Mustafa: Kudo që kërcënohet pavarësia e medias, aty minohet liria njerëzore

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, përmes llogarisë së tij në rrjetin social faecebook shkruan për Lirinë e Shtypit.

Duke e vlerësuar të rëndësishme lirinë e shprehjes, Mustafa thotë se qeverisja e tij përjashton kërcënimin ndaj medias.

Shkrimi i plotë i Kryeministrit

Të dashur miq,
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, të gjithë ne duhet të reflektojmë mbi rëndësinë jetike që ka segmenti i lirisë së shprehjes për zhvillimin harmonik të shoqërisë, qeverisjen e përgjegjshme dhe përafrimin me standardet euro-atlantike.

Filozofia ime qeverisëse përjashton kërcënimin ndaj medias, sepse kudo që kërcënohet pavarësia e medias, aty minohet liria njerëzore si edhe përgjegjësia qeveritare. Qeveria që unë drejtoj do t’i përkrahë gazetarët në përpjekjet e tyre për të qenë të lirë e të pavarur. Në muajt e parë të qeverisjes, unë dhe qeveria që unë drejtoj, jemi munduar të përçojmë mesazhin për kursin partneritetit me mediat, të ndërtuar mbi bazën e përgjegjësisë që kemi përpara qytetarëve.

Prandaj, në këtë ditë të veçantë për të gjithë gazetarët dhe mediat, unë i ftoj të gjithë ata që të angazhohen me tërë potencialin që kanë, të kryejnë me nder e përgjegjësi misionin për të cilin janë përcaktuar. Duke qenë të zëshëm ndaj çdo tendence manipuluese dhe duke përjashtuar njëherë e përgjithmonë praktikat abuzive, jam i bindur se do të krijojmë një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e lirisë së shprehjes, si një instrument i rëndësishëm i zhvillimit të demokracisë së shtetit tonë.
Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë as tendencën e politikës e grupeve të ndryshme të interesit për propagandë dhe as tendencat abuzive me lirinë e shprehjes. Qytetari i Kosovës është i emancipuar dhe plotësisht i aftë për t’i bërë dallimet mes këtyre tendencave. Në vend të përpjekjeve për të vazhduar sikur deri sot, ju ftoj të angazhohemi bashkërisht për ta ndryshuar këtë realitet.

Qeveria që unë drejtoj angazhohet në përkrahje të lirisë së shtypit dhe të zgjerimit të përhapjes së lirë të informacionit në këtë shekull digjital. Është koha që përfaqësuesit e vullnetit të qytetarëve të kryejnë obligimet e veta, për të siguruar ambient të përshtatshëm për zhvillimin e medias së lirë, përfshirë edhe transmetuesin publik, i cili duhet trajtuar në mënyrë të veçantë që të shkëputet nga rrjedha e deritanishme dhe të jetë në funksion të interesit të publikut.

Sepse kështu ne plotësojmë një komponentë të rëndësishme të të drejtave të njeriut dhe kështu ne fuqizojmë shoqërinë civile, i kufizojmë hapësirën korrupsionit dhe i hapim perspektivë zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të vendit tonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button