Për Enin

Falë zotit, që kriza,
Rreziku u mund,
Dhe i gjati lëngim,
Mbaroi më në fund
Ethja e quajtur “Jetë”,
U mposht më në fund.

I trishtë se e di
Forca m’ka lënë
Dhe gisht dot s’lëviz
Gjërë e gjat’ rënë
Por s’prish punë!- e ndjej
Më mir’ jam i rënë.

Dhe jam aq i ngrirë
Në të drunjtin shtrat,
Sa kush të më shohë,
Do thot’ kaq e pat,
Ta ngremë në krahë
Se ky kaq e pat.

Rënkimet, afshimet,
Cfilitjet, ankimet
Tani kanë rreshtur,
Me ato drithërime
Të zemrës- oh tmerr,
O tmerr drithërime!
Sëmundja, përzjerja,
Therrësja dhembje,
U ndalën me ethen
Që më lojti mendjen,
Ethen qojtur “Jetë”
Që zhurriti mendjen.

Dhe nga gjith’ torturat
Ajo më e keqja
Ka rreshtur- e merrshmja
Torturë nga etja
Për lumin e helmët
Mallkimin tek vetja-
Kam pirë të tillë ujë
Që të shuhet etja;
Një ujë që buron
Nanurit me nge,
Nga burimi vetëm
Dy pash’ nën dhe
Nga një guvë thellë,
Dy pash’ nën dhe.

Dhe kurrë s’do thënë,
A folur përçart,
Pa dritë kam dhomën
Të ngusht’ timin shtrat,
Se gjithnjë njeriu
Fle në atë shtrat,
E të flesh do dergjesh,
Në të tillë shtrat.

Shpirti i dërmuar
Këtu prehet qetë,
Lënë, po jo penduar
Për gulçet në jetë,
Ato shpupurisje,
Si të gonxhes fletë.

E tani i shtrirë,
I qetë më ngjan,
Se e shenjtë aromë,
Erë jargavan,
Rozmarinë erë,
Përzjer’ jargavan,
E pështjell të gjithin,
Kjo erë jargavan.

E zhytet i lumtur
Ujrave t’Edenit,
N’ëndërr mirësie
Bukuri të Enit;
Fundosur i gjithi
Krrelave të Enit.

Ajo më puthi ëmbël,
Më ledhatoi pastaj,
I përkundur u ndjeva
Të fle në gjoks të saj
Në thellëgjum’ të bie,
Qiellorit gjoks të saj.

Kur ditën mundi nata,
Më mori në mbrojtje,
Dhe ëngjëjve ju lut
Të mos kisha vuajtje,
Më të madhit ëngjëll,
Të më bënte mbrojtje.

Dhe jam aq i ngrirë
Në të drunjtin shtrat,
(Me dashurinë e saj),
Ju thoni kaq e pat;
Po jam aq i lumtur
Në të fortin shtrat
(Me të në kraharor)
Ju thoni ky e pat;
E dridheni të m’shihni
Kujtoni kaq e pat.

Por të zemrës dritë
As qiellit s’e gjeni
Më e fortë se yjet
Se ndriçon nga Eni;
Më ndrit me shkëlqimin
Që buron nga Eni;
Nga i syve ndriçim,
I të mirës Eni.

Poezi nga Edgar Allan Poe

Lajme të ngjashme

Back to top button