Dielli pas mjegullave

Posa diplomon për elektroinxhenier, Nuri Bilge Xhejlan niset në udhëtim nëpër botë që ti qartësojë vetes se me çka don të merret në jetë. Thotë që dashuria ndaj filmit i ka lindur rastësisht, por asnjë rastësi e rastësishme nuk është. Gjatë kohës që ka punuar si kamarier me ndërrim nate në Londër, pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar në kinema duke shikuar nga dy-tre filma në ditë. Kështu bie në dashuri me profesionin e vet të ardhshëm dhe fillon të krijohet njëri nga emrat më eminentë të kinematografisë së re turke.

Kryevepra e tij “Gjumi dimëror”, fitues i Palmës së artë në Kan 2014, zgjat tre orë, thuaja plotësisht në atmosferë kamertale, i xhiruar me buxhet minimal. Rrallë kam parë film me kohëzgjatje të tillë e asnjë moment mos bezdisem dhe mos kem ndjenjën se autori ka mundur të jetë pak “më i ngjeshur”. Filmi shikohet me një frymë dhe në fund ke ndjesinë se ka mundur ende të zgjasë. Mandej në një intervistë të tij lexova se versioni i parë i montuar ka zgjatur 4,5 orë.

Pejsazh i bukur dimri në malin ku përveç lëvizjeve të personazheve kryesorë dhe tek-tuk ndonjë bujtësi të rrallë nuk ka trazime tjera, një lloj qetësie që i nxjerr në mejdan zërat e ndrydhura brenda njerëzve. Në hotelin pa mysafirë, derisa jashtë fryn erë e ftohtë, në dhomat me mobilje eskizaman, nën dritën e llambave të natës apo afër zjarrit zhvillohen bisedime të gjata, dialogje ku ka edhe poezi, edhe pikëpyetje jetësore, edhe tone të ulta të shpirtave të trazuar në të cilët shpresa kaherë është fikur… Prapseprap, filmi sjell mesazh optimist se nuk është ngjarja, por është përjetimi i ngjarjes ajo që përcakton dioptrinë dhe kështu ngjyron jetën e njeriut.

Pyetjen se çka mbetet nga familja kur më të afërmit harrojnë të bashkëbisedojnë dhe secili mbyllet në guacën e vet, Nuri Bilge Xhejlan në mënyrë precize e trajton tek “Tre majmunat” me të cilin është shpallur si regjisor më i mirë në Kan 2008. Filmi, i vendosur në ambient dhe kohë të shkuar, reflekton dilema të rëndësishme jetësore. Si hyn distanca ndërmjet atyre që ndajnë të njëjtën hapësirë jetësore? Pse të afërmit bëhen të largët dhe a thua vërtet tëhuajësohen apo ky është vetëm impresion çasti? Si avullohen emocionet dhe si të mbrohet njeriu kur rastis poshtë mjegullave ngjyrë plumbi?

Porosi të kundërt nga kjo nënvizon “Pikëllimi i majit” me tregimin për regjisorin e ri që kthehet në vendlindje për ta përfunduar filmin e vet të parë, me pak pare dhe shumë shpresë e mbështetje tek më të dashurit. Ngjarja rrjedh qetë, në mënyrë introspektive, shpesh dëgjohen tingujt e natyrës, kurse nga çdo sekuencë del poenta se familja është streha kryesore, kurse ata që rriten ushqyer me dashuri krijojnë imunitet më të fuqishëm. Dhe e dyta: kur e konkretizon ëndrrën e vet, njeriu më kollaj gjen mënyrë dhe forcë, duke e riprodhuar vazhdimisht besimin në vete dhe në botën përreth.

Kjo do duhej të ishte shteg i sigurtë drejt rahatisë, suksesit dhe rrezatimit pozitiv që është dielli më i fuqishëm në Tokë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button