Kongresi i VMRO-së, Gruevski paralajmëron ndryshimin e ekipit të tij

Kryeministri Nikolla Gruevski në kongresin e 15-të të VMRO DPMNE-së paralajmëroi ndryshimin e ekipit të tij. Gruevski tha se në radhët e partisë ka persona të lodhur që duhet të zëvendësohen me lojtarë të rinj. Ndonëse Gruevski nuk foli për kuadro konkrete, ndryshe nga çfarë po përflitet prej ditësh në opinion, për largimin e Gordana Jankullovskës, Zoran Stavrevskit dhe Mile Janakievskit, si dhe të drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov.

“Ekipi duhet të ruhet por edhe të freskohet kohë pas kohe, me ndryshime që në momente të caktuara do të japin energji të re. Unë këtë e kam bërë vazhdimisht edhe pa ‘bomba’ të mëdha. Ashtu do të vazhdoj të punoj. Ekipi që fiton nuk ndryshohet. Megjithatë lojtarët që lodhen nëse nuk zëvendësohen apo çlodhen, ekipi nuk mund të fitojë prapë”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Gruevski tha se Bombat e Zaevit, e zgjuan dhe forcuan më shumë partinë, për të bërë bilanc të brendshëm të punës dhe kuadrove të saj. Nga ana tjetër, paralajmërimin e opozitës për protesta masive më 17 maj, Gruevski e quajti përpjekje të dështuar për marrjen e pushtetit me forcë. Gruevski theksoi se edhe pushteti por edhe opozita do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e mundshme të paligjshme.

“Zgjidhje juridike dhe politike do të ketë. Qëndrimi ynë është të ketë hetim edhe për shkeljet e tyre ndaj ligjeve, por edhe për ato për të cilën na akuzojnë ne. Neve na duhet një hetim i pavarur dhe transparent dhe do të bëjmë gjithçka të mundur, që hetimi të jetë i plotë dhe transparent. Pa një hetim të tillë të gjithë do të mbetemi, të dyshuar përpara syve të qytetarëve. Nëse në atë hetim dëshmohet se dikush nga ne ka gabuar, le të përgjigjet përpara ligjit dhe institucioneve. Por nëse nuk ka gabuar, ajo duhet të publikohet me qëllim që të shpërlahen fëlliqësirat që Zaevi po na hedh çdo ditë”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.

Lajme të ngjashme

Back to top button