IDEJA E LIRISË

Ideja e lirisë është vërsnik me racën njerëzore. Për Nikollaj Bergjajevin: Njeriu e ka për detyrë të jetë i lirë, nuk guxon të jetë rob, sepse është i detyruar të jetë njeri. Dante Aligieri, ndërkaq, kërkon që askush mos të harrojë se asht njeri,sepse: ju le nuk keni për t’gjallue si shtazë.

Kështu thonë mendjendriturit, zmërbardhët, shpirtlirët, prometejtë, HsanPrishtinët… Kështu  thotë dhe i Gjithfuqishmi. Por, synimi për t’përmbushur këtë detyrim njerëzor – idealin për t’mos mbetur izmeqar hallkëqinjsh – peng në kthetra despotësh, hajdutësh, vagabondësh, shakllabanësh, batakçinjsh e rriqnash fishtianë, në ndërgjegjen e të cilëve s’ka gjë më të papeshë se fatet njerëzore, bie ndesh me “zotrat” që i kanë zët krenarët.

Ndryshe, kush do të guxonte t’na quajë divo pleme; t’na llogarisë indianë që mund të gjuhen pa limit në çdo sezonë; t’na thirrë shiptari, për t’na e kujtuar histerinë dobar shiptar – mrtov shiptar; të mbushë burgjet dhe të bëjë hajgare me fatprerë që flasin gjuhën time, tënden, tonën; t’na e përcaktojë rritën me doza zvarranikësh; t’na e dhunojë sallamadishëm pragun e shtëpisë; t’na i hapë dyert e sikterisjes nga vatra stërgjyshore; t’na katandisë për marre t’Zotit; të kërkojë, pa pët qerpiku, t’ia lustrojmë çizmet; t’na detyrojë të mbrojmë dinjitetin me fund shpine, e kështu me radhë, e kështu në pakufi.

Kjo është asyeja përse në zëndanet me pamje të rreme shtetesh ligjore, si puna e Maqedonisë, njeriu tutet nga këshilla e frikshme e Emil Sioranit: Provo të jetosh i lirë, do ngordhish urie…, sepse ata që e gjakojnë lirinë mund të aksidentohen dhe t’i shkelë traktori kur s’ua merr mendja.

Në shkretëtira të këtilla liria është me dhëmbë, si dielli i vjeshtës së vonë. Koshientë për mungesën e saj janë sogjëtarët që prihen prej kushtetutash të tjera shpirtë­rore, individët e margjinalizuar që nuk kanë kujt t’ia distribuojnë idenë e lirisë shkaku i rrënjëve të thella të shpirtit të robit. Ata janë njohësit e vetëm të surratit të diktaturave me zhgune demokratike, të vetmit që kapin në kohën e duhur rrënimin moral të një shoqërie shkaku i kastave sfrutonjëse pushtetare, të cilët qeverisjen me politika huri e litari e mbështjellin me celofanë ëndrrash mashtruese; e kombinojnë me driblingje për t’manipuluar ata të cilët mund t’ua shkurtojnë veshët sa ora; e ndërlidhin me truke faraonësh që hedhin idenë e piramidave sa herë që duhet verbuar gjynahu për t’mos e parë açik shkopin e lypsarit, perspektivën e hirtë, pallatet e kojshisë, krenarinë e përlloçur…

S’do mend se po flasim për rrjedhojën e pritshme në vendet ku bërja e sistemit të ri, mbeti në mëshirën e krijesave të dresuara n’guzhina totalitare monizmash; në meset ku njëmendësia reflektohet në çdo pore të jetës, që nga kontrollimi  rigoroz i medieve e gjer tek procedurat perfide të mënjanimit të të pabindurve; në xhunglat ku dikta­tura e pudrosur shitet si demokraci; në vilajetet ku praktikohen njëmijë mënyrat e hipnozës kolektive; në saharatë ku rriten si shtogu n’mut rapsodët e pushtetit, tallavatë e të cilëve pengojnë gërvishtjen e zgjebes pushtetare; në tregjet ku betonohen kurvëritë dhe ku bëjnë sefa hipokritët, demagogët, tartufët, danjollët, skribomanët, izmeqarët vullnetarë të etnive të mbetura n’jeshillëk kronik; në llofkat ku njeriu i bëhet teslim kurgjësë dhe luan me devotshmëri rolin e shimpanzës, në dramën morbide të sorrollatjes së kushtueshme kolektive; në xhehenemin në të cilin nuk ka vend vetëm për idenë e fisme të lirisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button