Rrugëtimi i Ballkanit dhe Shqipërisë drejt demokracisë, sa ia dolën?

Reçension nga Dijana Gj. Dukaj

Një çerek shekull i tranzicionit të përgjithshëm në vendet e rajonit, është ndër temat më të debatueshme pas periudhës 25 vjeçare, gjatë të cilës kanë ndodhur ndryshime të mëdha, rrënjësore në këto hapësira. Mirëpo, se a janë arritur pikësynimet e shoqërisë gjatë kësaj periudhe e cila ishte aq premtuese në vendet e rajonit, është ndër pyetjet kryesore që procesin e tranzicionit vetvetiu, e bën edhe më interesant.

Është fakt se lidhur me këtë çështje nuk ekziston ndonjë analizë gjithëpërfshirëse si përgjigje në këtë dhe shumë pyetje tjera e që do të jepte një pasqyrim më të plotë të rrjedhës, pritjeve dhe rezultateve të këtij procesi gjatë 25 viteve të kaluara. Situatë e ngjashme është edhe në Shqipëri, e cila edhe pse me vonesë krahasuar me vendet tjera të rajonit, po ashtu është përfshirë në procesin e tranzicionit politik dhe që sot, mund të flitet për të arritura të dukshme në rrjedhat e përgjithshme, veçori të këtij procesi në përgjithësi.

S’do mend se në të ardhmen do të ketë punime të rëndësishme në shndritjen e kësaj periudhe, nga individ ekspert të fushave të ndryshme dhe institucione përkatëse, por një kontribut i çmuar në këtë drejtim është edhe libri më i ri i autorit Prof.Dr. Tonin Gjuraj, rektor në UET, i cili me 15 ese të botuara në përmbledhjen Tranzicioni dhe demokratizimi në Shqipëri, e që paraqet një pasqyrim të detajuar dhe të mirë analizuar, jo vetëm zhvillimit të këtij procesi në Shqipëri, por edhe asaj që i ka parapri këtij procesi, rrethana dhe pengesa të shumta në rrugëtimin e vendeve të rajonit për të jetësuar idenë e demokratizimit të shoqërisë në përgjithësi.

Libri më i ri i autorit prof. Dr. Tonin Gjuraj, botuar nga “UET Press”
Libri më i ri i autorit prof. Dr. Tonin Gjuraj, botuar nga “UET Press”

Gjuraj, na paraqitet si njohës i denjë i koncepteve dhe botëkuptimeve të ndryshme, dilemave dhe sfidave të shumta të shoqërisë shqiptare në përvetësimin e vlerave demokratike të botës moderne. Njëkohësisht, në fillim të këtij libri, autori jep një vështrim të shkurtër historik të procesit të demokratizimit për t’i ofruar lexuesit një pasqyrim më të qartë të konceptit të demokracisë dhe, po ashtu, rrugëtimin në të ardhmen të shoqërisë shqiptare drejtë demokratizimit, përparësitë dhe pengesat në këtë drejtim. Duke na ofruar sqarime të rëndësishme lidhur me procesin e tranzicionit demokratik, autori analizon rolin e elitave në ndryshmet socio-politike në Shqipëri, duke konstatuar se elitat, në veçanti ato politike, mbeten një faktor domethënës, shpeshherë vendimtar, në procesin e demokratizimit dhe të ndryshimeve sociale, jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë ish Lindjen komuniste. Në këtë përmbledhje, po ashtu, autori veçon rëndësinë e shoqërisë civile në tranzicion. Ai, duke dhënë një sqarim mjaft studioz të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të këtij segmenti të shoqërisë, mes tjerash, konstaton se ekzistenca e kësaj shoqërie civile është jetike për një shoqëri demokratike, sepse ajo bën lidhjen mes shtetit dhe tregut të lirë. Nga përmbajtja e këtij libri duhet veçuar edhe një ese “Media dhe Tranzicioni” e që është, po ashtu, ndër kapitujt kryesor në demokratizimin e shoqërisë.

Nëse konsiderojmë se pozicionimi i Shqipërisë në periferi të Perëndimit, respektivisht izolimi i vendit për shumë dekada erdhi kryesisht edhe nga mungesa e medies së lirë, s’do mend se edhe arritja e standardeve më të larta demokratike po ashtu vjen edhe si rezultat i punës dhe funksionimit të mediave të lira. Libri në fjalë përfundon me pyetjen, respektivisht me konstatimin se në rastin e Shqipërisë, perspektiva e hyrjes në BE dhe krijimi në vend i një mjedisi europian, krijojnë optimizmin se demokracia shqiptare do të arrijë procesin e konsolidimit të saj.” Përgjigjja dhe sjellja politike e shqiptarëve tashmë ka filluar të përputhet me peshën dhe rëndësinë e BE dhe institucioneve të tij”, kishte konstatuar autori Gjuraj, në vitin 2002, në shkrimin “Integrimi në Evropë – afër dhe larg”, Phoenix, Nr. 1-3 (27-29), Shkoder.

Andaj këto ese të botuara në këtë libër, me një përshkrim të detajuar dhe të analizuar mirë të zhvillimeve të përgjithshme të shoqërisë shqiptare në 25 vitet e fundit, dëshmon se procesi i tranzicionit demokratik është duke avancuar dukshëm drejt fazës së konsolidimit demokratik të vendit. Prof. Dr. Tonin Gjuraj, përveç se ishte ambasador i republikës së Shqipërisë në shtetin e Izraelit, është një pedagog me përvojë të madhe në nivel universitar, pastaj me një eksperiencë të pasur pune në agjenci të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare në lëmi të shumta, siç janë feja dhe demokracia, shoqëria civile dhe gjakmarrja, punë në terren me romët, etj. Punimet e tija shkencore janë publikuar në revista të njohura brenda dhe jashtë vendit. Të shtojmë se ai, mes tjerash, ka ligjëruar edhe për studentët shqiptarë në programin studimor të mësuesisë në Universitetin e Malit të Zi.

Lajme të ngjashme

Back to top button