1 Maji festohet edhe në Shqipëri, në protestë vetëm Partia Komuniste (Video)

Qindra banorë të kryeqytetit kanë pushtuar ditën e sotme kodrat e liqenit në Tiranë, teksa kishin dalë për të kremtuar 1 Majin, festën e punëtorëve, ditë e cila në vendet e tjera të botës përkujtohet me protesta.

Instancat vendore në kryeqytet nuk kishin planifikuar asnjë aktivitet në këtë ditë, e ndërsa qytetarët duke përfituar nga pushimi më së shumë zgjodhën shëtitjet ose arratinë nga Tirana.

Ndryshe nga zona e kodrave te liqenit qendra dhe rrugët kryesore të qytetit ishin të boshatisura, ndërsa lokalet edhe sot si ditët e tjera nuk e ndjejnë mungesën e njerëzve.

Përfaqësues të Partisë Komuniste u munduan të organizonin një proteste, sipas tyre kundër borgjezisë qe po mban peng këtë vend.

Me flamuj komunist dhe foto të ish-diktatorit Enver Hoxha ata marshuan për disa minuta përgjatë bulevardit Dëshmoret e Kombit.

Ndërkohë të rinjtë e komunitetit çam në këtë ditë vendosën të bëjnë një marshim me biçikleta, kjo për t’u solidarizuar me ata që kanë marrë rrugën e eksodit po edhe për t’iu bërë thirrje atyre që të mos ta braktisin atdheun.

E njëjta panorama në kuadër të kësaj dite ishte edhe në qytetin e Durrësit.

Mijëra qytetarë, kryesisht të rinj kanë pushtuar zonën e Vollgës dhe lokalet përreth.

Shkodër
Të rinjtë e forumit Rinor të Partisë Demokratike në Shkodër kanë sfiduar të gjithë të rinjtë që kishin zgjedhur kafenetë ne pedonale teksa protestuar me rastin e 1 Majit. Me pankarta në duar ku flitej për keqqeverisjen e vendit të rinjtë e FRPD kanë vijuar marshimin e tyre deri tek sheshi përballë Bashkisë Shkodër.

Lezhë
1 Maji dita ndërkombëtare e punëtorëve është festuar edhe në qytetin e Lezhës. Që prej orëve të para të mëngjesit me qindra qytetarë i janë drejtuar kalasë mesjetare të qytetit, duke ju bashkangjitur aktiviteteve të organizuara nga Pallati i Kulturës.

Gjirokastër
Festa e punëtorëve është kremtuar edhe në qytetin e gurtë të Gjirokastrës teksa qindra qytetare kanë pushtuar rrugët e qytetit.

Festa e 1 Majit është kremtuar në të gjitha rrugët e qytetit./ Shqiptarja

Lajme të ngjashme

Back to top button