MBI KULTET JO RASTËSISHT

Tiranët kanë një ves të keq: nuk u zënë besë miqve, thotë Eskili. Duke qenë mosbesues dhe ndërgjegje rënduar te secili shohin armikun e mundshëm. Ata vuajnë nga paranoja. Nuk e provojnë të parët ushqimin. Shpesh ndryshojnë itinerarin e udhëtimeve. Ata duan të shfaqen si modele ideale, prandaj i korrigjojnë biografitë personale dhe të familjarëve. Çdo ves i tyre është sekret shtetëror. Para popullit shfaqen tejet burrëror, të shëndetshëm, të palëkundur. Kulti i tyre ndërtohet gradualisht. Në këtë ritual emocional dhe kolektiv angazhohen ekipe të shumta nëpunësish, bashkëpunëtorësh të ngushtë, gazetarësh, artistësh, shoumenësh, madje vetë prijësi i kudondodhshëm.

Fjalimet e parapërgatitura mësohen përmendsh, që të krijohet bindja se prijësi është gjeni i mendimit dhe oratorisë. Pauzat gjatë fjalimeve janë të qëllimshme, për të lënë hapësirë për duartrokitje dhe eufori të turmës…

Vendimet e prijësit janë të pakontestueshme. Urdhrat të pakundërshtueshme. Alternativat të dënueshme. Dyshimet në aftësinë e prijësit të barazueshme me krimin ndaj shtetit. Dyshimtarët i pret burgu ose varri…

Prodhimi i armiqve është ritual i zakonshëm. I duhen sistemit për mobilizimin dhe homogjenizimin e turmave. Garnitura udhëheqëse duhet të perceptohet si shpëtimtare e atdheut dhe kombit…

Kastat e këtilla e pranojnë vetëm mënyrën jetësore mesatare. Nuk lejojnë kërcime prej këtij stadi. Nuk lejohen diferenca në qëndrime politike, në kulturë, askund. Preferohet masovizimi i kulturës. Stimulohen vlerat e dyshimta kulturore e artistike, të pranueshme e të receptueshme nga masat popullore. Zakonisht stimulohet kultura e estradës. “Prodhohen” poetë, shkrimtarë, kritikë, muzikantë – mediokër që lartësojnë të arriturat e shtetit. Letërsia, muzika, piktura, skulptura, teatri, filmi, arkitektura duhet të paraqesin “fytyrën reale” të shtetit, të shoqërisë, të arriturat e partisë-shtet. “Realiteti” duhet të ngjyroset me ngjyra optimizmi. “Artistët” duhet të jenë “bori partie”. Kriteret estetike zëvendësohen me kritere ideologjike. Veprimtaria qytetare ose politike e artistit duhet të jetë në vijë të ideologjisë zyrtare. E huaja shihet me dyshim. Është dominuese ksenofobia kulturore. Kemi më shumë prirje ndaj kategorisë së madhërishmes dhe jo të bukurës, si dhe armiqësi ndaj humorit…

Në regjimet e këtilla mungon liria e intelektit, përjashtohet mundësia për të menduar lirshëm. Njeriu duhet t’i takojë regjimit nga lindja deri në vdekje. Shoqëria duhet të jetë nën kujdesin e rreptë të shtetit. Gjithçka kontrollohet me mjete përgjimi e me polici mendimi. Besimi te pushteti duhet të jetë i verbër. Dhuna e heshtur synon ta shndërrojë njeriun jo në rob të zakonshëm, por në ithtar të verbër të regjimit. Njeriu duhet të krijojë reflekse vetëpërmbajtjeje. Nga frika që ta thotë atë që mendon, ai do ta thotë atë që nuk e mendon, thotë Konradi. Me kalimin e kohës do t’i besojë gënjeshtrës së vet. Kjo gjendje e shkatërron aftësinë e njeriut për t’i parë gjërat siç janë në të vërtetë dhe fillon që ta sheh botën ndryshe nga çfarë është, sepse futet në dimensionin e mitit e të iluzionit. Jeton në një botë paralele nga bota reale…

Gjithashtu, e kaluara ekziston për aq sa i nevojitet regjimit. Ajo mund të jetë e rrezikshme nëse ua kujton njerëzve diçka ndryshe nga çfarë e shohin. Nëse është e tillë duhet të “ndryshoet” ose “të shpiket” një e kaluar tjetër. Çdo fakt i rrezikshëm për regjimin ose shkatërrohet ose kritikohet. Kujtesa është krim. Kështu synohet të zhduket aftësia për të menduar, prandaj dominon gjuhëreja (newspeak) – gjuha e zhveshur nga mendimi i thellë, pra sipërfaqësore, topitëse…

Një sistem i këtillë, i shfaqur në kohë dhe hapësira të ndryshme, është paraqitur simbolikisht e mjeshtërisht edhe nga Xhorxh Oruelli. Më 1948 e përfundoi romanin “1984” dhe pasi nuk i gjente titull vetëm i ndryshoi dy shifrat e fundit. Për “elitën” intelektuale, veçmas majtiste, Oruelli ishte renegati, për shkakun e qëndrimeve të tij kundër autoritetit absolut, të vërtetës zyrtare dhe njëmendësisë së dhunshme…

Derivatet e sistemeve të këtilla i shohim kudo, veçanërisht në shoqëritë post-komuniste. Vetëdija megjithatë nuk ndryshon shpejt. I duhet kohë, ndërrim brezash, ide të reja. Për shembull: vetëdija gjermane, pas Luftës së Dytë Botërore, kaloi në disa etapa. Në fillim prindërit u penduan për krimet e bëra, pastaj bijtë u penduan për krimet e prindërve, deri sa filloi faza normale për këtë komb të lavdishëm…

Regjimet e këtilla ndërtohen jo vetëm me verbërinë, por edhe me hipokrizinë dhe heshtjen e njerëzve të mendimit. Ndërtohen duke e tradhtuar të vërtetën, teksa shohim dhe nuk reagojmë ndaj shpërfytyrimeve të këtilla. Duke reaguar dëshmojmë se jemi qenie aktive, në mbrojtje të vlerave më të larta njerëzore. Në të kundërtën bëhemi bashkëpjesëmarrës në triumfin e së keqes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button