I jepet drita e gjelbër hekurudhës që lidh Kosovën, Serbinë e Maqedoninë

Linja hekurudhore Leshak-Hani i Elezit që lidh tri vendet, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni, ka marrë dritën e gjelbër për t’u ndihmuar me fonde të premtuara nga Konferenca e Berlinit. Për të marrë mbështetjen janë pajtuar paraprakisht të tri shtetet.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se ende nuk dihet shuma që do të mund të japë BE-ja për këtë projekt. Pjesë të pakos me projekte që po konkurron Kosova janë edhe dy autostradat, aeroporti dhe lidhjet energjetike me Shqipërinë dhe Maqedoninë, raporton KTV.

Shumica e këtyre projekteve pritet të përfundojnë brenda disa vjetëve, andaj Stavileci ka thënë se po pret që BE-ja të lejojë futjen e projekteve të reja, nga të cila Kosova mund të përfitojë fonde. Ai ka bërë të ditur se Qeveria është në pritje të një vendimi të udhëheqësve të projektit të tubacionit trans Adriatik të gazit që të përfshijnë edhe Kosovën në këtë projekt.

Ekspertë të ekonomisë nuk dyshojnë që BE-ja do t’i japë paratë e premtuara, por dyshojnë në bashkëpunimin real që mund të kenë vendet e rajonit.

Ibrahim Rexhepi nga Instituti Stras ka thënë se BE-ja përpos presionit duhet të gjejë mënyrë që infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe ajrore të Kosovës ta inkuadrojë në infrastrukturën evropiane.

Takimi i radhës i ministrave për projektet e energjisë pritet të mbahet në Vjenë më 28 gusht. Sipas projektit, deri më 2030 shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i kompletojnë projektet e tyre, ndërsa 7 vjet para këtij afati do të shikohet realizimi i projekteve./Koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button