Cilët janë OJQ-të që marrin mijëra euro nga Qeveria, para të popullit

Gjatë 8 vitet e fundit, gjithsej 244 organizata kanë përfituar nga paratë e ndara nga buxheti. Që nga viti 2007 deri më sot, ato kanë arritur të përvetësojnë 1,8 milion euro. Disa prej këtyre OJQ-ve kanë përfituar nga një herë, por ka edhe nga ato që kanë fituar deri vit për vit, mbi 7 herë. Në një hulumtim që kreu ALSAT, duket se këto organizata fitojnë shuma marramendëse parash, falë programit qeveritar të ashtuquajtur “Transferime për OJQ-të e dedikuara mbi financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve”.

Cilët janë organizatat që kanë marrë më shumë para nga ky program qeveritar?
E para, me rreth 32 mijë euro në llogari, është shoqata që u bë e njohur me donacionin e përmendoreve për “Shkupi 2014”. Por, setincët, popadincët dhe krushoradët, përveç parave nga qeveria kanë fituar edhe makinë Audi A4 të përdorura, madje edhe zyra në qendër të Shkupit. E dyta në listë është organizata “Ezerka” nga Struga.

Në internet mund të gjenden një pjesë e projekteve të saj në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, por njëkohësisht, është e qartë se kjo organizatë ka mbështetur publikisht shumë politika qeveritare. E treta në listë, me rreth 31 mijë euro të holla në llogari, është “Sinergia” nga Shtipi. Shoqata humanitare, siç mësoi ALSAT, drejtohet nga një ish këshilltare e VMRO DPMNE-së nga Shtipi, ndërsa në dy ciklet e fundit zgjedhore, ka ofruar një numër të madh monitoruesish, 10 herë më shumë se sa Asociacioni “Most”.

Organizata e katërt më e mbështetur është ajo që organizon festivalin e fëmijëve “Bilbili i artë”. Të pestët janë “Narodna Tehnika” nga Kërçova e cila prej 8 vjetësh ka marrë 30 mijë euro. Por, kryetari i kësaj shoqate, profesori Sasha Dukovski është person përgjegjës edhe në një organizatë tjetër në Kërçovë, e cila ka përfituar në të njëjtën mënyrë, edhe 28 mijë euro shtesë. Për të gjitha faktet që gjeti, ALSAT dërgoi pyetje tek qeveria dhe OJQ-të e përmendura.

Lajme të ngjashme

Back to top button