Vargje që reflektojnë edhe prapa grilash

Për mikun tim, intelektualin dhe atdhetarin Sali Bytyqi…

Zejnepe Alili – REXHEPI

Është pak të thuash që i ke lexuar veprat, akoma dhe më pak të pohosh që ke shpalosur tisin biografik të poezisë, meqë veprat e tij kërkojnë përqëndim të posaçëm, pasi aty derdhur në vargje shquan revoltën individuale mbi dhembjen kolektive të popullit shqiptar, në kohën e diktaturës serbe. Njeh shpërfytyrimin më të tmerrshëm të Kosovës, në vitet ’90 dhe përligjjen e intelektualëve e atdhetarëve shqiptarë nëpër burgjet e Nishit, Dubravës… e gjetiu, ku drita e lirisë mund të fanitej veç në ëndërr!

Vargje që reflektojnë edhe prapa grilash

N'rezervat

Vëllimet poetike “N’rezervat” dhe “Dita që kot e bart mbi shpinë” – Sali Bytyqi

Të heqësh dorë nga vargjet, poezia, frymëzimi…, është njëjtë si t’i dorëzohesh shtjellës së fatit dhe përplasjeve dramatike, është njëlloj si të harrosh kuptimin e vërtetë të fjalës bashkë me ndjesinë e të qenit të lirë shpirtërisht. Atëbotë, shpirti i poetit përshkohet si një Promethe nga flakët e Zeusit. Kjo është baraz me mohimin e identitetit për vetë krijuesin. I këtillë ishte edhe fati i trishtë i poetit Sali Bytyqi, ndonëse ai gjen forcën e rikthimit drejt thesarit “të braktisur” – poezisë.

Thelbi kuptimor i poezisë së Sali Bytyqit ka rrjedhë të natyrshme, si identifikim i personalitetit krijues, me ADN ku përvijohet gjeni kombëtar, detajisht përmes vëllimeve: “N’rezervat” (2011) dhe “Dita që kot e bart mbi shpinë” (2014). Jetëpërshkrimi poetik është alfabeti i sakrificës, jo vetëm vetanake, por i tërë brezit të tij, shokëve të penës e të luftës: “Ju, në të vërtetë, moti jetoni pa Prijës! Duhet ta gjeni atë!“ (31). Ky është palimpsesti i brezave të tërë që gjakuan për lirinë e asaj copë toke ilire të quajtur Kosovë. Poezia e Bytyqit është përshkrim i sfondit kombëtar, jo vetëm në parametrat e vrojtimit, por edhe përjetimit.

Në të dyja veprat: “N’rezervat” dhe “Dita që kot e bart mbi shpinë”, Bytyqi e krijon poezinë e një modeli të ri në letërsinë e sotme shqipe, ku simbolizmi përbën origjinalitetin ideor dhe gjuhësor, me të cilët mirëfilli përshkruhen situatat, të cilat dukshëm i përafron ironia. Tematika dhe figuracioni janë harkore në horizontin e së (pa)mundshmes përmes vizionit të qartë, duke i thyer konturat e heshtjes. Kjo ndodh veçmas kur “Dhe vjen një ditë/ Të cilën kot ia ngarkon vetes mbi shpinë/ Për ta bartur kot deri tek një ditë tjetër” (“Dita që kot e bart mbi shpinë”, 24). Duke e gjetur formën më elokuente të shprehjes – poezinë, autori e përshkon rëndësinë e kuptimit të simbolit dhe synon ngulmueshëm shtegun e përcjelljes së mesazhit.

Në vëllimin poetik “N’rezervat” gjen ndërthurje komplekse ideore e tematike, nën “instiktin e mbijetesës”, kur konceptimi i ndjenjës dhe përjetimit pasqyron kohën e një diktature. Pavarësisht kësaj, është sprovë jetësore të gjesh forcën dhe durimin për të sublimuar kohën artistike. Vargjet, për këtë poet, janë refleks shpirtëror që pluskon njerëzishëm edhe në vetminë e madhe gjatë viteve të izolimit edhe pse, veç liria e tkurr ndjesinë e vdekjes, ashpërsinë e realitetit tejet të hidhur, për të mos u ndier si një guaskë boshe. Përtej pritjes që ndjell vdekja, vetmia kthehet në bastion poetik, për refuzimin e dhimbjes dhe thellimin e vetëbesimit.

Në Parathënien e kësaj vepre: “Dy fjalë lexuesit ose Kthimi te poezia”, autori pohon se shtytje për rikthim në poezi ishte i burgosuri Liburn Aliu, në verën e vitit ’99, kur veçmas i duhej forcë për t’i përballuar vështirësitë e ditëve të para të burgut, aty ku pas kangjellave të hekurta të dritareve nuk zhbirohej asnjë rreze drite. Në fillim, kjo iu duk absurde, mirëpo vërtet ashtu ndodhi. Vetëm pas tri ditësh, nën pseudonimin Rexhep Malaj, Bytyqi e shkroi poezinë e parë “Ne do të kthehemi”. Më në fund, e gjeti formulën. Ishte kjo festë e emocionit dhe inteligjencës që mbetet për t’u njohur përmes skicimesh në vargje. Skicimi midis përjetimit dhe ëndrrës për t’u ndier i lirë shfaqet kur nga ëndrra poeti kthehet ndryshe, me bindjen se vargu duhet të bëhet udhërrëfyes shpirtëror, pavarësisht rrezikut që e priste. Tejet i vetëdijshëm për të ardhmen e pasigurtë, përshkruar edhe në “N’rezervat”, Sali Bytyçi si poet (intelektual) dhe si shqiptar e parandiente fundin: “Po u ktheva/ Në atë vend vendoseni një kurorë/ Në shenjë kujtimi për mua!“ (“Në nisje…”, 11). Megjithëse, kjo poezi e shkruar në fillet e viteve ’90 përmban deklamimin e subjektit lirik për rrugën e gjatë të idealit të tij, nga e cila nuk ka kthim, pos vdekje apo trumf.

Në veprën tjetër “Dita që kot e bart mbi shpinë”, qartësia e mesazhit është e dukshme, pavarësisht që poeti ka përhedhur cazë nga tisi filozofik i stilit të tij të vargëzimit, siç thekson: “Zoti pa vranshëm e mërgoi pa kthim yllësive të tjera” (18). Në këndvështrimin e narratorit – poet, autori e fillon rrëfimin për “Njëherë e një kohë”. Në këtë vepër, pothuajse del në pah tërë bota shpirtërore e poetit, që ilustrativisht jepet edhe në këto vargje:

 

“Nuk e di pse njerëzit i frikësohen kaq shumë

Apokalipsit! 

Ndoshta ai tanimë ka kohë që ka ndodhur

E ne jemi vetëm hije njerëzish

Që dikur jetuan në tokë “ (21).

Poeti i rikthehet idesë parësore, shprehjes së fjalës dhe mesazhit për liri e dinjitet. Ky shkëmbim kohor, i realitetit të trishtë me artistiken, në të dyja veprat, e ysht realizimin e ëndrrës së poetit, që padyshim ishte liria, e cila do vinte dikur, ndoshta pas zhbërjes së kufirit të tmerrit. Kështu e koncepton, atë ditë, prandaj as që nguron ta shprehë, ashtu siç rrjedh natyrshëm vargu i tij, në përshkrim të humnerës ku e kishin bartur ujërat e jetës.

Si shpjegohet kjo “errësirë” ndjenjash, ky vetëmohim?

Për ta kuptuar mirëfilli poezinë e Bytyqit, të duhet ta lexosh disa herë. Në të vërtetë, rileximi më duhej edhe mua! Për t’i ndërlidhur diskurset e rrëfenjave, me blana gjaku të miqve të tij të vrarë, tashmë e ke të patjerësueshëm relativizmin logjik. Duhet ta perceptosh mirë kohën, vendin dhe ngjarjen, përderisa përjetimi vë në majë kryeheroin që është vetë autori, i cili i hap rrugë shtegtimit të ëndrrës përmes vargjesh. Ato ëndrra ishin vërtet të trishta, teksa shihje mohimin e identitetit tënd njerëzor, të kthyer në shifër 4912, gjegjësisht 2194, me ato vargje që mbanin vulën e pasigurisë së të nesërmes dhe blozës së plumbit të shkronjave që të kthjellonin dukshëm teksa në copëza palomash, të fshehura në astare rrobash u përvidheshin grilave.

“Dje njeri isha

E sot mund të jem një varr në kodër

Mund të jem një i humbur pa gjumë. 

Tani jam një numër

Numër që merr frymë

Numër që ngrihet në mëngjes e bie në mbrëmje

Numër që ha e sheh

Numër që lëviz në dy këmbë 

Tani jam numër 4912

Kaq më mjafton 

Dje isha njeri

Sot numër

Nesër…

Burgu i Nishit (Serbi), prill 2000.

Ky lexim kodesh: 4912 (2194) flet me gjuhën e jetës dhe vdekjes, sakrificën e gjeneratës së viteve ’80 për të ruajtur origjinën nga identiteti i fshirë. Poeti thekson dhimbshëm “… Dhe njeri isha…” (17).

Po të tilla poezi, më pas, pas sfidimit të grilave, falë miqve si Agim Vinca, Arben Kondi, Bedri Zyberaj e të tjerë, botoheshin edhe në gazetat: “Koha jonë” (Tiranë), “Rilindja” (Prishtinë”, duke u rikthyer edhe në duart e poetit, tashmë të shtypura në gazetën “Çlirimi” (Prishtinë). Grilat e burgjeve serbe nuk e ndalonin dot kumtin e fjalës së poetit, domethënia e të cilave kumbonte si “Këmbana e të burgosurve” (“Letër nga burgu”, Nish, verë 2000, f. 31).

Analizuar më vëmendshëm, vepra “N’rezervat” që nga titulli, sikur na vë para dilemash ekzistenciale, ndonëse hapet me ciklin tematik “Duke pritur Happy And-in”, gjë që do ta besonim po të mos kishim njohuri mbi jetën e autorit dhe po të mos e njihnim ironinë si një ndër figurat më të përdorura të poezisë së sotme. Pra, nuk ishte ndonjë ironi rasti titulli “Duke pritur Happy End-in”. Vepra është shumëdimensionale, si kohore, ashtu dhe tematike dhe natyrisht risjell: përjetime, ndodhi, flijime, ideale e gjithçka tjetër që shpalosin fragmente jetësore kujtimesh të dhembshme e të pashlyeshme. “Duke pritur Hapyy And-in” është ai ferri dantesk, në të cilin poeti, si udhëtar i përzgjedhur, hedh hapat në të tilla përkalime, dëshmitar i të cilave s’do të donte të ishte kurrë. Sa shumë “britma” dëshpëruese përmbante ferri, kjo dramë gjenetike e shqiptarëve. E poeti, as që mund të mbetej indiferent ndaj këtij ferri!

Përderisa vepra “Dita që kot e bart mbi shpinë” është rrugëtimi jetësor, ku bëhesh tok me diellin që ngjitet zenitit, edhe me perëndimin, kur tokës i bie nga lart errësira, e në to të masësh peshën tënde të vërtetë, poeti vetëdijshëm shkruan: “Vetëm kur kthehem në kasollen e vjetër/ Hija e qiririt i tregon përmasat e mia reale…” (23). Ky është frymim i poetit me ideale kombëtare që mëton të lërë gravimin e dhembjes, me liri të mohuar pas grilash, në kohën e diktarurës serbe në Kosovë. Aty gjen ngjyra jete e ngjyra dhembjeje, që bëhen harku jetësor. Me kulminacion ironik, shkruan: “Cilin monument nuk e ndërtuam/ Cilën urë/ Cilin tunel/ Cilën katedrale…/ Vetëm në veten tonë asnjë gur s’vumë“(89).

Ta kuptosh filozofinë poetike të Bytyçit, duhet njohur mirë dhe një pjesë të përjetimeve të tij, sepse identifikimi biografik është linja më e theksuar e krijuesit. Nganjëherë, jeta lind nga plagët, ashtu si filozofia e veprës estetike që sajohet midis idealit dhe përjetimit, nën plotëninë e mendimit të ngjeshur, për të mos i lënë asnjë shteg zhbirues dyshimit. Poezia, nuk përshkruan vetëm kohën vetjake, por shtrihet në ngjarje përmasash kombëtare, teksa përshkruhet me të njëjtin mllef, me të njëjtin ritëm dhembjesh.

E, kush i do dimërimet pas grilash?! Kush i do mëngjeset e errëta pa aromë lirie?! Të mos kesh idenë se si lulëzojnë trëndafilat, as imazhin pranveror të stinës?! Atdheu të rri parasysh veç me imazhe të hirta. Në qiell, nuk shihet asfarë shkëlqimi.

Nëse e rikujtojmë këtu rikthimin në poezi, ngasjen për ndonjë frymëzim të vetëm, po sikurse edhe pulsi të të jetë ligështuar nuk guxon të harrosh se ç‘shije kanë ditët me diell, as të harrosh se si duhet të jetë përkëdhelja e ngrohtë e fjalës! Vetëm atëherë, poeti kapet për ndonjë shkëndijë të brishtë drite – ta rifillojë shkrimin, ndonëse me këtë rast i qasej rrezikut. Ky ishte fati i poetit. I trishtë, apo!?

Mirëpo, pikërisht kur mendon që e ke afër humbjen, nuk mbetesh fillikat vetëm, atëherë të hapet një udhë e ndritur: “…Valët e Drinit valojnë si flokët e asaj që e dua./ Vërtet, këtu e ndiej veten si perëndi Olimpi/ Që nga çasti në çast mund të hedhë rrufetë;” (61). Ndoshta, ky edhe është “Zbulimi i vërtetë i udhëtimit… nuk do të ishte të vizitosh vende të pashkelura, por të zotërosh sy të tjerë, të shohësh gjithësinë përmes syve të një tjetri, të njëqind të tjerëve, për të parë qindra gjithësitë që secili prej tyre sheh” (Marsel Prust).

Duke pasur në mbamendje vargun “Pa ngjyrë është dita kur nuk të shoh ty” e ke të qartë se “Dita që kot e bart mbi shpinë” është përkushtuese, kujt tjetër madje, përpos asaj -Dritës?! Po a nuk ishte ajo, fanari që mbante zgjuar tërë reflekset e përgjumura e të stërlodhura të poetit, atyre netëve sterrë, pas grilave të ndryshkura?! Në të vërtetë, janë dy heroina të tilla në jetën e poetit, dy qenie femërore që e përmbushin shpirtin e tij: Zoja (nëna) në poezinë “Qyqe guri” dhe Drita (gruaja), në poezinë “Sa herë të kujtoj Ty”. Për t’i kthyer në fjalë ndjenjat më të thella, ai vendos dy poezi pranë e pranë, që vijnë të balansuara, si për kah pesha e dashurisë, ashtu edhe për kah transmetimi ndjesor, duke u ndier herë si Kondstantini që shalon kalin e Baladës, herë si Uliksi që shtegton në detin e pa anë.

Në ciklin e dytë “…s’paskam qenë Halili” të veprës “N’rezervat” dhe në shtojcën “Intermeco”, të ciklit të dytë “Në qorrsokak”, të vepërs “Dita që kot e bart mbi shpinë”, shpaloset si motiv më vete – erotizmi, si “luftë” ndjenjash, ku vargu përfiton melodizëm. Krahasimet për vashën, te ky poet, nuk vijnë me sensin romantik, ku jeta është e shtruar me tis mëndafshi, këngë e puthje, por më ndryshe, tejet diskrete… Ja, si në vargjet:

 

Ti më ngjan me ato fjollat e borës

Të cilat, duke rënë nga qielli,

lëshojnë vezullime në dritat e neonëve të

qytetit

Po pa e prekur tokën shkrihen para syve të

kalimtarëve; 

Ashtu siç treten ato fjolla të borës pa rënë në tokë,

Në shpirtin tim tretesh ti…” (69).

Edhe pse vihet re përdorimi i vargut më hermetik, për shkak të rrethanave në të cilat krijohet poezia, megjithatë ky simbolizëm ruan njëfarë origjinaliteti autorial, me të cilin mirëfilli vjen përshkrimi. Pas çdo perëndimi të diellit në ikje të stinës edhe mund të presësh ca fjolla bore, edhe pse mund të ndihesh i dërmuar shpirtërisht, duhet të vazhdosh të ecësh. Vetëm poezia ndihmon të tejkalohet caku i harresës dhe poeti është krejtësisht i ndërgjegjshëm për cakun e pathyer të kohës.

Në ciklin e tretë sajohen imazhe të brishta, si vargje poemash të pakryera, pikërisht si ajo poezia e fillimit “Kënga e Qokthit”, ngritur si paralajmërim i vdekjes. Poeti e di arsyen e këtyre vdekjeve, prandaj nuk e njeh verbërinë, as heshtjen.

Nganjëherë, vetëm ndonjë ndjesi e bukur, qoftë dhe vetëm ndonjë ëndërr, e ndihmon unin e rrezikuar sadopak që ndeshet me zërat intrigues, si ata të serbëve që mundohen ta sfidojnë veten nga paranoja e lashtë. Sado që të doje të arratiseshe, midis teje dhe ëndrrës do shfaqet ai Kali i Trojës. Vetëm thyerja shpirtërore nuk duhej të ndodhte, meqë atëherë pasojnë ode a epitafe, e as vdekja më nuk përbën rrezik, paralajmërim…, por ajo vepron. Poeti i druhet kësaj humbjeje. E përjetëson në vargje të kundërtën e saj.

Poetit i duhet ta emërtojë kohën e vet, pavarësisht viteve të mjegulluara ose pasazheve të prera të jetës, ajo përbën thelbin e ngjarjeve, si referencë e domosdoshme e ekzistencës. Pastaj, këto rrëfenja ndjesore le të mbeten copëza historish që do të korrespondojnë gjatë midis shkrimtarit dhe receptuesit.

Për veprat “N’rezervat” dhe “Dita që kot e bart mbi shpinë” as që kam ndërmend t’ia mbush mendjen lexuesit për ngjarjet, përjetimet, dhembjet që flasin më shumë se për biografi vetjake, sepse do të doja që prej vargjeve të nxirret shumësia e kuptimeve. Prurjet e rëndësishme letrare, duhet ta “shpërthejnë” vetëdijen e fjetur mbi sakrificat kombëtare, sepse ajo nuk është vetëm udha për në Itakë.

Poezia e Sali Bytyqit është më shumë se referencë për proceset e reja shoqërore që pushtojnë hapësira gjithnjë e më të gjera të lirisë, të lirisë së shprehjes, me gjuhë të pasur formësimi figurshmërish e estetizimesh. Një botë e tërë shpirtërore derdhet lirshëm enigmave të fatit për t’i përvijuar përplasjet dramatike midis shpresës dhe zhgënjimit. Analiza mbi këto vepra poetike të mundëson spikatjen e spektrit të gjerë filozofik si përkatësi e patjetërsueshme e shkrimtarit.

Lajme të ngjashme

Back to top button