizë që ndodh tani është madje ngjarje më e madhe se pavarësimi i Maqedonisë. Në këtë krizë është përfshirë pushteti autoritar pas të cilit qëndron një bandë kriminele dhe kundër së cilës janë të gjithë” thotë ai në intervistë për Al Xhezirën.

Kjo bandë kriminele, shprehet ai, ka një trup votues që nuk është më i madh se 150 mijë vota, dhe ai madje mbahet me shantazhe dhe frikësime policore, si që e shohim tani me skandalin e përgjimeve të mbi 26 mijë personave.

“Domethënë është një qeverisje me kontroll dhe dhunë” shprehet ai duke shtuar se BE-në dhe SHBA-ja duhet të intervenojnë në Maqedoni për ta rrëzuar këtë “monstër që e kanë krijuar duke i lënë hapësirë sigurisë përpara demokracisë” shprehet Lubomir Fërçkoski për Al Xhezirën, transmeton Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button