Mesazh për BE-në apo gafë e Ivanovit?

Shkuarja në Moskë më 9 maj paraqet shantazh ndaj BE-së që të jetë më lëshuese ndaj politikës shtetërore të Maqedonisë apo një potez i pamatur i Kryetarit Gjorge Ivanov, është dilema e ekspertëve. Nga Kabineti i kryetarit, ndërkaq, thonë se ky vendim nuk është në kundërshtim me përcaktimet për anëtarësim në BE dhe NATO.

Nga Zyra e Bashkimit Evropian nuk dëshironin ta komentojnë vendimin e kryetarit Gjorge Ivanov që të marrë pjesë në shënimin e 70-vjetorit të fitores kundër fashizmit, në situatë kur liderët e Bashkimit Evropian po e bojkotojnë ceremoninë për shkak të rolit të Rusisë në konfliktin në Ukrainë.

Ekspertët thonë se ky vendim i Ivanovit, është një nga potezat e  shumtë të pamatur të kreut shtetëror maqedonas që i ka bërë deri tani.

“I njëjti president Ivanov e dekoroi kryeministrin ukrainas Orban, i cili është mjaft i harmonizuar me Evropën. Nëse e kemi ndër mend se në të njëjtën kohë vështirë depërtojnë burrështetasit tanë në takimet në Bruksel, këtë mund ta komentoj vetëm si edhe një gafë plotësuese”, thotë Bojan Mariçiq, nga Qendra për Arsim Evropian.

Mariçiq thotë se kjo prani e Ivanovit në Moskë nuk dërgon mesazh pozitiv para opinionit ndërkombëtar, edhe pse në kumtesën nga Kabineti presidencial thuhet se vendimin për të shkuar në Moskë, Ivanovi e ka marrë duke u udhëhequr nga politika e bazuar në interesat shtetërore dhe hapja ndaj të gjithëve dhe se ky vendim nuk është në kundërshtim me prioritetet strategjike të vendit, respektivisht me anëtarësimin në BE dhe NATO.

“Kjo mund të trajtohet jo vetëm si padëgjueshmëri, por si mungesë e sensit për momentin në të cilin gjendemi, se thjesht Maqedonia nuk kupton apo nuk dëshiron të kuptojë se në çfarë raportesh janë momentalisht Rusia dhe vendet perëndimore në kontekst të krizës ukrainase. Nëse kjo transferohet në në kushtet tona, ku edhe ne gjendemi në një krizë të thellë, mund vetëm të vëzhgohet si një thellim plotësues i krizës”, thotë Mariçiq.

Edhe sipas ish-diplomatit Alajdin Demiri, prania e presidentit maqedonas në ceremoninë në Moskë, e cila siç thotë, e demonstron kthimin e Rusisë në dyer të mëdha në politikën botërore, mund të kuptohet si një lloj largimi i Maqedonisë nga agjenda euro-atlantike.

“Ky është tentim për t’iu porositur Bashkimit Evropian – Nëse ju nuk llogaritni me ne, ja që ne kemi partner, respektivisht nuk është aq tentim për largim, sa është tentim për t’i bërë shantazh Bashkimit Evropian që të jetë më i lëshueshëm, më tolerant ndaj Maqedonisë”, thotë Demiri.

Tentimin e këtillë të Maqedonisë munden lehtë ta lexojnë në Bashkimin Evropian, thotë Demiri, sipas të cilit me këtë vendim të kreut shtetëror bëhet njëfarë zgjedhje në raport me pozicionin e politikës së jashtme të vendit. Sipas ekspertëve, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për ndonjë vendim të pamatur të kreut, apo për distancim të qëllimshëm nga perëndimi. Në të dy rastet, pasojat janë të dëmshme për Maqedoninë, konkludojnë bashkëbiseduesit tanë.

Nga Kabineti i kryetarit, ndërkaq, shtojnë se përcaktimi i fuqishëm për BE-në dhe NATO-n kurrë s’kanë qenë pengesë për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale të cilat Maqedonia në kontinuitet po i përparon me Federatën Ruse dhe se janë joserioze spekulimet se me shkuarjen, ose mosshkuarjen në Moskë, Maqedonia bën zgjedhje.

Lajme të ngjashme

Back to top button